Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, dhe shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, Komisioni ndëshkoi Tomorin me katër ndeshja pa shikues, për shkak se tifozët e tij hodhën sende të forta në fushë, gjatë ndeshjes së humbur me Tianën, çka solli edhe ndërpërprerjen për disa minuta të takimit.
Kështu, Tomori do të luajë pa shikues takimet kundër Flamurtarit (java e 3-të), Skënderbeut (java e 5-të), Vllaznisë (java e 7-të) dhe Bylisit (java e 9-të).
Edhe sezonin e kaluar, Tomori u dënua me zhvillimin e katër ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe me 300 mijë lekë gjobë, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve gjatë ndeshjes Tomori-Dinamo.
Po, për hedhjen e sendeve të forta nga tifozët, më pasojë ndërprerjen e ndeshjes, Vllaznia-Skënderbeu (1-3), klubi shkodran do të luajë një ndeshje pa shikues, atë me Luftëtarin (java e 3-të).
Komisioni i Disiplinës ndëshkoi dhe mesfushorin e Tiranës, Renaldo Kalari, me pesë ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë, për shkak se goditi me grusht në kokë, sulmuesin e Tomorit, Elvis Frashëri, në minutat e fundit të takimit, kur dhe situata degjeneroi.
Tirana fitoi 1-0 me Tomorin në Berat, me golin e realizuar me penallti nga ana e Klodian Duros.
Dënimet e vitit të kaluar
Ndeshjet pa praninë e shikuesve
27 shtator 2011- Tomoriu dënua me zhvillimin e katër ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe me 300 mijë lekë gjobë, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve.
2 nëntor 2011 - Bylisi, për shkak të hedhjes së gurëve ndaj zyrtarit të ndeshje, me pasojë dëmtimin fizik, u dënua me katër ndeshje pa shikues dhe 1.5 milionë lekë gjobë.
7 dhjetor 2011 - Laçi, për dështim të organizimit të ndeshjes dhe dhunimin e zyrtarëve kundërshtarë, u dënua me zhvilluan e ndeshjeve të mbetura të sezonit futbollistik në fushë asnjanëse dhe me heqjen e gjashtë pikëve.
21 dhjetor 2011 - Pogradeci u dënua me zhvillimin e të gjitha ndeshjeve të si pritës në fushë asnjanëse dhe pa shikues, për shkak të dhunimit të zyrtarëve të ndeshjes. Pogradecit iu hoqën dhe tri pikë nga renditja.
3 shkurt 2012 - Skënderbeu, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar goditje të zyrtarit të ndeshjes dhe ndërprerje të përkohshme të lojës u dënua me zhvillimin e tetë ndeshjeve jashtë fushës.




