HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Bejkush Birçe: Është ngushtuar diferenca midis ekipeve

Ish-trajneri i Kombëtares: “Gjermania, skuadra më e kompletuar. E nis lojën gjithmonë 1-0”

  • 0 komente
Bejkush Birçe, ish-trajneri i Partizanit (kampion në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981) dhe i Dinamos (kampion 1989-1990) tha për gazetën “Telegraf” se, “deri tani kemi parë një Kampionat Europian cilësor”.“Të katër skuadrat gjysmëfinaliste, Portugalia, Gjermania, Spanja dhe Italia, e kanë merituar të qenit në këtë fazë”. Ish-tekniku me eksperiencë profesionale mbi 35-vjeçare shtoi: “Kemi parë shumë ndeshje me të vërtetë të mira në këtë kampionat. Për mua skuadra më kompakte e kampionatit ka qenë Gjermania. Është një skuadër e kompletuar në çdo repart. Bën një lojë vërtetë të lexueshme, por ta shënon golin para syve të tu. E nis lojën si të thuash 1-0”, - tha Birçe gjatë një interviste për gazetën “Telegraf”. Gjatë karrierës së tij si trajner (1971-1996) ka drejtuar edhe Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin. Birçe e ka fituar katër herë Kupën e Shqipërisë. Aktualisht, Bejkush Birçe është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë dhe nënkryetar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së. 

Zoti Birçe, janë përcaktuar katër skuadrat gjysmëfinaliste dhe nga përfundimi i Euro 2012 kanë mbetur edhe vetëm tri ndeshje, përfshirë dhe finalen e 1 korrikut në Kiev. Si e keni parë deri tani Kampionatin Europian?

Duke i bërë një vlerësim të përgjithshëm Europianit, nuk është e vështirë të konstatosh faktin se, kemi të bëjmë një kampionat cilësor, me skuadra që janë rritur nga ana profesionale dhe që e kanë ngushtuar diferencën ndaj njëra-tjetrës. Secila skuadër kishte ardhur me pretendimet dhe objektivat e saj. Ekipet tradicionale, pra ata që janë mësuar me fitimin e trofeve, janë edhe ndër formacionet që kanë shkëlqyer më shumë dhe luftojnë për objektivin e madh, fitimin e kampionatit. Të gjithë specialistët i kanë përcaktuar qysh më parë se cilat skuadra javë favorite për titullin kampion dhe deri tani me skuadrat që kanë dalë në katërshe, nuk kanë gabuar. 

Duke i parë ekipe pretedente, cilët elementë kanë rënë më shumë në sy?
Duke u nisur nga çerekfinalja Spanjë-Francë, mendoj se pamë një ndeshje shumë të mirë nga ana spanjollëve, të cilët janë kampionë në fuqi dhe synojnë të mbrojnë titullin. Franca vuajti, dhe në një farë mënyre reflektoi gjendjen e brendshme të saj, pra nuk ishte në nivelin që pritej. Spanja mori me një lojë të qartë, një trepikësh dhe kualifikua me një ndeshje, të cilën mund ta konsideroja si një shëtitje të tyre. Spanja i imponoi Francës lojën që dëshironte ajo dhe e çonte topin atje ku donte ajo. 

Gjermania i ka fituar bindshëm të katër takimet e saj, madje është skuadra që ka shënuar më shumë gola deri tani. Cila është arma më e fortë e saj?

Gjermania për mua është një skuadër tepër e kompletuar në çdo repart të saj. Është freskuar dhe rritur shumë në çdo aspekt. Ka një ekip të ri në moshë, por shumë të pjekur nga ana futbollistike. Bën në lojë thuajse perfekte dhe është një finalizuese e madhe. Këtë e tregoi edhe ndaj Greqisë, dikur një kampione e Europës (2004), një ekip që unë e quaj mesatar. Gjithsesi, ne e dimë se, futbolli është një lojë alogjike, dhe mund të pësosh dhe aksidente, pra edhe mund të pësosh gol, apo të humbasësh, ashtu si Rusia me Greqinë, por Gjermania tregoi forcën e saj dhe mund ta kishte fituar ndeshjen me rezultat më të thellë. Gjermania nuk ujëra në lojën e saj, domethënë, nuk shpenzon energji të kota në lojë. Është racionale dhe shumë praktike. Duket se ka një sulm të lexueshëm në lojën e saj, por ta bën golin para syve dhe mbrojtjet kundërshtare nuk arrijnë ta ndalin kurrë. Për mua, ajo e fillon ndeshjen 1-0, më pas shënon golat e tjerë. Arsyeja që ajo vazhdimisht, në çdo kompeticon të madh, Europian apo Botëror, ndodhet midis ekipeve më të mira të kampionateve ka të bëjë me aksiomën e thjeshtë dhe shumë kuptimplote: punë, disiplinë dhe seriozitet. E shoh Gjermaninë si një pretendente të madhe. 


Ju pohuat se diferenca midis ekipeve është e ngushtuar shumë. Ku e mbështetni këtë argument?


Le të marrim skuadrat që u larguan në fazën e grupeve. Danimarka, për mua, ishte një ekip shumë i mirë, kishte një skuadër të ndërtuar mirë, lojtarë të dalluar. Po kështu dhe Suedia, që pavarësisht dy humbjeve, ndoshta dhe jo të merituara (me Ukrainën dhe Anglinë), tregoi në ndeshjen e fundit të saj (kundër Francës) se kishte një ekip të madh, madje duke realizuar gola spektakolarë me anë të Ibrahimoviçit dhe Larsenit. Nga ana tjetër, për mua, Ukraina e meritonte të ishte në tetë më të mirat e Europianit. Bëri një paraqitje dinjitoze, por mund të them se u ndëshkua nga fati, dhe mund të ishte ajo në çerekfinale dhe jo Anlgia. Nuk duhet harruar dhe Rusia për atë që dha. 

Spanja do të luajë në gjysmëfinale kundër Portugalisë. Si e shikoni këtë përballje?

Spanja ka treguar se mbetet një fuqi e madhe futbollistike europiane dhe botërore, por dhe Portugalia është rritur shumë. Ajo ka në gjirin e saj, një lojtar të madh si Kristiano Ronaldo, që ndodhet në një formë të jashtëzakonshme dhe ka treguar se mund të jetë ai lojtari më i mirë i Europianit. Boll të kujtosh se dy ndeshjet e fundit ka shënuar tre gola dhe ka goditur katër herë shtyllën, dhe falë tij, Portugalia është në gjysmëfinale. E shoh një ndeshje shumë, shumë të vështirë për të dyja ekipet dhe shpresoj se do të shohim një shfaqje të mirë futbollistike. 


Birçe, 19 ndeshje me Kombëtaren

Bejkush Birçe e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994, duke e marrë postin nga Shyqyri Rreli, për t’u pasuar nga Neptun Bajko. Birçe e nisi me Islandën (humbi 2-0 në Rejkavik, më 30 maj 1990) dhe e mbylli me humbjen 5-1 më Spanjën (22 shtator 1993). Birçe e drejtoi përfaqësuesen në 19 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 13 humbje. 

Bilanci me finalistet e Euro 2012
Birçe është ndeshur me 5 ekipe që sot marrin pjesë në finalet e Euro 2012-s: Spanjën: humbi 1-5, (më 22 shtator 1993, në Tiranë; ) dhe 0-3 (22 prill 1992, në Valencia). Me Danimarkën: 0-1 (8 shtator, në Tiranë, dhe Irlandën: 1-2 (26 maj 1993, në Tiranë) dhe 0-2 (26 maj 1992, në Dublin). Këto takime ishin për eliminatoret e Botërorit 1994. Për kualifikueset e Euro 1992, Shqipëria e Birçes humbi 1-0 dhe 5-0 me Francën dhe 1-2 dhe 2-0 me Çekosllovakinë. 


Realiteti ynë, shumë vite larg

Bejkush Birçe është një trajneri me një eksperiencë të madhe, si në nivel klubesh ku ka fituar tituj kampionë me Partizanin dhe Dinamon, Kupa të Shqipërisë, por dhe me ekipin Kombëtar, të cilin e drejtoi për një periudhë katërvjeçare. Ai vlerësohet për autoritetin e tij, punën e palodhur me lojtarët, aftësitë organizative, si një trajner që di të marrë maksimumin nga lojtarët e tij. I pyetur sesi ai e shihte Europianin në këndvështrimin e organizative të kompeticionit, Birçe tha: “Unë do të ndalesha fillimisht te ana organizative. Një organizim i përsosur, si nga Polonia ashtu dhe Ukraina. Me investimet që ato kanë realizuar në këto vitet e fundit, kanë bërë ato që ndoshta nuk i kishin bërë në 50 vitet e mëparshme. Unë them se Europiani u ka hapur një epokë të re, Polonisë dhe Ukrainës. Më vjen keq ta them, por kur e krahasojmë me realitetin tonë, e them me bindje të plotë se ky i yni është shumë i trishtuar. Këtu po bëhet ç’është e mundur për të shkatërruar skuadrat me histori të madhe, dhe kjo për faj të drejtuesve tanë mediokër dhe të pa emancipuar. Futbolli ynë më këta drejtues nuk mund të ecë kurrë.





  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.