HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

De Biazi do fitore në premierën shqiptare

Miqësorja me Moldavine është testi i fundit para nisjes së eliminatoreve të Kampionatit Botëror

  • 0 komente
De Biazi do fitore në premierën shqiptare





Për të ditur më shumë

Pas tri ndeshjeve në transfertë, ato me Gjeorgjinë në Tbilisi, Katarin në Madrid dhe Iranin në Stamboll, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të bëjë prezantimin e parë në Tiranë, pikërisht me takimin kundër Moldavisë, të programuar për ditën e mërkurë, me 15 gusht. 

Në tri sfidat e para, bilanci i italianit është i suksesshëm: 2 fitore dhe 1 humbje. Shqipëria humbi 2-1 në Tbilisi (në një takim ku portieri Samir Ujkani priti dy penallti), si dhe fitoi 2-1 me Katarin në Madrid (me Bogdanin që u ngjit në kuotën e 16 golave) dhe 1-0 me Iranin në Stamboll (gol i Emiljano Vilës).


Trajneri Xhani De Biazi pranoi se ndeshje me Gjeorgjinë ishte kontakti i parë i tij me Kombëtaren shqiptare, ndërkohë që mënyra sesi ai përgatiti skuadrën në dy sfidat pasuese, të fituara, la një shije të mirë te specialistët shqiptarë të futbollit. De Biazi për herë të parë provoi disa lojtarë të rinj, përfshirë portierin Etrit Berisha dhe mbrojtësin Mërgim Mavraj, ashtu siç thirri për herë të parë Edgar Çani, ky i fundit debutoi me gol në miqësoren kundër Gjeorgjisë. 

Për herë të parë nën urdhrat e De Biazit do të jetë dhe sulmuesi Hamdi Salihi, pasi shkodrani që luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me DC Junatid) nuk ka mundur të vijë në tri ndeshjet e mëparshme të kuqezinjve. Lojtarët do të grumbullohen ditën e hënë në një nga hotelet e kryeqytetit, ndërkohë që vetë De Biazi ka planifikuar një konferencë për shtyp, po atë ditë (10:30), në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. 

Pak ditë më parë, Shqipëria ngjiti një vend në ranglistën e FIFA-s, për muajin gusht 2012, duke u pozicionuar tani në vendin e 74-të nga 208 kombe që aderojnë në qeverinë botërore të futbollit, teksa në qershor renditeshim në vendin e 75-të. (Në maj ishim të në vendine 79-të). Moldavia, kundërshtarja e Shqipërisë, në miqësoren e 15 gushtit (në “Qemal Stafa”), është 58 vende pas nesh, e 137-ta (213 pikë) duke ngjitur një vend, por kjo nuk dot të thotë aspak se takimi do të jetë i lehtë për vendin tonë. ( Qipro, kundërshtari i parë në eliminatoret e Botërorit 2010, klasifikohet në vendin e 123-të, me 266 pikë).


BILANCI
Shqipëria është ndeshur dy herë me Moldavinë, që të dyja takimet kanë qenë zyrtare, të vlefshme për Euro 1996, dhe janë fituar nga Kombëtarja jonë: 3-0 në Tiranë (29 mars 1995), me dy golat e realizuar nga Sokol Kushta (31’ e 80’) dhe golin e mbrojtësit Salvador Kaçaj (41’). Në Kishinau (7 qershor 1995), është Rudi Vata (71’) ai që firmosi golin e 3-2 për Shqipërinë, kur më parë kishin shënuar Sokol Kushta dhe Arjan Bellaj. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë në një ndeshje në transfertë. Trajner i Kombëtares sonë ishte Neptun Bajko.



TRI MIQËSORET E DE BIAZIT

29.02.2012, Tbilisi
Gjeorgji-Shqipëri 2-1

22.05.2012, Madrid
Shqipëri-Katar 2-1

27.05.2012, Stamboll
Shqipëri-Iran 1-0


87 miqësoret e Shqipërisë


Nga ndeshja e parë miqësore kundër Malit të Zi, më 22 shtator 1946, të fituar 5-0 dhe deri të takimi i fundit miqësor ndërkombëtar kundër Iranit, më 27 maj 2012, Shqipëria mbush 87 miqësore, duke regjistruar 33 fitore, 23 barazime dhe 31 humbje. Në takimin e parë (në Shkodër), fitorja e Shqipërisë (5-0) u realizua jo vetëm falë golave të Jukës (2), Telitit (2) dhe Bizhuta (1), por dhe drejtimit në bankinë të trajnerit serb, Ljubisha Broçiç, trajneri i parë i huaj që ka drejtuar Kombëtaren tonë dhe ka fituar Kampionatin Ballkanik, në vitin 1946. Fitoret më të thella janë ato Shqipëri-Qipro 6-1 (më 12 gusht 2009, trajner kroati Josip Kuzhe) dhe Shqipëri-Vietnam 5-0 (12 shkurt 2003, trajner gjermani Hans-Peter Brigel, takim i luajtur në Norçia të Italisë). Humbja e parë është ajo me Poloninë, në Varshavë, më 6 nëntor 1949, me rezultatin 2-1, ku për Shqipërinë golin e vetëm e shënoi Zihni Gjinali. Humbjet më të thella në ndeshjet miqësore janë ato Hungari-Shqipëri 12-0 24 shtator të vitit 1950, Budapest dhe Rumani-Shqipëri 6-0. Në fakt, si një humbje e turpshme mund të konsiderohet edhe ajo 2-0 me Andorrën (17 prill 2002). Në ndeshjet miqësore është shënuar edhe goli më i shpejtë historik: Jahmir Hyka realizoi në sekondën e 46-të në fitoren 2-0 kundër Lihtenshtejnit (20 gusht 2008).




  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.