Spanja dhe Italia u bashkuan me Çekinë, Greqinë, Gjermaninë dhe Portugalinë në tetë më të mirat e Euro 2012-s. Neser do të priten edhe dy biletat e fundit të çerekfinaleve, ku do të jenë dy midis Francës, Anglisë dhe Ukrainës.
Edhe pse gjatë ditëve të fundit u fol shumë për një barazim hipotetik 2-2 midis Spanjës dhe Kroacisë, e që do të nxirrte jashtë loje Italinë, “skenari hollivudian” nuk ndodhi, pasi Italia fitoi 2-0 me Irlandën (tri humbje në tri ndeshje), ndërsa Spanja mposhti me një gol të vonshëm Kroacinë.
Pas ndeshjeve të treta, Spanja e mbylli në vend të parë me 7 pikë, Italia e dytë me pesë pikë, Kroacia 4 (e eliminuar nga Europiani) dhe Irlanda me zero pikë.
Italia shënoi ne minuten e 35-te golin e shumëpritur. Mesfushori veteran i Juventusit, Andre Pirlo ekzekutoi një goditje këndi, sulmuesi i Milanit, Antonio Kasano, goditi me kokë në shtyllën e parë, duke bërë të panevojshme tentativat e shpëtimit të Givën dhe Daf, pasi topi më parë kishte kaluar linjën ajrore të portës. 1-0 për Italinë, kur ndeshja tjetër, ajo Kroaci-Spanjë vazhdonte të ishte 0-0.
Në këtë moment, Italia është e kualifikuar së bashku edhe me Spanjësn, pasi kishte shënuar dy gola në takimet direkte. Pjesa e dytë nisi me një rast të mirë për Italinë, Balzarareti fton Kasanon, me këtë të fundit që gjuan me të djathtën në qendër, Shej Givën ishte në pozicion.
Prandeli hodhi në minutën e 74-t, Mario Balotelin në vend të Di Natales, sulmuesi me ngjyrë i Italisë u fishkëllye nga tifozët irlandezë.
Në minutën e 89-të, Endrjus i Irlandës u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuq, ndërkohë që një minutë më pas, Mario Baloteli, i anatemuari i madh vulosi fitoren 2-0 dhe kualifikimin e Italisë në çerekfinale.
Takimi tjetër, Kroaci-Spanjë (0-1), u vendos nga një gol i vonshëm i Navasit.




