Sebino Plaku shkroi emri e tij në historinë ndërkombëtare të Skënderbeut, kur sulmuesi i kampionëve të Shqipërisë shënoi në minutën e 65-te, golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj hungarezëve të Debrecenit, në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve.
Skënderbeu regjistroi suksesin e tij të parë historik në kompeticionet europiane, pasi edicionin e kaluar i humbi të dyja ndeshjet kundër qipriotëve të APOEL Nikosisë, duke pësuar gjashtë gola pa shënuar asnjë.
Një sukses i merituar i Skënderbeut, që në mungesë të kapitenit zyrtar, Bledi Shkëmbi, bëri një lojë kompakte, nga portieri-kapiten Orges Shehi, debutuesi Erjon Vuçaj, mesfushori i Kombëtares, Gjergji Muzaka dhe deri te finalizuesi, Sebino Plaku.
Ky i fundit shpërdoroi një rast të mirë në minutat e para, ndërkohë që goditi traversën.
Trajneri çek i Skenderbeut, Stanislav Levi u shpreh mjaft i lumtur pas fitores ndaj Debrecenit: “E merituam plotësisht fitoren. Patëm shumë raste për shënim. Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë”.
Trajneri i Debrecenit, Kondas, ishte i pakënaqur me lojën e lojtarëve të tij, duke hedhur akuza për sulmin e pafuqishëm. “Do të jetë ndryshe në ndeshjen e kthimit”, - tha ai.
Takimi i kthimit do të luhet pas një jave në Hungari, më 24 korrik.




