Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, paralajmëroi Italinë duke thënë se janë lojtarët e tij favoritët për të fituar gjysmëfinalen e Euro 2012-s.
30 pikë në dhjetë ndeshje në fazën e eliminatoreve, nëntë në tri takime në fazën e grupeve, një çerekfinale e fituar pa shumë mundim. Nga ana tjetër, futbolli italian, që mbërriti pas një Botërori të shëmtuar dhe një Kombëtare që po kërkon të ngrihet përmes mijëra vështirësive.
Një nga sinjalet më kuptimplote të Gjermanisë është faktori “J”, “Die Jugend” (gjermanisht: rinia), që është dhe një nga pikat më të forta të Gjermanisë. Skuadra e Lëvit ka një moshë mesatare 24 vjeç e 11 muaj, kundrejt 28 vjeç e 3 muaj të asaj italiane. 13 lojtarë gjermanë janë më të vegjël se 24 vjeç, kundrejt tre që janë në skuadrën “axurre”.
Dy nga këta të fundit, Ogbona dhe Borini nuk kanë zbritur asnjë minutë në fushë; ndërkohë Ozil, Humels, Boateng dhe Myler janë protagonistë.
Tetë lojtarë italianë janë tek të tridhjetat, kur vetëm një, Miro Kloze, i ka kaluar të tridhjetat te Gjermania. Për të gjetur motivin e këtij fenomeni “baby boom”, duhet të kthehemi pas në Euro 2000.
Gjermania, e udhëhequr asokohe nga thuajse 40-vjeçari Lotar Mateus, doli nga skena pa fituar asnjë ndeshje në fazën e grupeve dhe duke pësuar tre gola nga Portugalia.
Federata Gjermane e Futbollit vendosi të ndërhyjë dhe krijoi sistemin e qendrave federale: janë 17 të tilla në të gjithë Gjermaninë, të cilat peshkojnë të rinjtë më të mirë dhe i rrisin. Rezultatet mbërritën: Gjermania është një superfuqi në sektorin e të rinjve dhe gjenerata e lojtarëve të formuar pas Euro 2000 ka marrë në dorë Kombëtaren.
Pa llogaritur këtu që ka tashmë një grup lojtarësh akoma më të rinj, të gatshëm për të marrë vendin e tyre. Midis 23 lojtarëve të Lëvit kanë katër lojtarë të lindur në vitet Nëntëdhjetë, kur Muri i Berlinit tashmë kishte rënë.
Në pesë vitet e fundit, Gjermania ka pasur rezultate më të mira se Italia, duke qenë më lart në renditjet e FIFA-s dhe të UEFA-s. Futbolli gjerman funksionon edhe në nivelin ekonomik. Rikardo Montolivo, lojtari i Kombëtares italiane, nëna e të cilit është gjermane, e di mirë.




