Federata Shqiptare e Futbollit do të zbardhë ditën e premte, 29 qershor 2012 (ora 11:00), kalendarin e ri të Kampionatit të 74-të Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, për sezonin e ri 2012-2013.
Kategoria Superiore do të zhvillohet me 14 skuadra, ndërkohë që nga kategoria do të zbresin direkt 4 skuadrat e renditura në vendet e fundit, pra 11, 12, 13 dhe 14, pasi sezoni 2013-2014 do të ketë 12 ekipe.
Kampion në fuqi është Skënderbeu, ndërsa të debutuese në këtë sezon do të jenë Luftëtari (rikthehet pas 5 sezonesh), Kukësi (debutim historik për herë të parë në Kategorinë Superiore) dhe Besa e Kavajës.
Për herë të parë, kryeqyteti shqiptar do të ketë vetëm një skuadër në Kategorinë Superiore, Tiranën (24 tituj kampionë), pasi Dinamo (18 tituj kampionë), Partizani (15) dhe Kamza janë pjesë e Kategorisë së Parë.
Skuadrave me tituj kampionë i duhet shtuar edhe Elbasani (2), kështu që në total në Kategorinë e Parë do të luajnë 35 nga 73 titujt.
Kategoria Superiore fillon fazën e parë, më 25 gusht 2012 dhe e përfundon më 1 dhjetor 2012. Faza e dytë nis, më 9 shkurt 2013 dhe mbaron më 11 maj 2013.
Kategoria e Parë e nis fazën e parë, më 1 shtator 2012 dhe e mbaron me 8 dhjetor 2012, ndërsa faza e dytë fillon me 9 shkurt 2013 dhe mbaron më 11 maj 2013.
Kategoria e Parë do të ketë 16 skuadra, ku vetëm dy të parat do të ngjiten sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.




