Gazmend Malo, përgjegjësi i Marketingut dhe i Eventeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, pohoi për gazetën “Telegraf” se, Euro 2012 është kampionati më i shtrenjtë në histori, si nga pikëpamja e investimeve të kryera në infrastrukturën sportive dhe atë ambientale, por dhe nga të ardhurat që do të arkëtojë UEFA. “Europiani pritet të gjenerojë rreth 1.3 miliardë euro, çka është shuma më e lartë që UEFA ka arkëtuar ndonjëherë nga kampionatet europiane, madje është 4.8% më shumë se ai i Euro 2004’, - tha Malo për gazetën. Vetëm në Poloni janë investuar rreth 15 miliardë euro për stadiume të rinj, ndërtime rrugësh, rikontruksione totale të hoteleve, etj. Në Ukrainë janë investuar më rreth 3.3 miliardë. “Numri i sponsorëve dhe raporti që ata kanë krijuar me futbollin, do të thotë se sporti shihet si një mundësi ideale për të përfituar, nga pikëpamja e shitjeve të produkteve. Futbolli dhe biznesi kanë ndërtuar një sistem biznesi, pra një partneritet”, - shpjegon Malo për gazetën “Telegraf”.
Zoti Gazmend Malo, Kampionati Europian 2012 tashmë ka mbërritur në fazën çerekfinale, ku janë përcaktuar tetë ekipet më të mira, pas ezaurimit të ndeshjeve në grupe. Ju jeni përgjegjësi i Marketingut dhe i Eventeve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Si e keni parë Euro 2012 nga këndvështrimi i marketingut?
Nga të dhënat që tashmë janë bërë publike, por dhe nga informacione të klasifikuara, pra që ka të bëjnë më komunikimet zyrtare të UEFA-s, “Poloni-Ukrainë 2012” do të jetë edicioni më i pasur i të gjitha kohërave të 14 Kampionateve Europaine të futbollit, qysh kur ku kompeticion filloi në vitin 1960, në Francë. Priten të arkëtohen rreth 1,3 miliardë euro, ku 84% prej tyre vijnë nga komercializimi i të drejtave dhe aktiviteteve tregtare, e që përfshijnë një gamë të gjerë produktesh apo hapësira publicitare. E drejta televizive është shitur në mbi 200 shtete, përfshirë dhe Televizionin Shqiptar. Kjo do të sjellë 840 milionë euro, ose 4.8% më shumë se në Euro 2008 (Austri/Zvicër).
Flitet për miliarda euro investime, nga Polonia dhe Ukraina, por dhe fitimet janë të konsiderueshme, aq sa mund të flasim për një turizëm futbollistik. Cila është formula magjike?
Për mendimin tim, një gjetje interesante është zhvillimi i kampionatit në dy vende të ndryshme, pra Poloni dhe Ukrainë, dhe këtu UEFA ka ndjekur edhe një logjikë ekonomike, pasi futbolli, përveçse është një lojë, ndikon drejtpërdrejtë edhe në zhvillime të caktuara ekonomike apo të infrastrukturës. Në të dy vendet besohet se janë investuar rreth 20 miliardë, ku dominon Polonia. Qeveria polake ka shpenzuar disa miliarda euro për ndërtimin nga e para të stadiumeve ku po zhvillohen finalet, duke mos përjashtuar investimet integruese, në funksion të mikpritjes dhe akomodimit të tifozëve. Janë me mijëra që mbërrijnë çdo ditë në Poloni dhe Ukrainë, pra mund të flasim për një turizëm futbollistik. Prania e 1.4 milionë shikuesve në stadiume do të garantojë 125 milionë euro, ose 24% më shumë se në edicioni e kaluar. Të ardhurat nga aktivitetet komerciale, përfshirë dhe sponsorizimet, priten të jenë 290 milionë euro, 1.48% më shumë se katër vjet më parë.
UEFA ka siguruar një mbështetje të gjerë nga ana e sponsorëve. Ku qëndron filozofia e bashkëpunimit?
Ky është numri rekord i sponsorëvë që mbështesin një Kampionat Europian. Janë nëntë sponsorë zyrtarë të Euro 2012, gjigantë të tillë si “Adidas’, “Canon”, “Carlsberg”, “Castrol”, “Hundai-Kia”, “Coca-Cola”, “McDonald” dhe “Sharp”. Hapësira publicitare të veçanta u janë shitur edhe kompanive të tjera, të cilat janë partnerë të UEFA-s, në kompeticione të tilla si Liga e Kampioneve apo Liga e Europës, të tilla si “Mastecard”, apo të tjera. Mesazhi më i qartë, që ne kuptojmë ka të bëjë me faktin se, tani futbolli është i lidhur ngushtë me biznesin. Shkojnë bashkë. Futbolli është një mundësi e mirë për bizneset, për integrimin e tyre. Boll të mendosh se sponsorit janë që nga prodhues vajrash, si “Castrol” dhe deri tek kompania telefonike “Orange”, apo prodhues birrash, etj.. Spektri i kompanive është gjithmonë dhe më i gjerë. Në të tetë qytetet ku zhvillohen ndeshjet, por jo vetëm aty, janë krijuar zonat e tifozëve, apo fanzonat.
Europiani po ndiqet masivisht nga tifozë të ekipe pjesëmarrëse, madje flitet për 30 mijë gjermanë, 25 mijë irlandezë, 20 mijë rusë, 20 mijë holandezë. Si arrijnë t’i menaxhojnë këto turma gjigante?
Futbolli përveç spektaklit në fushë nga lojtarët, ofron edhe një spektakël në tribuna, apo në prag apo post-ndeshjet e tyre. Dhe këtë e bëjnë tifozët. Çdo komb është krenar për Përfaqësuesen e tij, ashtu si çdo tifoz për Kombëtaren e tij. Është në natyrën e tyre të shpenzojnë për fanellat e Kombëtares së tyre, kapele, shaje apo aksesorë të tjerë. Boll të shohësh sesi ata lyhen me bojë, duke vizatuar fytyrën e tyre dhe kupton pasionin dhe pse jo, çmenduritë që ata janë gati të bëjnë. Kjo bën atë që, futbolli të shkojë përtej moshës dhe gjinisë. Me një fjali: futbolli i bashkon të gjithë. Politikat që ndjek UEFA janë shumë të gjera dhe të thella, e në projektet e saj përfshihen nga krijimi i kushteve për fëmijët, deri tek ato me karakter social.
Përse do të mbahet mend ky Europian, nga këndvështrimi jo futbollistik?
Është normale që, çdo eveniment të ketë të veçantën e tij. Botërori 2010 i Afrikës së Jugut do të mbahet mend për vuvezelat, boritë e famshme, kurse ky Europian do të mbahet mend për fansat. I kemi parë të lyer me ngjyrat kombëtare, madje me fantazitë nga më të pabesueshmet. Është shndërruar në një industri, sa fitimprurëse, por dhe artistike, në krijimin e dekorit.
Janë përcaktuar tetë ekipet çerekfinaliste, me çiftin e parë që luan sot, Çeki-Portugali. Si i keni parë 24 ndeshjet në grupe?
Në gjykimin tim them, se pamë përplasje të forta qysh në grupe, takime të tilla si Gjermani-Holandë (2-1), Spanjë-Itali (1-1) apo Angli-Francë (1-1). Disa skuadra që, në letër ishin fituese, dështuan në fushë, duke na dëshmuar edhe njëherë se futbolli është i rrumbullakët. Dhe tej parashikimeve që, ne bëjmë në bazë të statistikave apo yjeve që kanë skuadrat ato mund të prodhojnë rezultate të ndryshme. Nuk munguan surprizat. Sa për ilustrim, Holanda është jashtë, ndërkohë që Greqia apo Çekia vazhdojnë Europianin. Tani jemi në fazën më kritike, pasi skuadrat nuk kanë më mundësi të bëjnë llogari. Duhet të japin maksimumin e tyre.
Europiani dhe Shqipëria
Shqipëria nuk ka mundur të marrë kurë pjesë në finalet e një kompeticioni të madh, Europian apo Botëror. Por, megjithatë këto turne kanë një ndikim të dukshëm te futbolldashësit shqiptarë. “Dua të kujtoj një shkrim të gazetës britanike ‘The Guardian’, - thotë Malo. - Ajo kishte nxjerrë konkluzionin se, Shqipëria është një vend i çuditshëm përsa u përket tifozëve. Skuadra e saj nuk ka marrë pjesë kurrë në një Europian apo Botëror, por tifozët e saj i sheh me fanellat e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Francës apo dikujt tjetër”. Malo tha se, kompani shqiptare që prodhojnë birrë janë duke nxjerrë fitime të mira nga konsumi.
1.3 miliardë euro të ardhura
“Poloni-Ukrainë 2012” do të jetë edicioni më i pasur i të gjitha kohërave të 14 Kampionateve Europaine të futbollit, falë 1,3 miliardë eurove të arkëtuara, ku 84% prej tyre vijnë nga komercializimi i të drejtave dhe aktiviteteve tregtare. Shitja e të drejtave televizive do të sjellë 840 milionë euro, ose 4.8% më shumë se në Euro 2008 (Austri/Zvicër). Të ardhurat nga aktivitetet komerciale, përfshirë dhe sponsorizimet, priten të jenë 290 milionë euro, 1.48% më shumë se katër vjet më parë. Prania e 1.4 milionë shikuesve në stadiume do të garantojë 125 milionë euro, ose 24% më shumë se në edicioni e kaluar.
Vlera e lojtarëve, 3.7 miliardë euro
Futbollistët e 16 skuadrave që marrin pjesë në finalet e Euro 2012 kanë një vlerë totale prej 3 miliardë e 756 milionë euro.
Kombëtarja më e shtrenjtë është ajo e Spanjës me 653 milionë euro, e ndjekur nga Gjermania me 469 milionë euro. Anglia kushton 394 milionë euro, ndërsa Portugalia 332 milionë euro. Irlanda është skuadra që kushton më pak, 79 milionë euro. Grupi më i shtrenjtë është ai C: Spanjë, Itali, Kroaci dhe Irlandë kushtojnë 1 miliard e 180 milionë euro. Grupi B: Gjermani, Portugali, Holandë dhe Danimarka vlejnë 1 miliard e 175 milionë euro.
Grupi D: Angli, Francë, Ukrainë dhe Suedi shkojnë në 934 milionë euro. Grupi A: Rusi, Çeki, Poloni dhe Greqi, 437 milionë euro.
Lojtari më i shtrenjtë në Euro 2012 është portugezi Kristiano Ronaldo, 90 milionë euro.
Shifrat e Euro 2012
31 ndeshje gjithsej. Europiani nisi në Varshavë, ndërsa finalja do të luhet në Kiev.
8 stadiume ku do të zhvillohen ndeshjet e Euro 2012: 4 në Poloni dhe 4 në Ukrainë.
13 skuadra janë vendosur me kampingjet e tyre në Poloni, ndërsa vetëm tre në Ukrainë.
8 kg peshon kupa që do t’i jepet skuadrës fituese. Trofeu është argjend i pastër.
432 g peshon Tango 12, topi zyrtar i kampionatit, i dizenjuar dhe prodhuar nga “Adidas”.
600 euro çmimi për një biletë tribune në finale, ndërkohë që më e lira ishte 30 euro.
1,4 milionë bileta të shitura për 31 ndeshjet e Europianit
200 vende kanë blerë të drejtt televizive, ku në to përfshihet edhe Televizioni shqiptar.
3,3 miliardë euro të shpenzuara për stadiumet në Ukrainë. Dy janë të rinj dhe dy të rikonstruktuar.
15 miliardë euro janë shpenzuar për të ndërtuar katër stadiumet dhe infrastrukturën në Poloni.
1.3 miliardë euro fitimet e UEFA-s nga ky kampionat, 4.8% më shumë se në Euro 2008.




