Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela, tha për gazetën “Telegraf” se, të dyja ndeshjet gjysmëfinale, Portugali-Spanjë dhe Gjermani-Itali mendoj se, do të jenë shumë të forta.“Në gjykimin tim, Italia dhe Portugalia do të jenë në finale”, - tha Çela, një njohës i mirë i futbollit dhe sidomos i ekipeve kombëtare. Vetë Çela është tifoz i thekur i Italisë, madje ai tregon dhe një detaj se është martuar pikërisht, më 11 korrik 1982, ditën kur Italia u shpall Kampione i Botës, duke mundur në finale 3-1 Gjermaninë. “Pata dy gëzime në një ditë”, - tha Besniku, familja e të cilit bën tifo për Milanin dhe Italinë. Çela tha se, zhgënjimi më i madh i këtij Europiani është Holanda. “U larguan pa pikë, edhe pse kishin yje të mëdhenj. Në përgjithësi, niveli i Euro 2012 ka qenë i nivelit mesatar deri tani, poshtë Euro 2008”.
Zoti Çela, Euro 2012 ka mbërritur në kulmin e tij, ku kanë mbetur dy gjysmëfinalet dhe finalja e madhe e Kievit. Si e shikoni katërshen Portugali, Spanjë, Gjermani dhe Itali?
Për vetë faktin, që kanë mbërritur në gjysmëfinale, do të thotë se të katër skuadrat e kanë merituar atë. Të dyja ndeshjet gjysmëfinale, Portugali-Spanjë dhe Gjermani-Itali mendoj se, do të jenë shumë të forta, pavarësisht se historia statistikore e përballjeve flasin për Portugalinë dhe Italinë. Mendoj, se ky Europian i prishi këto tradita, pasi edhe Spanja nuk kishte fituar kurrë më parë me Francën, por ishin spanjollët ata që fituan. Në gjykimin tim, Italia dhe Portugalia do të jenë në finale.
Duke u bërë portret skuadrave, cilat kanë qenë anët më të forta të Spanjës?
Spanja është një skuadër solide. Është e konsoliduar në të gjitha repartet, duke u nisur nga porta, mbrojtje, mesfusha e mrekullueshme dhe një sulm efikas. Ka elementë shumë cilësorë. Ka një kondicion të mirë fizik, luan mjaft mirë taktikisht dhe ka një ritëm të shpejt në lojë. Po të kishin dhe sulmuesin David Vija do të ishin një skuadër absolute në këtë Europian.
Po Gjermania, fituese e të gjitha ndeshjeve?
Gjermania luan një futboll shumë agresiv, të fortë, të mbështetur në përgatijen fizike, por dhe taktikisht bën mjaft mirë. Është një skuadër e përgatitur dhe mendoj se, dhe ajo është një favorite e fortë. Përballja me Italinë do ta vendosë Gjermaninë para një kundërshtari shumë të vështirë, pasi italianët bëjnë ndeshje të mëdha kundër skuadrave të mëdha.
Italia ka një ngritje në lojën e saj. Cili është mendimi juaj?
Në dukje Italia nuk ka një skuadër të nivelit të Spanjës apo Gjermanisë, por unë mendoj se ajo është një skuadër e fuqishme, nëse asaj do t’i funksionojë më mirë reparti i sulmit në shënimin e golit. Ndaj Anglisë dominoi me statistika të mëdha, e goditi portën mbi 20 herë dhe goditi dy shtylla. Dhe në kulmin e saj më të mirë, Italia nuk i ka pasur këto tregues. Kjo tregon se ajo do të jetë një pretedente e fortë. Bufon u tregua një portier i madh në pritjen e penalltive.
Portugalia nuk e ka fituar asnjëherë Europianin. A është ky momenti, teksa ka humbur finalen e Euro 2004-s?
Portugalia ka një skuadër potente dhe me një ekuilibër në të gjitha repartet, por ajo që bën diferencën është se ajo ka njeriun-gol, pra Kristiano Ronaldon. Do të jetë një pikë shumë e rëndësishme për ekipin. Nëse Ronaldo do të zhbllokohet ndaj Spanjës, atëherë Portugalia do të jetë në finale. Ka një stil loje shumë tërheqës.
Edhe Shqipëria, si Gjermania
Besnik Çela është një njohës shumë i mirë i ekipit Kombëtar të Shqipërisë, kjo dhe për shkak dhe të disa prej detyrave të tij. I pyetur, se si funksionojnë ekipet e huaja në raport me atë shqiptar, Çela tha për gazetën: “Përsa i përket organizmi të ekipeve kombëtare shqiptare, qysh nga viti 2002, me ardhjen e Presidentit Armand Duka, një tifoz i madh i ekipeve kombëtare, janë krijuar kushte të shkëlqyera. Gjermania, për shembull, përsa u përket logjistikës, bazës materiale apo akomodimit nuk ka asgjë më shumë se ne. Ok, ata kanë më shumë para, por të jeni i bindur se dhe lojtarët tanë akomodohen po në hotele ku qëndrojnë Italia Spanja apo Franca. Dikur na mungonte një fushë cilësore, tani kemi një ambient modern, njëlloj si në Europë”.
Talentet që kanë spikatur
Çela ka punuar edhe si trajner futbolli, duke zbuluar edhe disa prej talenteve të futbollit shqiptar. Por, cilët janë lojtarët e rinj më të talentuar të Europianit? “Janë dy lojtarë gjermanë, Rojs dhe Shyrle. I veçantë, mbi të gjithë i jashtëzakonshëm ështe Baloteli i Italisë, por nëse ai do t’i nënshtrohej grupit, ai do të ishte një lojtar i përmasave botërore”.




