HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Vladimir Grillo: Europiani në syrin e një komentatori

Gazetari i mirënjohur sportiv: “Spanja, Portugalia, Gjermania dhe Italia përbëjnë një katërshe shumë tërheqëse”

  • 0 komente
Vladimir Grillo: Europiani në syrin e një komentatori





Për të ditur më shumë

Dash FRASHËRI - Vladimir Grillo, komentatori i mirënjohur sportiv i Televizionit Shqiptar, tha për gazetën “Telegraf” se, Euro 2012 ndodhet në momentin kulmor të tij, kur kanë mbetur dy ndeshje gjysmëfinale dhe finalja e madhe. “Unë besoj se, kanë dalë skuadrat më të mira të këtij kompeticioni. Në turne të tilla, ai që vlerësohet më shumë është rezultati. Mund të luash mirë, por nuk merr rezultatin, e vetmja gjë që mbetet është kënaqësia, por jo avancimi i skuadrës. Spanja, Portugalia, Gjermania dhe Italia përbëjnë një katërshe shumë tërheqëse. Janë skuadra me trofe europianë dhe botërorë”.

Zoti Grillo, Euro 2012 do të luajë sot dhe të enjten, dy ndeshjet gjysmëfinale: Portugali-Spanjë dhe Gjermani-Itali, përpara se të mbyllet me finalen e madhe të 1 korrikut, në Kiev të Ukrainës. Ju i keni përcjellë disa prej ndeshjeve të këtij Europiani, në rolin e një komentatori. Si një gazetar sportiv me përvojë mbi 40-vjeçare, cili është bilanci i deritanishëm i Kampionatit të 14-të Europian?

Mendoj se, në kemi arritur në një moment shumë tërheqës të Euro 2012, ku kanë mbetur vetëm katër skuadra, që diskutojnë midis tyre titulli e 14-të kampion të Europës. Unë besoj se, kanë dalë skuadrat më të mira të këtij kompeticioni. Në turne të tilla, ai që vlerësohet më shumë është rezultati. Mund të luash mirë, por nuk merr rezultatin, e vetmja gjë që mbetet është kënaqësia, por jo avancimi i skuadrës. Spanja, Portugalia, Gjermania dhe Italia përbën një katërshe shumë tërheqëse. Janë skuadra me trofe europianë dhe botërorë, përveç Portugalisë, që ka humbur në finalen e Euro 2004-s, kur kampionati u zhvillua në vendin e saj. Gjermania mban rekordin e titujve kampionë në Europë, me tre të tillë (1972, 1980 dhe 1996), Spanja e ka fituar atë dy herë (1964 dhe 2008) dhe është kampionia në fuqi, ndërsa Italia e ka fituar atë vetëm një herë (1968). Me grupin e lojtarëve që ka dhe me atë qa ka paraqitur në këtë Europian, Portugalia është një pretedente serioze. Mund ta vërë në vështirësi Spanjën, duke parë një Kristiano Ronaldo në formë e që për më tepër është një njohësi i mirë i kampionati spanjoll. Prognoza, jo e vetëm e imja, por e gjithë specialistëve shqiptarë të futbollit dhe ata të huaj, besojnë se dy ndeshjet gjysmëfinale do të lënë gjurmë në këtë Europian. Janë skuadra me emër, por më e rëndësishmja kanë lojtarë cilësorë. 

Europiani ofroi surpriza qysh në fazën e grupeve, ku më të spikatura ishin eliminimi pa marrë asnjë pikë i Holandës, nënkampione e Botës, dhe kualifikimi në çerekfinale tej parashikimeve i Greqisë, si dhe dalja jashtë loje i dy vendeve organizatore, Polonisë dhe Ukrainës. Çfarë përshtypje u bëri faza e grupeve?

Jo vetëm Holanda në grupin e saj (B), të mbiquajtur “Grupi i vdekjes”, por dhe Anglia, që u eliminua më pas në çerekfinale nga Italia, duhet të bënin më mirë. Në fakt, të vjen keq që Holanda nuk mundi të marrë asnjë pikë. Mendoj se, Holanda e ka humbur atë shkëlqimin e saj, dhe për këtë duhet të kthehemi disa vite në kohë. Të vetmin trofe të madh e ka fituar në Euro 1988, por më pas filozofia e ekipit holandez ndryshoi. Ekipit Kombëtar iu kushtua gjithnjë e më pak rëndësi, duke i venë theksin politikave lokale të klubeve, në të cilët ka një numër të konsiderueshëm të lojtarëve jo-holandezë. Duke mos i vlerësuar lojtarë vendas, erdhi duke u zbehur magjia e tyre. I njëjti argument vlen dhe për Anglinë: ka kampionatin më të fortë në Botë, por dhe ajo ka fituat vetëm një trofe të madh, Kampionatin Botëror të vitit 1966. Ka importuar lojtarë të huaj pa fund. Ka kampionat, por prej vitesh s’ka një ekip kombëtar, duke mos shkuar më shumë se në çerekfinale. Gjysmëfinalja e fundit e saj daton në vitin 1996, kur Europiani u luajt në Angli. 

Duke parë të 28 ndeshjet e deritanishme të zhvilluara, sa kanë ndikuar trajnerët me vendosjet taktiket apo strategjitë e tyre?

Duke marrë në konsideratë të 16 trajnerët e skuadrave, vetëm Vinsente Del Boske është fitues i një trofeu të madh, atij të Botërorit 2010, ndërkohë që kemi dhe rastin e trajnerit Xhovani Trapatoni të Irlandës, që u bë tekniku më i moshuar në botë që drejton një skuadër, diçka më shumë se 73 vjeç. Trajneri vendos shumë në futbollin e sotëm, pasi loja sot është një kompozim i shumë elementëve. Rasti i Italisë pa emra të mëdhenj, por me një trajner si Çezare Prandeli është një shembull i mirë. Një trajner i zoti është një plus për skuadrën. Njohja e mirë reciproke trajner-lojtar jep gjithmonë fryte. Po e ilustroj edhe me një fakt tjetër, Anglia nuk ka gjetur ende karar me trajnerin e saj Roj Hoxhson është trajneri i katërt i Anglisë nga viti 2006, kur Johakim Lëvi e drejton Gjermaninë pikërisht nga ky vit, ky i fundit ka arritur t’i imponohet Federatës Gjermanë me idetë e tij dhe të përzgjedhë lojtarët e duhur, të përshtatshëm me skemat e tij.

Spanja është në kërkim të një rekordi botëror, duke synuar titullin e tretë rresht të madh. Fitoi Euro 2008 dhe Botërorin 2010 dhe ka si objektiv Euro 2010. Në vlerësimin tuaj, a do të jetë në gjendje Spanja ta arrijë atë?

Unë mendoj se, Spanja ka shanse reale për ta arritur këtë objektiv. Personalisht do të dëshiroja një finale Spanjë-Gjermani. Në fakt, ky është një mendim i hershëm i imi. Kjo nisur edhe nga fakti se, të dyja skuadrat kanë punuar shumë në këtë drejtim. Deri tani çdo është në rrugën e saj, pasi të dyja ekipet që diskutuan edhe finalen e Euro 2008-s nuk u kryqëzuan midis tyre në raundet e mëparshme. Gjithsesi, nuk duhet të përjashtojmë aspak mundësinë Portugalisë dhe Italisë për të diskutuar një finale midis tyre. 

Duke u ndalur te Spanja dhe Gjermania, janë dy vende me shkolla tipike futbolli. Akademitë e Barcelonës dhe Realit të Madridit vazhdimisht nxjerrin lojtarë të përmasave ndërkombëtare, ashtu si kundër Gjermania, me projektin “Matias Samer” e ka çuar futbollin në çdo cep të vendit të saj, duke dominuar skenën europiane me kombëtaret e moshave. A janë këto faktorë thelbësorë në ecurinë e jashtëzakonshme të atyre dy vendeve?

Pa asnjë dyshim. Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, e ka përcaktuar strategjinë e tij. Ka në dispozicion një stol të gjatë dhe shumë cilësor, duke pasur shumë alternativa. Ka një grup lojtarësh, të cilëve u ka transmetuar idetë e tij. Të gjithë e kanë para sa mirë funksionon ansambli gjerman. Gjermania ka vite që shpenzon shuma të mëdha për zhvillimin e futbollit vendas dhe ka një organizim perfekt. Kjo reflektohet më pas në rezultate.

Gjermania është “kampionia e statistikave” deri tani në Europian. Ka rekordin e 100 për qind të pikëve në katër ndeshjet e para, është ekipi që ka shënuar më shumë gola, madje sulmuesi i saj kryesor, Mario Gomezh, është pretendenti numër një, së bashku edhe me Kristiano Ronaldon, për të fituar “Këpucën e Artë” të Euro 2012-s. 

Mendoj se, kur në fund të kampionatit do të përzgjidhet “ekipi ideal i Euro 2012-s”, Gjermania do të ketë disa lojtarë. Gjermanët kanë një filozofi të qartë në lidhje me futbollin vendas dhe ekipin Kombëtar. Është në krenarinë e saj. Nuk ka klube të mëdha përveç Bajernit, që këtë vit u dorëzua në finalen e Ligës së Kampioneve, por ka strategji të qartë të zhvillimit të përgjithshëm të futbollit. Federata Gjermane historikisht ka kontribuar në ndërtimin e një ekipi solid. Është tri herë kampione e Botës dhe e Europës; katër herë nënkampione e Botës dhe tri herë nënkampione e Europës. 

Le të kthehemi te komentatori Grillo. Nga viti 1970 deri më sot, keni komentuar mijëra ndeshje të kampionatit shqiptar, ekipit Kombëtar shqiptar, dhe sigurisht disa qindra takime të Kampionateve Botërore dhe Europiane. Cilat janë emocionet tuaja kur komentoni ndeshje të nivelit të lartë, të rangut të Gjermanisë, Italisë, Anglisë, Spanjës, Francës, etj.?

Pavarësisht se, si gjithë sportdashësit e tjerë unë kam ekipin e preferuar timin, në këtë rast Anglinë, detyra ime është që të shmang komentin me nuanca tifozllëku. Të dijë të zotërojë ndjenjat, jo në kuptimin për ta bërë të ftohtë komentin, por të gjejë të “mesmen e artë’, midis komentit dhe imazhit të lojës që përcillet midis ekranit. Një komentator televiziv duhet të ndërhyjë me emocion, atje ku duhet, pasi në fund të fundit jemi në ekran. Unë mbroj këtë parim në transmetimet e mia. Sigurisht, që ka dhe shkolla të tjera komentimi. Ajo varet nga shijet e të tjerave. Sot, njerëzit kanë mundësi të zgjedhin komente në transmetues të tjerë televizivë. 





  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.