Skënderbeu do të përballet me kampionen e Hungarisë, Debrecen, në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, një kundërshtar shumë i vështirë, e që në sezonin 2009-2010 ka mundur të marrë pjesë deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.
Ky ishte verdikti i shortit të hedhur në Nion të Zvicrës, në prani edhe të bosit të kampionëve shqiptarë, Agim Zeqo.
Për korçarët kjo do të jetë eksperienca e dytë ndërkombëtare, pas asaj të vitit të kaluar, kur u eliminuan nga APOEL Nikosia e Qipros, dke pësuar dy humbje dhe pa mundur të shënojnë dhe një gol të vetëm.
Në fakt, Skënderbeu asokohe drejtohej nga ish-trajneri Shpëtim Duro, njeriu që i dha një titull kampion pas 78 vjetësh Skënderbeut.
Me trajnerin çek, Stanislav Levi, në krye të Skënderbeut, skuadra korçare beson se mund të regjistrojë fitoren e parë historike në Europë.
Ndeshja e parë do të luhet në Korçë, më 17 korrik, ndërsa ajo e kthimit në Debrecen, një javë më pas, 24 korrik.
Nëse Skënderbeu ynë ka në statistikat e tij vetëm 2 ndeshje ndërkombëtare, Debreceni ka zhvilluar në total mbi 60 ndeshje.
Debrecen, një skuadër e qytetit me të njëjtin emër (208 mijë banorë) në Hungari, është themeluar në vitin 1902. Ka fituar gjashtë herë titullin kampion në shtatë sezonet e fundit, ndërkohë që atë të sezonit 2011-2012 e meritoi duke mos pësuar asnjë humbje në 30 javë kampionat.
Debrecen, ndryshe nga Skënderbeu ynë pa përvojë, është i njohur në arenën ndërkombëtare, pasi ka mundur të futet në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, në edicionin 2009-2010, pasi më parë kishte eliminuar në turin e parë eliminator suedezët e Kalmarit (me gol në fushën kundërshtare: 2-0, 1-2); letonezët e Levadias (me dy fitore 1-0) dhe në “play-off’, Levskin e Sofjes: 2-1 dhe 2-0. Në fazën e grupeve i humbi të gjitha takimet: me Fiorentinën, Lionin dhe Liverpulin, duke pësuar 19 gola në 6 ndeshje.
Debrecen merr pjesë në kompeticionet ndërkombëtare nga viti 1998, me një pjesëmarrje në ish-Kupën e Intertoto.
Ndeshja e parë e klubit hungarez në Ligën e Kampioneve daton në edicionin 2005-2006, kur mundi Hajdukun e Splitit me rezultatin e përgjithshëm 8-0, përpara se të humbte 6-0 me Mançester Junaitid.
Skënderbeun dhe Debrecenin i bashkojnë ngjyrat e uniformës: të dy luajnë me fanellat kuq e bardhë. “Gjaku është brenda neshje i kuq dhe i bardhë”, thuhet në himnin e klubit hungarez.
Debrecen i ka kaluar rregullisht dy ture në edicionet e fundit, boll të kujtojmë se, vitin e kaluar në Ligën e Kampioneve eliminoi Ledava Talin të Estonisë, përpara se të eliminohej nga Bazeli i Zvicrës në turin e tretë, por në vazhdimin e tij në Ligën e Europës eliminoi Liteks Loveç (Bullgari), ndërsa në fazën e grupeve u përball me Metalist Kharkiv (Ukrainë), Sampdorian (Itali) dhe PSV Eindhoven (Holandë).
Aktualisht, Skënderbeu është duke zhvilluar një fazë përgatitore në Austri, ku deri tani ka zhvilluar tri ndeshje miqësore: fitoi 2-0 me gjeorgjianët e Torpedos, humbi 1-0 me rumunët e Vakluit dhe barazoi 1-1 me sllovakët e Kosices.
Skuadra e Stanislav Levit do të luajë edhe kundër Legias së Varshavës dhe SV Ried të Austrisë.
NDESHJET E SKËNDERBEUT NË EUROPË
LIGA E KAMPIONEVE
13 korrik 2011
Skënderbeu -Apoel Nikosia 0-2
20 korrik 2011
Apoel Nikosia -Skënderbeu 4-0
TOTALI
Pjesëmarrje: 1
Ndeshje: 2
Fitore: 0
Barazime: 0
Humbje: 2
Gola: 0-6
RAUNDI I PARË KUALIFIKUES
3/4 dhe 10/11 korrik 2012
Dudelanxh-Tre Pene
Valeta-Luzitans
Linfild-Torshavn
RAUNDI I DYTË KUALIFIKUES
17/18 dhe 24/25 korrik 2012
Skënderbeu-Debreceni
Maribor-Zheljeniçar
Zhilina-Hapoel Kirjat Shmona
BATE Borisov-Vardar
AEL Limasol-Linfield/Torshavn
Shamrok Rovers-Ekranas
Flora Talin-Bazel
Nju Saints-Helsingborgs
Molde-Ventspils
Dudelanxh/Tre Pene-Zalcburg
Slovan Liberec-Shakhter Karagandi
Ludogorets-Dinamo Zagreb
Neftçi-Zestafoni
Ulises-Sherif
Valeta/Luzitans-Partizan Beograd
Buduçnost-Slashk Vroklav





#1 kakas29/06/2012 03:35 Pergjigjuni
http://www.youtube.com/watch?v=M_xddiUtDxk
Kakas29/06/2012 03:49
http://www.youtube.com/watch?v=2gwDsdKEHAA