HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Shqipëri, pa shkëlqim kunder Moldavise

Kuqezinjtë nuk shkojnë më shumë se barazimi pa gola. Debutim jo bindes i De Biazit në “Qemal Stafa”

  • 0 komente
Shqipëri, pa shkëlqim kunder Moldavise



Shqipëria bëri një paraqitje të varfër në barazimin 0-0 ndaj një Moldavie, që ndodhet 58 vende më dobët se ne në renditjen e FIFA-s, pikërisht në premierën shqiptare në “Qemal Stafa”, të trajnerit italian, duke dhënë shumë pak sinjale pozitive përpara ndeshjes zyrtare të kualifikueseve të Kampionatit Botëror, atë kundër Qipros, më 7 shtator.

Një interpretim aspak agresiv i lojës, edhe pse De Biazi, luajti me dy sulmues të pastër në pjesën e parë, Edgar Çanin dhe Hamdi Salihin. Aspak dinamike në mesfushë, e paqartë në veprimet ofensive, kuqezinjve u mungoi loja e zgjuar, çka provokon edhe rrezikshmërinë në portën kundërshtare.

Edhe pse loja nisi me një rast të pastër, të humbur fatalisht nga Çani, ajo u zbeh, edhe pavarësisht se në fraksionin e dytë, në fushë ishte golashënuesi më i mirë i Kombëtares sonë, Erjon Bogdani. Takimi u gjykua nga arbitri ndërkombëtar turk, Jonus Jildirimi. Përpara ndeshjes, nga kompanitë e basteve, fitorja e Shqipërisë kuotohej 1.45, ajo e Moldavisë 6.50, ndërsa barazimi 3.90. Kjo ishte hera e parë në katër ndeshjet miqësore me Xhani De Biazin në bankinë, që Shqipëria nuk shënon.

Ky ishte barazimi i 24-t i Shqipërisë, në 88 ndeshje miqësore, në të cilat kemi fituar 33 dhe humbur 31. Për herë të fundit, Shqipëria kishte barazuar 0-0, me Maqedoninë, në një ndeshje të zhvilluar në Prilep, më 15 nëntor 2011.


PJESA E PARË

Trajneri De Biazi e nisi me një surprizë në formacion, teksa në mesfushë luan Ledion Memushaj, në ndeshjen e tij të dytë me Kombëtaren, i cili mori përsipër edhe organizimin e lojës. Me një profil të qartë me dy sulmues, i avancuar Edgar Çani, dhe pas tij, Hamdi Salihi, të mbështetur nga Elis Bakaj dhe Emiljano Vila, skuadra jonë u orientua menjëherë nga gjysmëfusha moldave.


Me Shqipërinë, që nderon me një minutë heshtje ish-bomberin e njohur shkodran, Medin Zhegen, të vetmin trajner shqiptar qa ka mundur të fitojë një trofe ndërkombëtar, atë “Rothmans” (2000), nisi edhe ndeshja e katërt miqësore nën drejtimin e trajnerit Xhani De Biazi dhe e treta përballje kundër Moldavisë, pas dy të parave në vitin 1995.


Topin e parë e shkelmoi Shqipëria, dhe po rastin e parë për gol e ka po ajo. Madje në 100 sekondat e para: mesfushori i PAS Janinës, Emiljano Vila, krosoi nga e djathta, topi mbërriti në zonën e vogël, Edgar Çani goditi fuqishëm me kokë, por shënjestra e ish-sulmuesi të Polonia e Varshavës, ishte e gabuar, duke humbur një rast ideal. Kundërpërgjigja e Moldavisë ishte e shpejtë, teksa Petras goditi nga larg, duke e vënë në vështirësi portierin Samir Ujkani, që këtë sezon do të luajë me Palermon e Serisë A, në Itali.

Shqipëria është aktive në minutat pasuese, dhe një kombinacion midis Salihit, në ndeshjen e parë të tij nën urdhrat e De Biazit, me sulmuesin tjetër, Çani, nuk sjell asgjë. Loja nuk pati shumë nerv në pjesën e parë, madje ritmi ishte nën mesataren, aq sa rastet nuk lënë shumë për të gjykuar, përveç një goditjeje të fuqishme të Ervin Bulkut, të devijuar nga portieri kundërshtar, ndërkohë që rastin tjetër e shpërdoroi Edgar Çani.

Autori i golit të vetëm të Shqipërisë, në humbjen 2-1 me Gjeorgjinë, goditi mbi traun horizontal, duke humbur një rast të mirë. Loja mbrojtëse e skuadrës sonë ishte në lartësinë e duhur, kjo dhe për shkak se gjigantët Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj i mbyllën mirë zonat, por dhe Armend Dallku dhe Andi Lila, dyluftuan fort. Një pjesë e parë e mbyllyr pa gola, me vetëm dy raste të shpërdoruara nga Edgar Çani, në prezantimin e tij të parë në Shqipëri.
PJESA E DYTË

Trajneri De Biazi e shfrytëzon në maksimum, faktin që luhet një ndeshje miqësore. Tre zëvendësime me fillimin e pjesës së dytë, duke filluar me portierin Ujkani, që zëvendësohet nga Etrit Berisha i Kalmarit (Suedi); sulmuesin Çani, i cili i lë vendin golashënuesit më të mirë të Kombëtares, Erjon Bogdani (luan me Sienën në Itali) dhe fantazisti Memushaj, i lë vendin Odise Roshit, i sapo transferuar te FSV Frankfurti në Gjermani.

Rasti i parë u përket moldavëve, me Pikusciak që godet nga distanca, por Berisha pret qetësisht. Etrit është i treti lojtarë me këtë mbiemër që luan me Kombëtaren, pas mbrojtësit Safet Berisha dhe sulmuesit Besart Berisha. Xhani De Biazi i lëviz sërish “gurët e shahut”, duke hedhur në fushë Jahmir Hykën, në vend të Elis Bakajt, i cili u përpoq të bënte diçka në 56 minutat e aktivizimit të tij.

Një minutë më pas, “raketa” Roshi ndërmori një inkursion të fuqishëm nga e djathta, duke futur një top për Vilën, në afërsi të 16-metërshit, por autori i golit fitues kundër Iranit, u tregua i pavëmendshëm, duke humbur një rast të mirë.

Rokada e zëvendësime vazhdon me largimin e Salihit dhe hedhjen në fushë të Hair Zeqirit, teksa sulmues i vetëm është Erjon Bogdanit. Në minutën e 69-të, Doros i Moldavisë goditi nga distanca, por Berisha është i gatshëm. Katër minuta më pas, miqtë mund të shënonin golin e tyre, por topi e gjuajtur nga Namasko kaloi ngjitur me shtyllën e djathtë pingule.

Në të 78’, Ervin Bulku, i transferuar së fundi në Iran, krosoi për Bogdanin, por portieri moldav u tregua më i shpejtë. Pjesa e mbetur e ndeshjes është e vakët, thjesht me një ndërhyrje të fortë të Mërgim Mavraj, me kapitenin e Grojther Fyrth që ndëshkohet me kartonin e verdhë. Përfundimisht 0-0, me një formacion shqiptar që tregoi shumë pak nga vlerat e tij, por me një rezultat që ishte më i drejti.





  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.