Tirana, skuadra shqiptare me më shumë pjesëmarrje (22) dhe ndeshje në Europë (68), do të luajë sot kundër modestëve nga Luksemburgu, Grevenmaker, me synimin e vetëm të fitojë dhe të siguruojë kualifikimin për herë të dhjetë të një turi qysh në ndeshjen e parë, në “Qemal Stafa” (19:00).
Grevemaker është një skuadër “shumëkombëshe’, kjo për faktin se në formacionin e drejtuar nga Mark Tome bëjnë pjesë lojtarë gjermanë, portugeze, boshnjakë, e deri të algjerianët. Sezonin e kaluar, Tirana, po nën drejtimin e spanjollit Hulian Rubio (kishte vetëm dy javë që kishte marrë në dorëzim ekipin) u eliminua në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, nga ana e sllovakëve të Spartak Tërnavës: barazoi 0-0 në “Qemal Stafa” dhe humbi 3-1 në Sllovaki, pavarësisht se rekordmenët shqiptarë shënuan të parët.
PËRGATITJET
Tirana ishte i vetmi ekip nga katër skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në Europë këtë sezon, që nuk u përgatit jashtë shtetit. Skënderbeu vazhdon të jetë në Austri, ndërsa Teuta dhe Flamurtari i zhvilluan përgatitoret e tyre (të shoqëruara edhe me ndeshje miqësore) në Bullgari dhe Maqedoni. Ende nuk dihet sa mund të ndikojë kjo në ecurinë e Tiranës, por fakti që në turin e parë do të ketë përballë luksemburgasit, nuk e rrezaton shumë problemin. Kur ajo të ndeshet në turin e dytë me norvegjezët e Alesundës, gjithmonë nëse do të kalojë Grevenmakerin, atëherë mund të nxjerrim një konkluzion.
MUNGESAT
Trajneri Hulian Rubio, i cili ka nënshkruar së fundi nëj kontratë të përkohshme 40-ditore do të vuajë mungesën e katër lojtarëve titullarë: kapitenit Elvis Sina (probleme muskulore), mbrojtësin Erion Dushku (po të dëmtuar, në krah), fantazistin Erando Karabeci (të skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë sezonin e kaluar me Spartak Tërnavën) dhe në dyshim është dhe portieri Ilion Lika (rëndim të gjendjes shëndetësore). Gjithsesi, duke parë dhe kundërshtarin, Tirana e nis si favorite takimin, dhe këtë mendim ndajnë edhe kompanitë e basteve: 1.15 vlerësohet fitorja e Tiranës, 11.00 ajo e Gravenmakerit. Në dispozicion të Rubios me urgjencë është futur në listën dërguar UEFA-s, mbrojtësi veteran Rezart Dabulla.
OBJEKTIVI
Trajneri Hulian Rubio la gjurmën e tij historike, me fitimin e dy trofeve në kampionatin shqiptar, Superkupën 2011 (gushtin e kaluar) dhe Kupën e Shqipërisë 2012 (në muajin maj), që të dyja të fituara ndaj kampionëve të Shqipërisë. Tani, ish-lojtari i Barcelonës dhe ish-trajneri i Valencias, synon të çojë për herë të parë në turin e tretë Tiranën, një objektiv i arritur vetëm nga Flamurtari në sezonin 1986-1987, po në Ligën e Europës (dikur Kupa UEFA), dhe të eliminuar në turin e tretë nga spanjollët e Barcelonës. Hulian Rubio, për mediat në prag të ndeshjes së parë në Kupat e Europës. “Do bëjmë maksimumin për t’ia dalë mbanë dhe kaluar turin, por nuk dua që të mendohet se është e lehtë. Skuadra nga Luksemburgu ka bërë një kampionat të mirë, ka në përbërje lojtarë të huaj dhe futbolli në këtë vend është rritur shumë. Është për të ardhur keq që në ditët e sotme luan në një nivel kaq të lartë dhe nuk ke njohuri për kundërshtarin. Ndërkohë që jam i sigurt se kundërshtari e ka të gjithë informacionin e duhur për ne”, - tha fillimisht për mediat Rubio.
FORMACIONI
“Nuk jam mësuar ta them formacionin, por kësaj radhe edhe ju e keni të lehtë ta imagjinoni 11-shen titullare. Për shembull, në mbrojtje kam vetëm 4 lojtarë, dhe kjo është një e dhënë që më pas zbulon të gjithë formacionin. Shpresojmë të mos kemi probleme të tjera dhe që të rikuperojmë portierin Ilion lika, pasi ka pasur probleme. Shpresojmë të marrim një rezultat të mirë në Tiranë, por në të njëjtën kohë të njoh edhe kundërshtarin, pasi nuk kemi asnjë informacion për të, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për ndeshjen e kthimit”, - përfundoi Rubio. Tirana zhvilloi dje një seancë stërvitore, dhe vazhdon të jetë e grumbulluar në një nga hotelet e zonës së Saukut. Ndeshja me Grevenmaker është programuar të luhet në “Qemal Stafa” në orën 19:00.
LIGA E EUROPËS
Turi i parë eliminator
Sot
Tirana-Grevenmaker (Luksemburg) 19:00
Gjyqtar: Sevostianik (Bjellorusi)
Teuta-Metalurg. R (Gjeorgji) 20:30
Gjyqtar: Saton (Irlandë)
Flamurtari-Honved B. (Hungari) 20:30
Gjyqtar: Brindels (Luksemburg)
STATISTIKAT E PLOTA TE EKIPEVE SHQIPTARE NE EUROPE
Skuadra N F B H GSH Gp
1 Tirana 68 14 10 44 51 121
2 Vllaznia 40 11 5 24 37 75
3 Partizani 44 8 8 28 30 76
4 Dinamo 40 8 6 26 27 73
5 Teuta 22 5 3 14 21 51
6 Flamurtari 24 5 4 15 22 44
7 Besa 14 0 7 7 8 34
8 Elbasani 6 1 2 3 2 10
9 Albpetroli 2 0 1 1 1 3
10 Bylis 4 0 1 3 4 9
11 Laçi 2 0 1 1 2 9
12 Tomori 2 0 0 2 2 5
13 Apolonia 4 0 0 4 1 17
14 Skënderbeu 2 0 0 2 0 6
Totali 274 52 48 174 215 532




