Një tregolësh inteligjent i Pero Pejiçit në fitoren 3-1 kundër Vllaznisë, i dhuroi kampionit në fuqi, Skënderbeut, një start madhështor të Kampionatit të 74-të Kombëtar të Futbollit, pikërisht në lamtumirën festive të golashënuesit më të mirë historik të Vllaznisë dhe Superligës, Vioresin Sinanit.
Një rehabilitim i ëmbël edhe për trajnerin e Skënderbeut, Mirel Josa, që vetëm një javë më parë kishte humbur finalen e Superkupës me Tiranën, me një autogol të kroatit Marko Radash. Fitorja kundër Vllaznisë, për Josën ishte dhe një revansh në planin personal, pasi sezonin e kaluar ai drejtoi për gjashtë javë shkodranët. Një humbje e hidhur për trajnerin Shpëtim Duro, që e nisi në mënyrën më të keqe aventurën në stolin e Vllaznisë, pikërisht ndaj skuadrës që i dha titullin kampion para dy sezonesh. Vllaznia-Skënderbeu ofroi spektakël golash, pavarësisht se në përgjithësi ndeshja nuk u ngrit në lartësinë e emrave që kanë të dyja skuadrat, ku shkodranët dëshmuan se ende nuk e kanë gati ekipin, pavarësisht 12 blerjeve në merkaton verore. Skënderbeu ka dalë fitues në katër ndeshjet e fundit në kampionat, përfshirë dhe ato të dy sezoneve të fundit, me ato fitore: 2-0, 2-1 dhe 3-0. Një fitore edhe për presidentin e ri të Skënderbeut, Artan Take.
PJESA E PARË
Minutat e para në “Loro Boriçi” ishin tradicionale, madje skematike: Vllaznia, e porsakrijuar dhe Skënderbeu kampion, studiojnë njëri-tjetrin. Lojë e ngadaltë, pa vertikalizime drejt Vujadinoviçit dhe Shehit. Momenti i parë për t’u shënuar u kronometrua në minutën e 15-të, kur dy blerjet e Vllaznisë, Vilfor Hysa dhe rumuni Deni Dragoi kombinuan bukur, por gjithçka shkoi dëm. Dy minuta më pas, ishte Deni Dragoi, i cili sezonin e kaluar luajti me Kastriotin, ai që goditi drejt portës korçare, por portieri Orges Shehi, arriti të shmangë një gol thuajse të sigurt. Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, udhëzon ekipin e tij të sulmojë ndaj skuadrës korçare, me të cilin ka fituar titullin e vetëm kampion, por Skënderbeu në minutën e 19-të i ndëshkon vendasit. Mbrojtësi i Vllaznisë, Ivan Daliç, humbi duelin me Sabien Lilaj, dhe mesfushori korçar i dha një asist sulmuesit kroat Pero Pejiç, që shënoi edhe golin e parë për Skënderbeun, por edhe golin e parë të Kampionatit të 74-t Kombëtar të Futbollit. Ishte sulmuesi i Skënderbeut, Sebino Plaku, pati një rast të mirë, por portieri malazez i Vllaznisë, Vujadinoviç, u tregua i vëmendshëm. Pesëmbëdhjetë minuta më pas, në të 34-t, Skënderbeu dyfishoi rezultatin me anë të “gjahtarit” të golave, sulmuesit kroat Pero Pejiç, duke dëshmuar se është një blerje e rëndësishme e kampionëve në fuqi.
PJESA E DYTË
Një kundërsulm perfekt i Skënderbeut, me të njëjtët ‘aktorë”, Sebino Plaku dhe Pero Pejiç, i mundësoi kroatit të shënojë dy minutash lojë, njëherësh edhe goli i tretë personal dhe i treti për Skënderbeun: Vllaznia-Skënderbeu 0-3. Askush nuk arrin ta besojë në “Loro Boriçi”, ku ishin të pranishëm disa mijëra shikues shkodranë, për të ndjekur skuadrën “Made in Duro”.
Mbrojtësi lezhjan i Vllaznisë, Dritan Smjali, realizoi një gol të shkëlqyer në minutën e 76-të, pas një shërbimi të Klodian Seminës. Topi u përplas në të dyja shtyllat për t’u pushuar përfundimisht në rrjetë. që entuziazmoi tifozerinë shkodran dhe nxitur ekipin. Në të 80’, Vllaznia realizoi golin e dytë, por ai u anulua nga gjyqtari Laver Alla, për shkak të një përplasjeje të një lojtari të Vllaznisë, me portierin Orges Shehi. Vllaznia sulmoi fort, por Vilfor Hysa nuk u tregua i gatshëm për të ndëshkuar Skënderbeun në minutën e 85-të. Përfundimisht, një fitore 3-1 e Skënderbeut në një fushë tepër të vështirë si ajo e Vllaznisë, por dhe një paralajmërim për skuadrat e tjera, si Tirana apo Flamurtari, që ashtu si korçarët kanë si objektiv titullin.
124 ndeshje
janë zhvilluar midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, qysh kur ato u ndeshën për herë të parë në kampionatin e I-rë, në vitin 1930. Vllaznia ka fituar 67 ndeshje, Skënderbeu 31 dhe 26 takime janë mbyllur në barazim. Golaverazhi 175-114 për shkodranët.
Pero Pejiç, autori i golit të parë
Sulmuesi kroat Pero Pejiç, që shënoi edhe golin e parë për Skënderbeun, por edhe golin e parë të Kampionatit të 74-t Kombëtar të Futbollit. Gjithçka ndodhi në minutën e 19-të, kur Sabien Lilaj, i shërbeu kroatit, që në kundërsulmin e tij arriti të mposhtë Vujadinoviçin. Pejiç shënoi tre gola në këtë takim.
Vioresin Sinani, “lamtumirë” me 208 gola
Vioresin Sinani, një nga ikonat e Vllaznisë dhe të futbollit shqiptar, i dha zyrtarisht lamtumirë të luajtur, duke e shkelmuar për herë të fundit herë topin. Një ndarje, sa e dhimbshme, aq dhe krenare për golashënuesin më të mirë në të gjithë historinë e Superligës (208 gola). Sinani është tri herë fitues i “Këpucës së artë” - dy herë me Vllazninë (2003-2004 dhe 2007-2008) dhe një herë me Tiranën (2006-2007). Sinani, 34 vjeç, luajti nga viti 1996, kur edhe veshi për herë të parë fanellën e Vllaznisë, në moshën 19 vjeçare. Gjatë karrierës së tij 12-vjeçare, Viori ka luajtur edhe me Besën e Kavajës, si dhe në Kroaci e Turqi, respektivisht me Varteks Varazhdinin dhe Kaiserisporin. Vioresin Sinani fitoi me Vllazninë: dy kampionate ( 1997-1998, 2000-2001); një Kupë të Shqipërisë (2007-2008) si dhe dy Superkupa (1998, 2001). Me Tiranën, Sinani fitoi një kampionat (2006-2007) dhe një Superkupë (2006), ndërsa me Besën fitoi Kupën e Shqipërisë (2009-10). Federata Shqiptare e Futbollit dhe personalisht Presidenti Armando Duka i dorëzoi “Pllakatin e mirënjohjes” për kontributin e tij. Mirënjohje Sinani mori dhe nga nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Troshani.




