Vladimir Grillo është një natyrë shumë e përmbajtur, emocionalisht në dukje të parë i ftohtë, por brenda tij nuk mungojnë shpërthimet, edhe pse ato shfaqen shumë rrallë në komentet e tij.“Përgjithësisht, dëshiroj t’i ruaj emocionet. Por, nëse luan vendi im, skuadra ime, atëherë edhe unë i kaloj limitet e një komentimi. Më duhet ta rithem, edhe për gazetën “Telegraf” se, unë kam qarë në Beograd, në vitin 1987, kur Sokol Kushta me golin e tij të mrekullueshëm eliminoi Partizanin e Beogradit. U ndje qartë në intonacionin e zërit tim”.
Sekretet e komenteve
Vladimir Grillo ndjek një filozofi të tijën në komentet e tij, por një nga anët e forta të tij janë dhe statistikat, çka i japin një dimension tjetër ndeshjes. Por si përgatitet ai para një takimi? “Sigurisht, - shpjegon Grillo, - sot është shumë e lehtë të gjesh dhe të zotërosh një numër të pafund detajesh statistikorë për çdo ekip, apo lojtarë në veçanti. Statistika i japin bukuri transmetimit. Për Lojërat Olimpike ‘Londër 2012’ pres të më vijë botimi i fundit i Dejvid Uellejçinskit, që botohet një herë në katër vjet dhe që ka statistikat komplete dhe të detajuara të gjitha Lojërave Olimpike Verore dhe Dimërore dhe rezultatet e çdo sportisti. Është një libër voluminoz. Pra është lehtësuar puna e statistikave”. Lad Grillo thotë se ai, emocionet më të mëdha i përjeton në shumësportësh. “Atletika është absolutisht njëshi për mua. Nuk ka sport ai atletika, por dhe noti, gjimnastika, peshëngritja të dhurojnë shumë emocione. Janë gara që vendosen në disa sekonda. Futbolli e ka paksa më të shtrirë garën”.
Emocionet e Europianit
Gazetari i mirënjohur sportiv, Vladimir Grillo, ka komentuar shumë ndeshje të finaleve të Kampionateve Europiane paraardhëse. Por, si e gjykon ai Euro 2012?. A është më cilësor ai? Grillo: “Mendoj se, shumë nga emrat më të njohur të futbollit europian kanë një stanjacion në formën e tyre. Nuk patëm shumë emra. Yjet kanë qenë të reduktuar. Nuk bëri bum ndonjë lojtar i ri”. Por, përse do ta mbajë mend Grillo këtë Europian? “Ka shumë elementë, qoftë futbollistikë, pra të lojës, por dhe të tjerë. Duke qenë një gazetar dhe komentator televiziv, transmetimi televiziv më pëlqeu jashtë mase, për t’i dhënë shikuesit çdo emocion nga ky Europian, jo vetëm në fushë, por dhe jashtë saj”, - tha ai. Janë 31 kamera të vendosura në fushë, e që mbulojnë veprimet në fushën e lojës dhe rreth saj, si dhe kamera shtesë që ndjekin çdo moment rreth lojës, që nga ardhja e ekipeve në stadiume, intervistat dhe konferencat për shtyp. Qendra zyrtare e transmetimit të ndeshjeve të Euro 2012 ndodhet në Varshavë.
Superstrukturë emisionesh
Kampionati Europian “Poloni-Ukrainë 2012” po transmetohet direkt nga Televizioni Shqiptar, duke mos i munguar teleshikuesit vendas asnjë ndeshje e tij. TVSH-ja është pjesë e “European Broadcasting Union” (EBU), që ka blerë dhe të drejtat televizive të Euro 2012-s nga UEFA. Të gjitha ndeshjet e Euro 2012-s transmetohen në HD (High Defintion). “Televizioni Shqiptar i kushtoi një vëmendje të maksimale Kampionatit Europian. U ndërtua një bërthamë e veçantë. Bajram Hoxha është përgjegjësi i Programeve Ritmike, ku bën pjesë edhe sporti. Në redaksinë e sportit bëjnë pjesë edhe Dëfrim Met’hasani, Alban Hasanaj, Enkelejda Zeko, që i jep bukuri emisionit “Europiani sot”, Ervin Çela, Klajdi Gorica. U shtuan emisionet dhe orët e transmetimit, duke filluar nga emisioni i mëngjesit, ai pasdites me “Zig-Zag”, biseda para ndeshjes, në pushim dhe pas saj, si dhe emisioni kryesor “Europiani sot”, me një panel të zgjeruar prej katër specialistësh dhe të ftuarish, jo vetëm nga bota e sportit, por për t’i dhënë më shumë frymëmarrje. U kombinua futbolli me pjesën tjetër të jetës së përditshme. Gjetëm një mbështetje të madhe nga drejtuesit më të lartë të Radio Televizionit Shqiptar. Zoti Beci është dashamirës i sportit”.
Risitë e internetit
Futbolldashësit shqiptarë po e ndjekin Euro 2012, përveçse me transmetimin televiziv dhe atë radiofonik, edhe përmes transmetimit “live stream” në internet, në adresën zyrtare të TVSH-së, www.rtsh.al. “Është një risi e bukur e këtij Europiani dhe mesa jam i informuar, është ndjekur shumë përmes internetit. Dashamirësit sportivë shqiptarë, qofshin ata në Shqipëri, por dhe ata që jetojnë jashtë e kanë pasur mundësinë ta ndjekin me koment në shqip ndeshjet e Europianit. Mund të them se, edhe vetë kam parë dy-tri ndeshje përmes internetit, kur më është dashur të punoj ndonjë tekst kronike. Edhe gazetari Piro Ruvina ka bërë një punë të shkëlqyer përmes transmetimit në radio. Sot, njerëzit udhëtojnë shumë dhe kanë pasur mundësi ta ndjekin Europianin përmes valëve të radios. Transmetimi në radio ka qenë dhe më parë, por ka pasur reagime të mira”
“Londër 2012”, destinacioni i ri i Grillos
Nga data 27 korrik dhe deri më 12 gusht, për 16 ditë me radhë do të zhvillohen Lojërat e XXX Olimpike Verore, apo “Londër 2012”, ku Shqipëria për herë të parë në historinë e saj do të marrë pjesë me 13 sportistë. Televizioni Shqiptar do ta mbulojë plotësisht këtë event. “Do të jenë mbi 200 euro transmetim, - tha Grillo. - Kemi bërë një plan të mirëdetajuar dhe një strukturë të veçantë, për ta pasqyruar sa më mirë shumëllojshmërinë e sporteve. Dua të siguroj lexuesit e gazetës “Telegraf”, që Televizioni Shqiptar do të jetë me orë pa fund pranë tyre me Lojërat Olimpike”. Grillo, një njohës shumë i mirë i Lojërave Olimpike, tha se, i vinte keq për atë i ndodhi peshëngritësit Erkand Qerimaj (i pezulluar). “Peshëngritja është sporti më elitar që ne kemi dhe ky mund të pretendonim diçka. Por, sidoqoftë, - shtoi Grillo, - kemi Romela Begaj dhe sportistët e tjerë”. Grillo ka qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000”, ku Shqipëria ka arritur dhe rezultatin më të mirë historik në Olimpiada, me peshëngritësin Ilirjan Suli, që zuri vendin e pestë. Romela Begaj u rendit e gjashta në “Pekin 2008”.
Grillo “thyen” rekorde botërore!
Në fakt, nuk bëhet fjalë për rekorde të Grillos, por të sportistëve që ai ka transmetuar. Thënia e tij “Zonja dhe zotërinj, ju lutem mbani frymën!”, me rastin e garimit të rekordmenit të garës së 100 metrave, xhamajkanit Usain Bolt është bërë shumë popullore. “Bolt, - thotë Grillo, - është jashtëtokësor. Është ‘biri i erës’. Të bësh 100-metërshin në 9.58 sekonda është e pabesueshme. Ai është një kampion i madh”. Grillo ka pasur fatin të komentojë thyerjen e shumë rekordeve botërore.
Me Sergei Bubkën dhe Dejvid Bekhamin
Gazetari Vladimir Grillo ka komentuar qindra ndeshje të ekipeve kombëtare të Shqipërisë, pra ka parë nga afër lojën e disa prej sportistëve më të mëdhenj europianë që kanë luajtur në vendin tonë. “Gjithsesi, - thotë Grillo, - kam pasur kënaqësi të takoj në Kongreset e AIPS-së (Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë) rekordmenë të botës, të tillë si Sergei Bubka, Elena Isinbajeva, Xhonatan Eduards, e shumë të tjerë. Kam takuar edhe Dejvid Bekhamin, si dhe figura të tjera të rëndësishme sportive”




