Sokol Haxhia, agjenti shqiptar i FIFA-s, i cili prej më shumë se 20 vjetësh jeton dhe punon në Itali, tha për gazetën “Telegraf”, se atmosfera në gadishullin e Apenineve është shumë entuziaste, në prag të përballjes me Gjermaninë, të vlefshme për gjysmëfinalen e dytë të Euro 2012.
“Mediat italiane, por dhe vetë trajneri Prandeli, si dhe lojtarët e Kombëtares kanë qenë të matur në deklarata”, - tha Haxhia për gazetën. “Këtu, në Itali, janë të çmendur për futbollin dhe gjatë gjithë ditëve të Europianit, ngjyrat që mbizotërojnë janë ato të flamurit kombëtar, por mund të shohësh me mijëra ‘Pirlo’ në rrugë, në bare, tifozë që veshin fanellat e lojtarëve”.
* * *
Zoti Haxhia, ju jetoni prej më shumë se 20 vitesh në Itali, ndërkohë që jeni një specialist i futbollit, veçanërisht atij italian. Të enjten do të luhet gjysmëfinalja Gjermani-Itali, si e parashikoni sfidën?
Për të gjithë këtu në Itali, ndeshja kundër Gjermanisë konsiderohet si më e vështira, kjo pasi flitet për një përballje midis dy skuadrave gjigante të futbollit europian dhe atij botëror, të mësuar me tituj dhe që kanë bërë histori me ndeshjet e tyre direkte. Personalisht, duke njohur edhe ambientin e futbollit italian, por dhe një pjesë të mirë të lojtarëve që sot janë nën urdhrat e trajnerit Çezare Prandeli, besoj se do ta gjejnë forcën jo vetëm për të përballuar një Gjermani, shumë të fuqishme në aspektin fizik, por dhe të kalojnë në finalen e Europianit. Mediat italiane, përfshirë gazetat sportive më të mëdha në Itali, që raportojnë çdo informacion dhe detaj nga kampi i Kombëtares së tyre, kanë qenë të matura në deklarata, duke i shmangur tonet e fryra. Shkurt, me pak fjalë, janë deklarata me këmbë në tokë. Unë jam vetë një tifoz i zjarrtë i Italisë dhe, sigurisht që dëshiroj që ajo të jetë në finale.
Në katër ndeshjet e para, pra ato të grupit dhe çerekfinalen kundër Anglisë, pamë një Itali në rritje, pavarësisht se realizoi vetëm një fitore. Cila do të jetë arma plus ndaj një Gjermanie që i ka fituar të katër sfidat e saj?
Italia është një skuadër e pjekur dhe gjithmonë e përgatitur për të përballuar sfida të dorës së parë. Është në historinë dhe në traditën e saj. Sigurisht, dy lojtarët më të spikatur të saj janë portieri Xhanluixhi Bufon, i cili është dhe kapiteni i skuadrës, si dhe Andrea Pirlo, një nga regjisorët më të mirë në këtë Europian. Me ato që ka përcjellë media në Itali, në lidhje me strategjinë që mund të ndjekë trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, me një bllokim të dyfishtë ndaj Pirlos, Italia ka mund të organizojë lojën edhe me Montolivon apo Tiago Motën, të cilët kanë aftësi krijuese. Edhe pse ka shënuar më pak se Gjermania, nëse Kasano dhe Baloteli do të jenë në formën e tyre, mund të bëjnë gjëra të pa parashikueshme.
Familja juaj është shqiptaro-italiane. Si po e përjeton ajo Europianin dhe vecanerisht ndeshjen Gjermani-Itali?
Personalisht, duke u nisur edhe nga puna ime si agjent i FIFA-s, pra një menaxher i lojtarëve shqiptarë, por dhe të huaj, jam i fokusuar më shumë në zhvillimet e futbollit në Shqipëri dhe perfomancës së futbollistëve që unë menaxhoj, apo talentet që dalin aty. Bashkëshortja ime italiane nuk është një tifoze e madhe, por kur bëhet fjala për ekipin Kombëtar të Italisë, as që bëhet fjalë që mund të shohësh një ultrase të vërtetë. Djali im, Marko, i cili shumë shpejt do të vijë në Shqipëri, është gjithashtu një tifoz i madh i Italisë, por me zemër ai bën tifozllëk për Shqipërinë, pra për ngjyrat kuqezi, dhe jo më kot është më Milanin. Shtëpia jonë, ashtu si e gjithë të tjerëve këtu në qytetin tim, është e zbukuruar me ngjyrat e flamurit të Italisë. Këtu, në Itali, janë të çmendur për futbollin dhe gjatë gjithë ditëve të Europianit, dhe mund të shohësh me mijëra “Pirlo’, “Kasano”, “Baloteli”, në rrugë, në bare, tifozë që veshin fanellat e lojtarëve të tyre të preferuar.
Ju jeni prej shumë vitesh një menaxher i suksesshëm i disa prej futbollistëve më të njohur shqiptarë. Së fundi, lojtari që ju menaxhoni, Migen Memelli, nënshkroi një kontratë me Flamurtarin. Cila janë transferimet e tjera që po realizoni?
Sulmuesi Migen Memelli është një nga lojtarët më të mirë shqiptarë në vitet e fundit, dhe me një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, pasi ka luajtur në Norvegji, Suedi dhe së fundi në Arabinë Saudite. Për më tepër ai ka luajtur në Shqipëri, me disa skuadra, përfshirë Tiranën ku doli kampion dhe u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit 2008-2009. Për Memellin është një rikthimi i bukur te Flamurtarin, për të cilin dha kontributin e tij në sezonin 2009-2010. Ishte një kontratë e realizuar, falë dhe bashkëpunimit me presidentin e Flamurtarit, zotin Shpëtim Gjika, një njeri tashmë me një përvojë të madhe në futboll. Jam duke punuar për të realizuar transferimin e sulmuesit të Kombëtares, Armando Sadiku, golashënuesi më i mirë në kategorinë e dytë zvicerane, e që kërkohet prej disa ekipeve, si në Italia apo dhe në Zvicër, te Lugano. Mbrojtësi Klodian Semina mund të transferohet te Servet. Në planet e mia janë dhe dy lojtarë të Kombëtares shqiptare, emrat e të cilëve mund t’i bëj të ditur vetëm në momentin e transferimit në klubet përkatëse. Nuk duhet të harrojmë faktin se, futbolli ndodhet në krizë financiare, dhe klubet janë shumë të matura kur bëhet fjalë për transferimet.




