Janë disa lojtarë, të cilët më gjenialitetin e tyre kanë vendosur jo vetëm fatet e skuadrave, por kanë kontribuar maksimalisht në fitimin e titullit kampion të Europës. Gazeta “Telegraf” sjell portretet e atyre futbollistëve të spikatur.
EURO 1960
Lev Jashin, një portier legjendash
Edicioni i parë i Kampionatit Europian (Shqipëria nuk mori pjesë në eliminatore) u zhvillua në Francë dhe u fitua nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe porieri i tij emblematik, Lev Jashin. I mbiquajtur “merimanga e zezë” arriti t’i neutralizoi kundërshtarët një nga një. Vetëm hungarezi Janosh Gërësh dhe jugosllavi Milan Galiç, mundën të “mashtronin” vigjilencën e tij në kampionat. Në finale, portieri sovjetik bëri pritje të mrekullueshme dhe arriti të përballojë jugosllavin në formë, Borivoje Kostiç. Jugosllavia ajo që shënoi golin e parë me anë të Milan Galiç në minutën e 43-të, përpara se Slava Metreveli barazoi në minutën e 49-të. Koha e rregullt prej 90 minutash përfundoi 1-1. Golin fitues e shënoi Viktor Ponedelnik, pikërisht në minutën e 113-të, por heroi i vërtetë ishte portieri i famshëm Lev Jashin, ky i fundit u mohoi jugosllavëve disa gola thuajse të sigurt. Bashkimi Sovjetik hyri në histori si kampioni i parë i Europës. Ai mbetet i vetmi portier në histori deri tani që ka fituar “Topin e Artë”.
EURO 1968
Dino Xof, dublanti kampion i Italisë
Dino Xof u thirr në Euro 1968, për të qenë një dublant i Enriko Albertozit, portierit të Fiorentinës. Pikërisht në këtë edicion, të zhvilluar në Itali, ndodhi edhe zbulimi i një prej portierëve më të mirë në botë. Dino Xof e bëri paraqitjen e tij në kuadratin e “Squadra Azzura”, gjatë çerekfinaleve kundër Bullgarisë. Përballë ish-Bashkimit Sovjetik në gjysmëfinale, në stadiumin “San Paolo” të Napolit, klub për të cilin ai luante, portieri italian arriti të sfidonte sulmet e kundërshtarit gjatë kohës së rregullut dhe shtesave. Ashtu si kundër e kërkonin rregullat e asaj kohe, kapitenët u tërhoqën në dhomat e zhveshjes në fund të ndeshjes, për të hedhur monedhën: “kokë apo pilë’. Italia, me fat, fitoi biletën për në finale. Kundër Jugosllavisë në finalen e parë, ndeshja u mbyll në barazim 1-1, por në ndeshjen e dytë finale, Dino Xof nuk e lejoi prekjen e portës dhe fitoi titullin kampion. Xof pësoi vetëm një gol në 4 ndeshje.
EURO 1972
Gerd Myler, “golashënuesi serial”
Autori i 11 golave në edicionin 1972, Gerd Myler ndan me danezin Ole Madsen, rekordin e numrit të golave në finalet e një Europiani. Gjatë fazës kualifikuese, Gjermania Perëndimore dominoi lehtësisht kundër Turqisë, Shqipërisë dhe Polonisë, me Gerd Mylerin që shënoi 6 gola. Në çerekfinale, Gjermania luajti në Uembli, duke e poshtëruar Anglinë. Gerd Myler shënoi golin e tretë gjerman në minutën e 88-të. Përballë Belgjikës, “bombardieri gjerman” vazhdoi spektaklin e tij duke shënuar dy gola, për ta përsëritur shfaqjen kundër ish-Bashkimit Sovjetik, pikërisht në finalen e fituar 3-0. Një muaj më parë, Gerd Myleri kishte shënuar katër gola e “Mannschaft”, në fitoren 4-1 kundër Rusisë. Gerd Myler vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë shënuesi më i mirë i Gjermanisë. Në vitin 1972, Gjermania dominoi plotësisht Europën e futbollit. “Topi i Artë” atë vit u fitua nga Franc Bekenbauer, i ndjekur nga dy patriotë të tij, Gerd Myleri dhe Gunter Netxeri.
EURO 1980
Horst Hrubeshi, gjiganti i Gjermanisë
Kur ishte 28 vjeç, Horst Hrubesh u thirr për herë të parë në Kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore. Ai luajti si zëvendësues në ndeshjen e parë të finaleve, por ishte titullar në të dytën, për shkak të një dëmtimi të rëndë të Klaus Fisherit. Në finalen kundër Belgjikës, Horst Hrubesh i vendosi shokët e tij të ekipit në rrugën e duhur, duke shënuar në minutën e 10-të. Belgët barazuan në minutën e 72-të, me anë të një penalltie të realizuar nga Rene Vanderejken. Por, “Djajtë e Kuq’, nuk mund të bënin asgjë kundër realizmit të numrit 10 gjerman, që përfitoi nga një dalje e çmendur e Zhan-Mari Pfafit, për të shënuar për herë të dytë, dhjetë minuta nga përfundimi i ndeshjes. Rezultati final 2-1 dhe Gjermania Perëndimore e fitoi për herë të dytë titullin kampion të Europës, ashtu si më parë në vitin 1972, pikërisht në Belgjikë, që në Itali ishte kundërshtarja e saj në finale. Gjiganti i vjetër i Hamburgut është sot trajneri i përfaqësueses gjermane të moshës U-19.
EURO 1984
Goditjet gjeniale të Mishel Platinisë
Heroi i Euro 1984, Mishel Platini, sot është Presidenti i UEFA-s, por dhe promotori i Kampionatit Europian 2012, që po zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Në vitin 1984, Mishel Platini vendosi statusin e tij si shënuesi më i mirë i kampionatit italian. Të njëjtën gjë bëri edhe në Euro 1984, duke realizuar 9 gola në 5 ndeshje. Një mesatare e çmendur! Ai e filloi festivalin e tij ofensiv kundër Danimarkës (1-0), për të vazhduar me dy tripleta rresht, kundër Belgjikës (5-0) dhe Jugosllavisë (3-2). Me të majtën, me të djathtën, me kokë, “Platosh”, shënoi gola me të gjitha mënyrat e mundshme. Në gjysmëfinale ai shënoi sërish kundër Portugalisë (3-2), ndërkohë që në finale, numri 10 “tricolore’ shënoi golin e skuadrës së tij me një gjuajtje që tashmë është bërë e famshme, për shkak të gafës së portierit spanjoll Luis Arkonada. Platini i dha Francës titullin e parë të madh, ndërsa vetë fitoi “Këpucën e Artë” dhe u shpall “Lojtari më i mirë”.
EURO 1988
Marko van Basten, tulipani portokalli
Në moshën 23 vjeç, Marko van Basten u përzgjodh për të diskutua Euro 1988 me Holandën. Por, sulmuesi i Milanit e nisi kompeticionin si zëvendësues, për shkak se vinte nga disa dëmtimeve përgjatë sezonit. I futur në pjesën e dytë të ndeshjes së parë kundër ish-Bashkimit Sovjetik, Marko van Basten tregoi se e meritonte më shumë vendin se titullari, Xhon Bosman. Për takimin e dytë, numri 12 holandez ishte titullar. Van Basteni ia shpërbleu besimin trajnerit të tij me një tripletë, duke e bërë qesharake Anglinë e udhëhequr nga Toni Adams dhe Geri Linekeri. Në gjysmëfinale, Holanda u ballafaqua me Gjermaninë Perëndimore, që luante në shtëpinë e saj. Atëherë, kur dy skuadrat dukej se do të shkonin te shtesat, Marko van Basteni shënoi golin fitues dy minuta nga përfundimi i ndeshjes. Shou “Oranje” vazhdoi edhe në finale. Van Basten shënoi kundër Rusisë një nga golat më të bukur të historisë së Europianëve, me një diagonale në formë volej, nga një kënd i ngushtë.
EURO 1992
Suprizat e “gardianit” Petër Shmajkël
Danimarka u grumbullua vetëm dy javë përpara fillimi të Euro 1992, kampionatit që u zhvillua në Suedi, duke përfituar nga përjashtimi i Jugosllavisë, për shkak të përfshirjes së kësaj të fundit në një Luftë Ballkanikë me republikat që e përbënin atë. Danimarka ishte e dyta në grupin 1, pas vendit organzator, por arritën të mposhtin në gjysmëfinale Holandën. Holandë-Danimarkë, pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt dhe në shtesa, kërkoi gjuajtjen e penalltive, të fituar 5-4 nga danezët. Marko van Basten, golashënuesi më i mirë i Euro 1998 dhe heroi kombëtar i Holandës, gaboi nga pika e bardhë, në gjuajtjen e dytë të holandezëve, priti Petër Shmajkel, që në atë kohë ishte portier i Mançester Junaitid. Në finale, Peteër Shmajkël u rezistoi sulmeve gjermane me Shtefan Efenberg, Jurgen Klinsman dhe Karl-Heinc Rumenige. Falë efikasitetit të saj ofensivd, Danimarka e fitoi 2-0 ndeshjen dhe pronësoi Kupën “Henri Delonaj” për herë të parë në historinë e saj.
EURO 1996
Oliver Bierhof, zëvendësuesi i artë
I mbërritur si një zëvendësues në Kampionatin Europian 1996, të zhvilluar në Angli, Oliver Bierhof u shndërrua në një hero kombëtar në Gjermanis, pas shpërthimit të tij me dopjetën të realizuar në finalen kundër Çekisë. Në fazën e grupeve, golashënuesi i Udinezes luajti vetëm në ndeshjen e dytë për “Mannschaft’. Më pas, në çerekfinale, ashtu si dhe në gjysmëfinale, trajneri gjerman Berti Fogts, nuk i dha mundësinë të luajë qoftë dhe një minutë të vetme. Atëherë, kur Oliver Bierhof zëvendësoi Mehmet Shollun në minutën e 69-të finales, hyrja e tij u duk anekdotike. Megjithatë, pas katër minutash lojë, sulmuesi i madh gjerman shënoi me kokë pas një krosimi të Kristian Ziges. Ndeshja shkoi në shtesa, dhe Oliver Bierhof shënoi të parin “golin të “artë” në historinë e Europianëve, një rregull i vendosur për herë të parë nga UEFA, duke i dhënë titullin Gjermanisë dhe vetës si një vend në histori.




