Vllaznia bëri një sezon të dështuar kampionatin e kaluar: Bashkia, që e mori në dorëzim pas dorëheqjes së Valter Fushajt, ishte pa përvojë në punët e futbollit; skuadra pati në bankinë katër trajnerë të ndryshëm (Mirel Josa, Elvis Plori, Rudi Vata, Armir Grima); ndërkohë që duhet pranuar dhe grupi i lojtarëve nuk kishte kualitetet e njohura të stofit shkodran.
Kriza e thellë, zhgënjimi i madh, stadiumi thuajse i zbrazët.
Sot, mund të flitet me terma të tjerë: trajner ambicioz, lojtarë më përvojë dhe një buxhet për t’u pasur zili.
Entuziazmi ka përfshirë djepin e futbollit shqiptar, kur nga fillimi i sezonit kanë mbetur më pak se 10 ditë.
TRAJNERI DURO- Me afrimin e trajnerit Shpëtim Duro (kampion me Skënderbeun, në sezonin 2011-2012), drejtuesit e shoqërisë “K.F. Vllaznia sh.a”, që administron edhe klubin, dhanë sinjalin e parë të madh, se dëshironin të përgatisnin një skuadër të denjë për të fituar titullin e 10-të, e që u mungon shkodranëve nga sezoni 2000-2001 (me trajner malazezin Dervish Haxhiosmanoviç).
NJË SKUADËR E TËRË- Me një buxhet të miratuar, në shumën e 85 milionë lekëve, dhe një listë emrash të studiuar mirë, Vllaznia rekrutoi jo pak: 11 lojtarë deri tani, teksa në provë kanë qenë shumë të tillë. Lista u kompletua me lojtarë të tillë si: Elvin Beqiri (nga Khazar Lankaran, në Azerbajxhan), Tefik Osmani (nga Teuta), Halim Begaj (nga Flamurtari) dhe Klodian Semina (nga Lokarno, në Zvicër). Një mbrojtje që do ta kishte zili çdo ekip. Mesfusha ka të tjerë emra: rumuni Deni Dragoi, kosovari Ilir Nallbani, malazezi Ivan Deliç dhe shkodranët e rikthyer, Alsidi Tafili dhe Ndriçim Shtubina. Sulmi: Vilfor Hysa dhe Kastriot Rexha.
MUNGESA E SULMUESVE- Ajo që i mungon Vllaznisë së sotme, janë sulmuesit e pastër shkodranë, e që “Loro Boriçi” i ka pasur më shumicë dhe vazhdimësi. Xhevair Sukaj luan në Iran, Hamdi Salihi në Shtetet e Bashkuara, Armando Vajushi në Bullgari, dhë së fundi Bekim Balaj në Çeki. Salihi, Sukaj dhe Balaj kanë shënuar golat e tyre të parë me DC Junaitid, Sepehanin dhe Spartën e Pragës, dhe është çështje orësh, që dhe Vajushi të regjistrojë emrin e tij në statistikat e kampionatit bullgar. Talenti i fundit shkodran, që përmend media, është 19-vjeçari Sindrit Guri, por ai është në kërkim të hapësirave në kampionatin elitar shqiptar.
LAMTUMIRA E SINANIT- Trajneri Shpëtim Duro do të debutojë në bankinën e Vllaznisë, kundër Skënderbeut, skuadrës që edhe e nxori kamione dy sezone më parë. Ndeshja hapëse e sezonit 2012-2013 përkon edhe me lamtumirën zyrtare të një prej ikonave të futbollit shqiptar dhe të Vllaznisë, sulmuesit Vioresin Sinanit, golashënuesit më të mirë në të gjithë historinë e Superligës (208 gola) dhe tri herë fitues i “Këpucës së Artë”, dy herë me Vllazninë dhe një herë me Tiranën. Sinani do të jetë edhe ndihmësi i Duros, ashtu siç ishte sezonin e kaluar ndihmësi i Rudi Vatës.




