HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Millan Baçi: Euro 2012, konservatorët kundër të rinjve

Ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares: Ja risitë që ka sjellë ku Europian deri tani

  • 0 komente
Millan Baçi: Euro 2012, konservatorët kundër të rinjve





Për të ditur më shumë

Millan Baçi, ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare, aktualisht me detyrën e shefit të Sektorit të Futbollit të Bazës në Federatën Shqiptare të Futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se, ky Europian ka shfaqur tendencën e ballafaqimit të “skuadrave konservatore kundër ekipeve që bazohen te të rinjtë”. “Skuadra të tilla si Holanda, apo ndonjë tjetër me konservatorizmin e tyre dhe fitoi grupi i lojtarëve të rinj, e që po dalin vazhdimisht në tregun europian”, - tha Baçi për gazetën “Telegraf”, i cili e ka veshur 7 herë fanellën e ekipit Kombëtar, në vitet 1976-1981. Millan Baçi është tifoz i Gjermanisë dhe një adhurues i projektit gjerman “Samer”, që bëri të mundur në harkun e dhjetë viteve të fundit të nxjerrë talente të spikatura në nivel ndërkombëtar, por që e kanë nisur nga futbolli i bazës. “Gjermania sot punon me një planifikim të unifikuar në të gjitha ekipet e moshave”.

 

Zoti Baçi, cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për Euro 2012?

E kam ndjekur me shumë interes dhe vëmendje Europianin, që e çmoj një nga kompeticionet më të rëndësishme për ekipet Kombëtare. Është një eveniment i madh, ku marrin pjesë skuadra të mëdha dhe lojtarë të mëdhenj. Europiani ka një dinamikë të shpejtë, pasi pas përfundimit të fazës së grupeve, rruga drejt finales së madhe duket se është e shpejtësisë së lartë. Mendoj që, ky Europian mund të jetë i fundit për një gjeneratë lojtarësh, të cilët mund ta kenë eventin e fundit. Shumë skuadra si: Anglia, Holanda, Franca, Italia, Danimarka, mendoj se në këtë Europian ishin shumë konservatorë në marrjen e lojtarëve të rinj, për të cilët trajnerët përkatës mendonin se mund të jepnin rezultate shumë të mira. Mendoj se, ata dështuan me konservatorizmin e tyre dhe fitoi grupi i lojtarëve të rinj, e që po dalin vazhdimisht në tregun europian. 

Kush janë ata?

Janë shumë lojtarë të rinj të spikatur. Për ta ilustruar, pashë në Humbels te Gjermania, një mbrojtës, që ndoshta është shpejt për ta krahasuar me vitet e arta të Franc Bekebauerit. Nuk e di se ku e kishte “fshehur” Gjermania në ato vite që, ai nuk ka luajtur. I atij niveli është edhe Badshtuberi. Portieri Manuel Nojer, me shtatlartësinë dhe shkathtësinë e tij ka bërë gjera shumë të bukura. Pamë dhe lojtarë që, janë e ardhmja e tregut futbollistik ndërkombëtar. 

Cilat janë risitë që ka sjellë ku Europian deri tani?

Edhe pse është e eliminuar tashmë, Çekia u prezantua mjaft mirë. Pati një grup cilësor lojtarësh, që bën një performancë të kënaqshme në grupe, ndërkohë që përballë Portugalisë në çerekfinalen e parë, çekët zhvilluan një pjesë të parë të mirë, dhe u dorëzuan vetëm në fund, nga një gol i mrekullueshëm i Kristiano Ronaldos. Duke u ndalur paksa, tek analiza e ndeshjes, ajo që i mungoi Çekisë ishte efikasiteti në kundërsulm, pasi ajo ishte dhe strategjia e saj. 

A mund të flasim për një konflikt gjeneratash, midis senatorëve dhe të rinjve?
Po, në futboll ky është gjithmonë i pranishëm. Loja luhet me 11 lojtarë, ndërkohë që të gatshëm në bankinë janë dhe 12 të tjerë. Shembujt janë të shumtë, te Suedia, Holanda, ku ndihet më shumë kjo diferencë. Gjermania, për shembull është modeli i futbollit të të rinjve. Një futboll total, dhe jo konservator, siç e ka pasur traditë. Projekti “Sammer”, pra i Drejtorit Teknik të Federatës Gjermane të Futbollit, po jep frytet e tij. Gjermania ka investuar shuma të konsiderueshme për futbollin e bazës, dhe ka një projekt të unifikuar dhjetëvjeçar, që i dha frymëmarrjen e nevojshme të gjithë Gjermanisë, rezultatet e të cilit po i shohim sot. Nuk mund ta them sot se, Gjermania do të fitojë Europianin, pro me lojtarët 20-23-vjeçarë që ajo ka, po dëshmon se është kandidati potencial. 

Të dielën do të luhet çerekfinalja e fundit, Angli-Itali. Cili është vlerësimi juaj për këtë takim?

Për herë të parë, Italia vjen me një skuadër pa emra të mëdhenj. Ka një dyshe sulmuese (Baloteli-Kasano), që nuk po arrijnë ta mirëkuptojnë në perfeksion njëri-tjetrin, duke qenë të shkëputur në lojë. Gjithsesi, ata kanë disa momente falë dhe aftësive të tyre individuale. Ka një mesfushë, që është e varur e gjitha nga gjendja fizike e Andrea Pirlos, dhe një mbrojtje që është ende në provë. Do të jetë një përplasje e fortë me Anglinë, dhe është e vështirë ta parashikosh se, kush do të jetë fituesi i çiftit. 

Kush është Millan Baçi?

Millan Baçi është një ish-futbollist i njohur i Tiranës së viteve 1975-1985, duke dalë dy herë kampion me bardheblutë, pikërisht në sezonet 1981-1982 dhe 1984-1985. Millan Baçi e ka veshur 7 herë fanellën e ekipit Kombëtar, në vitet 1976-1981, ku spikasin ndeshjet kundër Gjermanisë, Austrisë, Bullgarisë, Finlandës, etj. Millani ka shënuar një gol, në ndeshjen Shqipëri-Finlandë 2-0 (3 shtator 1980), për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Spanjë 1982”.

Mesazhi i Europianit për futbollin shqiptar

Kampionati Europian nuk është vetëm një shou futbollistik, i skuadrave më të mirë në “kontinentin plak”, por dhe një “katedër e hapur” për të gjithë specialistët e futbollit, përfshirë dhe ata shqiptarë. Por, cili është mesazhi i Euro 2012 për futbollin modest shqiptar? Baçi tha: “Çdo Europian dhe Botëror prodhon shumë elementë që vlejnë në punën e përditshme të një trajneri, specialisti apo dhe vetë ekspertëve të marketingut dhe organizimit. Kjo fillon që nga ata fëmijë, që mbajnë lulet dhe dhurojnë buzëqeshjet e tyre kur shoqërojnë lojtarët e skuadrave, dhe deri te vendosjet taktike në fushë dhe sjelljen e lojtarëve. Nëse do të kishim një statistikë nga të gjitha vendet europiane, yjet e sotëm të futbollit, pa dyshimin më të vogël e kanë filluar në futbollin e bazës, pra të rrugës, kur ka qenë fëmijët. Vëmendja kryesore duhet të përqendrohet të investimet te fëmijët e talentuar shqiptarë. Pra, të behet një punë me specializuar, me në program të qartë për përpunimin e tyre. Kjo është detyrë e çdo klubi në Shqipëri. Sektori që, unë drejtoj në FSHF organizon kampionatet amatore në nivel moshash. Shteti shqiptar duhet të investojë në sport”.





  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.