Besa e festoi me një tripletë madhështore ndeshjen e parë të saj historike me drita, duke shkatërruar 3-0 Tomorin, në sfidën përmbyllëse të javës së dytë të Kategorisë Superiore, në një takim ku të dyja skuadrat e mbyllën me nga dhjetë lojtarë.
Kavajasit, të rikthyer nga Kategoria e Parë, në drejtimin e Ilir Dajës - dy herë kampion si trajner, me Elbasanin dhe Dinamon, - i bënë në interpretim të shkëlqyer lojës, duke e dominuar ndeshjen nga fillimi në fund.
Suksesi në Laç (1-1) dhe premiera nën ndriçimin e projektorëve, e kishin mbushur si rrallë herë stadiumin e “Besës” të dekoruar me ngjyrat tradicionale “verdhë e zi”.
Ndeshja nisi e “nxehtë” qysh në fillim, me Besën që e gjeti golin qysh në minutën e 7-të, kur Meglid Mihani goditi saktë më kokë, pas një harkimi të gjatë të Fatjon Sefës. Tifozët i kishin kushtuar një megafanellë Mihanit me numër 23, pikërisht në cepin e majtë të karshisë.
Entuziazëm i ligjshëm në Kavajë, ndaj një Tomori të paqartë në fazën ofensive. Florent Aziri dhe Meglid Mihani japin një kontribut të çmuar për Bernard Berishën dhe Jetmir Sefën, dhe është ky i fundit që dyfishoi shifrat në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.
Sulmuesi lushnjar mori një pasim brilant nga Berisha, duke bërë punën më të bukur: çuar topin në rrjetë.
Me pjesën e parë, të mbyllur 2-0, Besa është më e qetë në fraksionin e dytë, ndërsa Tomori është nervoz.
Për ta bërë edhe me dramatike situatën e beratasve, nigeriani Çarls Ofejen u ndëshkua direkt me karton të kuq nga gjyqtari Kridens Meta, në minutën e 65-të, pas një ndërhyrje të gabuar ndaj mesfushorit të avancuar të beratasve, Florent Azirit.
Pesë minuta më pas, sulmuesi kosovar 20-vjeçar Bernard Berisha - një zbulim i këtij fillim sezoni - e dërgoi topin për herë të tretë në rrjetë për Besën.
3-0! Dhe Tomori pranon humbjen, në mungesë edhe të një force më pak.
Gjithsesi, skuadrat u ekuilibruan, kur gjyqtari Meta ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë, Idriz Bathën e Besës në minutën e 75-të.
Me rezultatin final 3-0, Besa u ngjit në kuotën e katër pikëve, ndërkohë që Tomori pësoi humbjen e dytë po aq ndeshje, pasi në javën e parë u mund nga Tirana me rezultatin e ngushtë 1-0, dhe së bashku me Shkumbinin, janë dy skuadrat e vetme që nuk kanë marrë pikë këtë sezon.
Java e dytë e Kategorisë Superiore nisi të premten me dy sfidat hapëse të saj: Skënderbeu-Apolonia 2-0 dhe Flamurtari-Laçi 0-1; të shtunën Kukësi-Vllaznia 0-0 dhe Kastrioti-Bylis 2-1, ndërkohë që të dielën spikatën Tirana-Shkumbini 3-0 dbe Luftëtari-Teuta 4-1.
Ndeshjet e javës së tretë të Kategorisë Superiore do të luhen, më 15 shtator, për shkak të dy sfidave zyrtare të Kombëtares, ato me Qipron (7 shtator) dhe Zvicrën (11 shtator).
KATEGORIA SUPERIORE
Java II
31.08.2012
SKENDERBEU - APOLONIA 2-0
Shënues: Plaku 57’ (pen), Orelesi 64’
FLAMURTARI - LAÇI 0-1
Golat: Emurllai 51’
01.09.2012
KUKESI - VLLAZNIA 0-0
KASTRIOTI - BYLIS 2-1
Shënues: Sekseni 40’, Gocaj 52’ / Mohamed 59’
02.09.2012
TIRANA - SHKUMBINI 3-0
Shënues: Morina 30’, 90’, Cota 89’
LUFTETARI - TEUTA 4-1
Shënues: Nikolic 21’, Licaj 28’, Rraboshta 51’, Shenaj 66’ / Mancaku 36’ (pen)
03.08.2012
BESA - TOMORI 3-0
Shënues: Mihani 7’, Sefa 45’+2, Berisha 70’
RENDITJA
1 Skënderbeu 2 +4 6
2 Tirana 2 +4 6
3 Besa 2 +3 4
4 Luftëtari 2 +3 4
5 Kastrioti 2 +1 4
6 Laçi 2 +1 4
7 Teuta 2 -2 3
8 Kukësi 2 +0 2
9 Bylis 2 -1 1
10 Flamurtari 2 -1 1
11 Apolonia 2 -2 1
12 Vllaznia 2 -2 1
13 Shkumbini 2 -4 0
14 Tomori 1 -1 0





#1 edinxheko04/09/2012 13:30 Pergjigjuni
Per sa kohe qe klubi kavajes,lojtaret dhe presidenti do ta kene besimin dhe shpresen tek ZOTI dhe nuk do te bejne korrupjson dhe shitje edhe ZOTI do ti ndihmoje dhe do te tregohet i meshirshem me ta!Dhe nese ata kembengulin ne besimin e tyre,thjeshtesi dhe sinqeritet kuptohet duke u stervitur rregullisht e duke mos abuzuar do ta shihni BESEN kampjone dhe jo Skenderbeut e Tironen!