HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Hamdi Salihi, marinsi i Kombetares qe vjen nga SHBA

Sulmuesi ka bërë se 7500 km për të veshur fanellën e Kombëtares: “Me De Biazin, zemrën dhe taktikën në lojë”

  • 0 komente
Hamdi Salihi, marinsi i Kombetares qe  vjen nga SHBA



Hamdi Salihi luan qysh nga muaji shkurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me skuadrën e qytetit të Uashingtonit, DC Junaitid, kryeqyteti amerikan. Sulmuesi nuk ka qenë i grumbulluar nga trajneri Xhani De Biazi, për tri ndeshjet miqësore kundër Gjeorgjisë, Katarit dhe Iranit, dhe kjo është hera e parë e tij nën urdhrat e italianit. “Trajneri ka stilin e tij, - tha Salihi për gazetën “Telegraf”, - është italian dhe është i përqendruar te taktika, dhe jo shumë te zemra në fushë, siç e kemi pasur më parë ne. Gjithsesi, them se zemra nuk mjafton për ta kaluar me sukses ndeshjen, nëse nuk e shoqëron atë me taktikën”. Shkodranit i është dashur të fluturojë jo pak, por 7770 kilometra, për të mbërritur në rezidencën e Kombëtares shqiptare. “Unë vij gjithmonë me kënaqësi. Jam krenar që jam pjesë e grupit dhe e Kombëtares. I falënderoj të gjithë për besimin që kanë treguar ndaj meje, pasi më kanë thirrur gjithmonë, pavarësisht se ku kam luajtur, apo si ka qenë ecuria ime’. 28-vjeçari Salihi është autor i 9 golave në 37 ndeshje me Kombëtaren.


Hamdi Salihi, riktheni pas një mungesë në ekipin Kombëtar, për shkak edhe të angazhimit me skuadrën tuaj amerikane, DC Junaitid. Si po e përjetoni?

Të luash për ekipin Kombëtar, të takosh djemtë e tjerë, të jesh pranë tifozëve është gjithmonë e njëjta kënaqësi e mrekullueshme. Unë vij gjithmonë me kënaqësi. Jam krenar që jam pjesë e grupit dhe e Kombëtares. I falënderoj të gjithë për besimin që kanë treguar ndaj meje, pasi më kanë thirrur gjithmonë, pavarësisht se ku kam luajtur, apo si ka qenë ecuria ime. Përsa i përket skuadrës, ajo nuk duhet ndarë në individë, që ky lojtar është për të shënuar dhe një tjetër për të mos lejuar pësimin e golave. Ekipin duhet ta shohim sesi ai funksionon në fazën sulmuese dhe mbrojtëse. Nëse i kryejmë të gjitha detyrat mirë si ekip, të gjithë bashkë, atëherë besoj se do të arrijmë të kemi më shumë sukses. 

Ju do të jeni për herë të parë nën urdhrat e trajnerit Xhani De Biazi. Cila është përshtypja juaj për të deri tani?


Sigurisht, që kur vjen një trajner i ri, të gjithë presin se çfarë ndryshimi dhe të reja do të sjellë ai. Trajneri ka stilin e tij, është italian dhe është i përqendruar te taktika, dhe jo shumë te zemra në fushë, siç e kemi pasur më parë ne. Gjithsesi, them se zemra nuk mjafton për ta kaluar me sukses ndeshjen, nëse nuk e shoqëron atë me taktikën. 



Në ekip kanë ardhur disa lojtarë të rinj. Cili është vlerësimi juaj?


Mendoj se, do t’i japin më shumë freski skuadrës, por duke parë lojtarët që kanë luajtur në të kaluarën, gjykoj se atyre u mungon ai kualitet dhe përvojë që kishin ata. Gjithsesi, mendoj se kanë sjellë më shumë energji lojtarët e rinj, dhe duhet të shfrytëzojmë pikërisht këtë faktor të tyre. 

A ndjeni më shumë tani konkurrencën në sulm?

Ekipi Kombëtar ka pasur gjithmonë konkurrencë, si në çdo repart. Nuk jam mësuar të jem komod. Gjatë këtyre viteve që, unë kam qenë pjesë e ekipit Kombëtar, ka pasur sulmues të shkëlqyer. Gjithsecili është munduar për të lënë emrin e tij në Kombëtare. Kështu do të jetë dhe në të ardhmen. Reparti i sulmit ka pasur konkurrencë, pasi përzgjidhen lojtarët më të mirë shqiptarë.

A mendoni se e gjetët “tokën e premtuar” në Shtetet e Bashkuara?


Nuk u transferova në Shtetet e Bashkuara për të gjetur “tokën e premtuar”, por për të luajtur futboll dhe për të shfrytëzuar një ofertë, që me erdhi në atë periudhë jo të mirë që po kaloja. Deri tani, ashtu siç kanë shkuar gjërat, është ashtu siç e kisha menduar. Po ecin shumë mirë, pavarësisht largësisë, distancës me familjen.


Ndryshe nga Austria, në Shtetet e Bashkuara ju duhet të udhëtoni në distanca të gjata, për të luajtur në Kanada, apo qytete të largëta të Amerikës. Sa ndikojnë ato në performancën tuaj?

Të gjithë lojtarët kanë vështirësitë e tyre në transferta. Ne bisedojmë vazhdimisht me djemtë e tjerë të ekipit kombëtar, dhe ka nga ata që luajnë në Ukrainë, Iran, apo diku tjetër, që bëjnë udhëtime të gjata. Asnjeri nuk e ka fushë me lule atje ku luan. 






Jahmir Hyka: “Jemi gjithmonë gati!”
Mesfushori i Kombëtares, Jahmir Hyka, u shpreh për gazetën “Telegraf” se, të gjithë lojtarët janë të motivuar për të bërë një perfomancë të mirë, në ndeshjen kundër Moldavisë. “Pavarësisht se është një takim miqësore, për të gjithë ne është një ndeshjes e rëndësishme. Është para ndeshjes kualifikuese me Qipron, dhe normal që jemi përgatitur shumë seriozisht”, - tha Hyka, i cili në ndeshjen miqësore kundër Lihtenshtejnit (20 gusht 2008), ka shënuar edhe golin më të shpejtë historik të Kombëtares, pikërisht në sekondën e 46-të. “Moldavinë e njohim disi. E di se, kemi fituar dy ndeshjet që kemi luajtur me ta, por ato nuk vlejnë shumë, të paktën për mua, pasi janë luajtur para 17 viteve, kur unë kam qenë i vogël”.


87 miqësore
ka zhvilluar deri tani Shqipëria, duke regjistruar 33 fitore, 23 barazime dhe 31 humbje.

2 ndeshje
luajtur Kombëtarja jonë kundër Moldavisë, duke i fituar të dyja: 3-0 dhe 3-2, në vitin 1995

3 takime
ka zhvilluar trajneri De Biazi me Shqipërinë, kundër Gjeorgjisë, Katarit dhe Iranit.




  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.