Tirana fitoi 2-0 me Grevenmakerin, në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Europës, falë dy golave të realizuar në harkun e shtatë minutave të fundit të pjesës së parë, me anë të Elton Muçollarit dhe Nertil Ferrajt.
Një fitore e qartë, por me një Tiranë që u shfaq shumë e fortë dhe e lëvizshme në pjesën e parë, dhe e lodhur dhe pa forcë konkretizuese në të dytën. Gjithsesi, me avantazhin e dy golave, fituesit e Kupës së Shqipërisë udhëtojnë më te qetë drejt Luksemburgut, ku do të luhen 90 minutat e dyta. Për Tiranën debutuan tri blerjet e reja: Pashaj, Muçollari dhe Çota.
Tirana ushtroi presion nga minuta e parë, duke synuar qartazi portën e Greve nmakerit të mbrojtur nga Arnod Shab. Me miqtë të rreshtuar me një vijë të trashë në mbrojtje, trajneri i bardhebluve, Hulian Rubio, orientoi lojtarët e tij të përdorin sistemin “tiki-taka” të Spanjës: lëvizshmëri në të gjithë hapësirë e mesfushës, me veteranin Klodian Duro dhe fantazistin Gilman Lika, dhe vertikalizime për sulmuesin Bekim Bala. Momenti i parë i favorshëm mbërriti në minutën e 7-të, kur Nertil Ferraj nuk arriti të godasë portën e Grevenmakerit.
Gilman Lika i ofroi një mundësi të dytë Afrim Takut, por edhe shënjestra e tij është e gabuar. Bekim Bala, golashënuesi më i mirë i Tiranës në sezonin 2011-2012, dhe lojtari që i dha trofeun e 15-të të Kupës së Shqipërisë, gjuan tokazi, por Shab e largoi rrezikun me një ndërhyrje me këmbë. Grevenmakeri luan me një reshtim të dyfsihtë në mbrojtje, aq sa aksioni i tyre i parë në drejtim të portës së Ilion Likës, kapiten në këtë takim, u regjistrua në minutën e 20-të, por pa shqetësim për portën e 24 herë kampionëve të Shqipërisë.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Gilman Lika, tregoi klasin e tij, kur goditi fuqishëm, ndërsa portieri mik grushtoi me vështirësi.
Pas një volumi loje të madh dhe një dominimi të qartë, Tirana gjeti golin në minutën e 40-të, ku protagonisti ishte blerja e re verore, Elton Muçollari.
Një gjuajtje rrënqethëse tokazi dhe 1-0 për Tiranën. Entuziazmi në “Qemal Stafa” është i madh, dhe pas një kombinacioni Ahmataj-Ferraj, ky i fundit shënoi golin e dytë për skuadrën e tij, pikërishët në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. 2-0.
Me avantazhin e qartë të dy golave, dhe me një Grevenmaker tepër pasiv, trajneri Rubio nuk bëri asnjë ndryshim ne filllimin e pjeses se dyte.
Tirana vazhdon të rrisë përqindjen e kontrollit të topit dhe të jetë tërësisht në gjysmëfushën e kundërshtarit modest. Me idenë për ta mbyllur kualifikimin qysh në “Qemal Stafa”, me një goleadë, lojtarët bardheblu shpesh u shfaqën të paqartë në zonën e rreptësisë kundërshtare.
Rubio mendon për zëvëndësimet: Ferraj i lë vendin Gerhard Tushes, ndërsa Duro blerjes së re, Mirel Çotës, ndërkohë që një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, Bala u zëvendësua nga Mario Morina.
Gjithsesi, edhe pse pati 3-4 raste, Tirana nuk arriti të konkludojë, ndërkohë që Grevenmakeri u zgjua në minutat e fundit, por pa rrezikuar seriozisht portën e Ilion Likës. Një 2-0, që e sheh Tiranën më të avantazhuar në ndeshjen e kthimit në javë më pas.




