Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të ndjekë të enjten ndeshjen e Ligës së Europës, Flamurtari-Honved i Budapestit, të vlefshme për turin e parë eliminator.
Te Flamurtari luan mbrojtësi i Kombëtares, Franc Veliu, por dhe portieri Koliqi, ky i fundit është thirrur së fundi për miqësoren Shqipëri-Katar.
Po për Ligën e Europës, Tirana do të presë në “Qemal Stafa” luksemburgasit e Gravenmakerit, ndërsa Teuta do të sfidojë në “Niko Dovana”, gjeorgjianët e Metalurgi Rustavit.
DE BIAZI-PRANDELI
Xhani De Biazi, trajneri i Shqipërisë, mori në mbrojtje homologun e tij italian Çezare Prandeli, pas dështimit të Italisë në finale me Spanjën, në atë humbje 4-0, më e thella e regjistruar në 14 finalet e Europianëve.
“Është absurde të kritikosh Çezare Prandelin, i cili ishte një protagonist i vërtetë në atë aventurë të bukur të Italisë në Europian. Është e nevojshme të njohësh meritat edhe të kundërshtarëve, përpara se të nënvizosh defektet e Italisë. Spanja është tashmë një skuadër shumë e fortë me një lojë të konsoliduar, që është rritur në raport me ndeshjet e para dhe zbriti në fushë në gjendje shumë të mirë fizike dhe pati avantazhin të bazohet mbi dy blloqe të mëdha lojtarësh, atyre të Realit të Madridit dhe Barcelonës.
“Nuk është e lehtë të luash kundër atyre, e që kanë praktikisht mesfushën e Barcelonës. Dëgjoj të flasin për zëvendësime të gabuara, por është e lehtë të flasësh pas rezultateve të atij lloj. Për Prandelin duhet të shkojnë vetëm komplimente, pasi kjo Itali është frymëzuar pikërisht nga loja e Spanjës dhe mundi në mënyrë të pastër një skuadër të nivelit të lartë si Gjermania. ‘Axurrët’ sigurisht paguan 120 minutat me Anglinë, ku shpenzuan shumë energji”.




