(ALBANIA SPORT) - Bari i 50 stadiumeve anë e mbanë Europës dhe botes është shkelur nga “këpuca e rëndë” e Panos. Sulmuesi brilant ishte një emër i njohur edhe në arenën ndërkombëtare.
Stadiumet e Moskës, Leningradit (sot St. Petërburgu) në Rusi, Torinos në Itali, Amsterdamit në Holandë, Gllazgout në Skoci, Budapestit në Hungari, Stambollit në Turqi, Bukureshtit në Rumani, Sofjes në Bullgari, Varshavës në Poloni, Brukselit në Belgjikë i dhanë një famë të pamatë lojtarit më të dalluar të viteve 1960-1970, i cili fitoi edhe medaljen e argjendtit me skuadrën e Partizanit në Turneun e Laipcigut (1960) në ish-Gjermaninë Lindore dhe Hanoit (1963) në Vietnam. Golat kundër ekipeve të huaja janë të shumtë.
Në Kupën e Fituesve të Kupës në edicionin 1970-1971, Pano shënoi një gol kundër Atvitabergut suedez në raundin eliminator dhe dy gola kundër Vaker Insbrukut në 1/16. Paraqitja e parë ndërkombëtare e Panos në rang skuadrash kombëtaresh i përket kualifikueseve të Lojërave Olimpike 1964, më 2 qershor 1963, kur Shqipëria e drejtuar nga Loro Boriçi humbi në Tiranë me Bullgarinë 0-1, ashtu si në ndeshjen e kthimit në Sofje, po me rezultatin 1-0 (16.06.1963).
Në kualifikueset e Lojërave Olimpike, Pano e shënoi golin e parë kundër Rumanisë, në atë humbje 1-2, më 26.05.1971 në Tiranë. Shqipëria ishte sërish nën urdhrat e Loro Boriçit, i cili e ndërtoi skuadrën përfaqësuese rreth Panos (24 ndeshje me fanellën kuqezi 24 ndeshje në periudhën 1963-1973). Pano ishte pjesë e skuadrës shqiptare në eliminatoret e Euro 1964, kundër Danimarkës (të humbur 4-0), më 29.06.1963, që ishte edhe takimi i parë i Shqipërisë në një Kampionat Europian.
Midis ndeshjeve të tjera të paharrueshme për numrin 10 të Partizanit janë ato me Danimarkën në Tiranë, Shqipëria fitoi 1-0 (30.10.1963) pikërisht me golin e Panos në minutën e 3-të. Viti 1964 e rreshton Panon në dy ndeshje e humbura me rezultatin 2-0 kundër Holandës (24.05.1964 dhe 25.10.1964).
Në vitin 1965, për eliminatoret e Kupës së Botës 1966, Zvicra shtohet në listën e Panajotit: dy humbje 0-2 në Tiranë dhe 1-0 në Gjenevë. Dhe po në këtë vit Shqipëria humbi 4-1 me Irlandën 4-1 (07.05.1965, goli i Robert Jasharit) dhe barazoi në Tiranë 1-1 (gol i Mehdin Zhegës).
Kundër Gjermanisë (0-0, më 17.12.1967) së Helmut Shënit, Pano e nxori jashtë loje mbrotjësin gjerman Villi Schulz, por dhe Gjermania nuk u kualifikua për Euro 1968.
Viti 1971 solli një tjetër përplasje të madhe midis Shqipërisë e Gjermanisë. Lojtari që u ngarkua nga trajneri Helmut Shën për të bllokuar veprimet sulmuese të Panos, nuk ishte askush tjetër, por Franz Beckenbauer.




