HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Muça: Ndaj Honvedit, shanset 50% me 50%

Flamurtari do të përballet sot me hungarezët në Ligën e Europës

  • 0 komente
Muça: Ndaj Honvedit, shanset 50% me 50%




Flamurtari do të përballet sot me Honvedin e Budapestit (20:30), në turin e parë eliminator të Ligës së Europës, një takim ku do të jetë i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Takimi i kthimit do të luhet një javë më pas në Hungari, 12 korrik

HERA E DHJETË - Kjo është hera e dhjetë që vlonjatët marrin pjesë në një kompeticion europian, qysh kur ata debutuan në sezonin 1985-1986, në atë eliminim nga Helsinki i Finlandës. Sezonin e kaluar, Flamurtari eliminoi në turin e parë malazezët e Buduçnostit: fitoi 3-1 në Podgoricë, humbi 2-1 në Vlorë. Në ndeshjen e parë të turit të dytë, humbi 2-0 me Jablonecin në Vlorë. Skuadra vlonjate humbi 5-1 me Jablonecin në Çeki, në ndeshjen e kthimit të turin të dytë eliminator të Ligës së Europës. 

 

SHANSET 50%-50%- Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, mbeti i kënaqur nga faza përgatitore në Maqedoni dhe paraqitja e skuadrës në katër ndeshjet miqësore të zhvilluar në Ohër, ku fitoi tre prej tyre. Me një sulm për t’u pasur zili në kampionatin shqiptar, pogradecarin Migen Memelli dhe kroatin Pero Pejiç, Muça shpreson se skuadra do të jetë në gjendje të përballojë një kundërshtar të fortë si Honvedi. “Kemi bërë përgatitje serioze. E njohim shumë pak kundërshtarin, por me informacionin e grumbulluar them se, shanset e kualifikimit janë 50% me 50%”, - tha Muça për mediat. 
KUNDËRSHTARI- Honvedi i Budapestit është një skuadër shumë e njohur në arenën ndërkombëtare, teksa numëron 9 pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, 11 në Ligën e Europës (Kupën UEFA), 4 në Kupën e Fituesve të Kupave dhe 3 në Kupën Intertoto. Honvedi është një nga skuadrat më të famshme në Hungari, madje ka qenë ekipi i legjendës Ferenc Pushkash, i cili bëri histori me Realin e Madridit, teksa klubi e ka tërhequr bluzën e tij me numër 10. Honvedi e ka fituar kampionatin hungarez 13 herë, ndërsa Kupën e Hungarisë, 7 herë. Gjithsesi, nuk e fiton një kampionat nga sezoni 1993. Flamurtari në Ligën e Europës ka këtë bilanc: 16 ndeshje, 6 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje. 

 

REKORDI
Në edicionin 1987-1988 regjistrohet edhe kulmi i futbollit shqiptar në Europë. Flamurtari eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxheviçit dhe gol i Roland Iljadhit) dhe humbi 2-1 në Beograd (eurogol i Sokol Kushtës). Në turin e dytë eliminoi gjermanolindorët e Vismute Aue: humbi 1-0 në Gjermani dhe fitoi 2-0 dhe Vlorë (Taho, Ruci). Në turin e tretë, u eliminua nga Barcelona: humbi 4-1 në “Kamp Nou” (gol i Vasil Rucit), fitoi 1-0 në Vlorë (gol i Kushtës).


Kompanitë e basteve “eliminojnë” ekipet shqiptare

Kompanitë e basteve nuk janë treguar shumë zemërgjera me ekipet shqiptare, duke i minimizuar në maksimum fitoret e tyre, apo dhe kualifikimin e mundshëm, me përjashtim të Tiranës, që është më avantazhuar se kundërshtari i saj nga Luksemburgu, Grevnemaker. Kompanitë e njohura të basteve kanë vendosur këto koeficientë për të tri ndeshjet e ekipeve shqiptare. Teuta-Metalurgi Rustavi kuotohet “negativisht” për durrsakët: fitorja e Teutës është 3.46, barazimi 3.34, ndërsa fitorja e gjeorgjianëve, 1.91. Kjo nisur edhe nga fakti se, në renditjen e klubeve për UEFA, Metalurgi Rustavi pozicionohet më mirë. Edhe çifti Flamurtari-Honved i Budapestit sheh me të avantazhuar. Fitorja e Flamurtarit kuotohet në 3.63, ndërsa ajo e Metalurgut, në 1.86. Barazimi vlerësohet në 3.33. Bastet janë treguar dashamirëse me Tiranën: 1.15 vlerësohet fitorja e bardhebluve ndaj Grevenmakerit, ndërkohë që ajo e luksemburgasve shkon në 11.00. Barazimi shkon në 7.00. 

 

KOMPANITË E BASTEVE

Teuta-Metalurgi Rustavi

1 = 3.46; X = 3.34; 2 = 1.91 

 

Tirana-Grevenmaker

1 = 1.15; X = 7.00; 2 = 11.00 

 

Flamurtari-Honved

1 = 3.63; X = 3.33; 2 = 1.86 




  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.