Dash FRASHERI - Burim Kukeli, mesfushori kosovar i Kombëtares shqiptare, që luan me Zyrihun në Zvicër, synon të ketë minutat e tij me Qipron dhe Zvicrën, por ai më shumë i gëzohet faktit se do të marrë pasaportën shqiptare. “Nesër ose pasnesër do ta marr në dorë pasaportën dhe kjo është një kënaqësi më vete. Sa për të luajtur çdo lojtar shpreson shumë për të qenë titullar, por atë e vendos trajneri. Gjithsesi, unë duhet të përqendrohem që të paraqitem sa më mirë”, - tha Kukeli për gazetën “Telegraf”. Kukeli foli edhe për marrëdhëniet e tij me kosovarët që kanë zgjedhur Zvicrën.
Burim, urime për nënshtetësinë shqiptare dhe mirë së erdhët në Kombëtare. Cilat janë emocionet tuaja?
Një emocion më vete. Jam shumë i lumtur për këtë grumbullim. Ekipi më ka pranuar shumë mirë. Edhe Federata ka bërë shumë punë. E falënderoj për punën e bërë për të më pasur në ekipin kombëtar.
Duke qenë se, jeni i panjohur për publikun shqiptar, në çfarë pozicioni luani?
Luaj para mbrojtjes. Një rol që e ka bërë Curri ose Cana.
Për të qenë i sinqertë, a e prisnit këtë ftesë?
Jam shumë i kënaqur për këtë hap të madh. Është e vërtetë që tashmë është zyrtare, dhe ndihem shumë mirë. Nesër ose pasnesër do ta marr në dorë pasaportën dhe kjo është një kënaqësi më vete. Sa për të luajtur çdo lojtar shpreson shumë për të qenë titullar, por atë e vendos trajneri. Gjithsesi, unë duhet të përqendrohem që të paraqitem sa më mirë.
Do të luani kundër pesë shqiptareve të Zvicrës, si i prisni atë sfidë?
Sigurisht, me shumë emocion. Ata zgjodhën Zvicrën, por unë zgjodha Shqipërinë. Kisha menduar shumë herë dhe thosha se do të kënaqesha shumë nëse më grumbullonte ndonjë ndeshje trajneri i kombëtares. Tani shpresoj që të ndihmoj ekipin dhe të kem sukses me fanellën kuqezi.
Le të kthehemi te ndeshja, Zvicër-Shqipëri. Do të ketë një mbështetje shumë të madhe apo jo?
Po, është e vërtetë. Jam i bindur që do të ketë shumë njerëz në atë ndeshje. Një ndeshje e ndjerë por tifozët do të na ndihmojnë. Për më tepër ka shumë lojtarë shqiptarë që luajnë me Zvicrën dhe kjo do të jetë shumë interesante. Ishallah luajmë mirë dhe fitojmë.
Te Lucerni keni luajtur me Jahmir Hykën, ndërsa tani aktivizoheni me Zyrihun. Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Hykën?
Me Jahmirin kemi bërë një sezon shumë të mirë vjet. Hyka është një lojtar i mirë. Tani luaj me Zyrihun dhe, sigurisht që më duhet pak kohë të përshtatem plotësisht.
Si e vlerësoni ndeshjen e Qipros?
Është një takim i vështirë, dhe dëshiroj të jap kontributin tim për ta fituar.
Jeni mik me Gokhan Inlerin, një prej lojtarëve më të mirë të Zvivcrës. A keni komunikuar me të pas thirrjes në Kombëtaren e Shqipërisë?
Sigurisht, më uroi. Jemi rritur bashkë dhe gjithmonë interesoheni për njëri-tjetrin. I thashë se do të fitoj unë.
A keni marrëdhënie me Xherdan Shaqirin apo Granit Xhakën?
I njoh, si lojtarë, por nuk kam marrëdhënie private.
A keni pasur kontakte nga Federata Zvicerane për të mos luajtur me Shqipërinë?
Jo, jo. Por, tani kjo nuk ka më rëndësi. Unë jam pjesë e Shqipërisë.




