Dash FRASHËRI (Gazeta "Telegraf") - Kombëtarja U-21 regjistroi një barazim (0-0) historik me Rusinë në Moskë, për eliminatoret e Euro 2013, kundër një prej ekipeve më të mira të Europës për këtë moshë.
Trajneri i Shpresave, Skënder Gega, theksoi për gazetën “Telegraf” se, “një pikë në Moskë është një arritje e madhe”. “Ishte një paraqitje dinjitoze. Mendoj se tani mund të flasim për një ekip me fizionomi loje”, - tha Gega. Shqipëria në katër ndeshjet e drejtuara nga ish-mbrojtësi i Partizanit, ka arritur dy barazime dhe dy humbje, kundër dy gjigantëve si Rusia dhe Portugalia. Shumëkush e quan një rilindje të Shpresave.
Zoti Gega, në dy ndeshjet e fundit të saj, Kombëtarja U-21, të cilën ju drejtoni, humbi 3-1 në Portugali dhe barazoi 0-0 në Rusi. Cili është vlerësimi juaj në lidhje me paraqitjen?
Të katër ndeshjet e fundit të Shpresave kanë qenë më këto dy skuadra, që janë jo vetëm më të mirat e grupit tonë, por dhe dy nga më të mirat në Europë në nivel moshash. Në ndeshjen kundër Portugalisë u përpoqëm të bënim më të mirën tonë, pasi kishim ndërtuar edhe një strategji të qartë taktike, pasi e dinim sesi ajo do të luante përballë nesh. Për fatin tonë të keq pësuam dy gola të shpejtë, për mungesë të vëmendjes të mbrojtjes. Reaguam, duke shënuar golin tonë, por ai nuk mjaftoi. Gjithsesi, jam i kënaqur me atë që dhamë kundër Portugalisë, pasi ai është një ekip i fortë. Treguam se me pak më shumë besim te vetja mund të kishim marrë më shumë. Unë personalisht, jam i kënaqur nga paraqitja e disa lojtarëve tanë.
Një barazim historik u konsiderua ai kundër Rusisë në Moskë...
Ndeshja kundër Rusisë ishte krejt tjetër. Me mungesën e Vajushit dhe të Balajt, u munduam për të ndërtuar një ekip efikas, duke nxjerrë dhe mësimet që morëm nga ndeshja kundër Portugalisë. Skuadra ishte gjatë gjithë kohës nën trusninë e Rusisë, pasi ajo e kërkoi me ngulm fitoren. Arritëm ta përballonim me sukses. Portieri Frashëri u tregua vendimtar në shumë raste. Bëri paraqitje të mirë dhe u vlerësua dhe nga trajneri rus. Mendoj se, një pikë në Moskë është një arritje e madhe. Kishte kaluar shumë kohë që, një skuadër merrte pikë në Rusi. Pikërisht, këtë na e thanë drejtuesit e Federatës Ruse të Futbollit.
Duke i bërë një bilanc katër ndeshjeve të Shpresave nën drejtimin tuaj, keni arritur dy barazime dhe dy humbje, por ajo që vlen më shumë janë paraqitjet dinjitoze të skuadrës ndaj dy gjigantëve të kontinentit, pas i humbja me Rusinë në Durrës erdhi nga pika e bardhë. Cilës është post-gjykimi i Gegës?
Kundër Rusisë, në Durrës, ishte ndeshja ime e parë në drejtimin e Kombëtares U-21 dhe koha ishte e pamjaftueshme për ta organizuar atë takim. Sot, pas gati tetë muajsh, mund të them se, mund të kishim bërë më tepër. Kjo duke e riparë zhvillimin e takimit. Jam i bindur se mund ta kishim arritur barazimin. Me Portugalinë zhvilluam një ndeshje shumë të mirë në Durrës (barazim 2-2) dhe një humbje të pranueshme në Portugali (3-1).
Kombëtarja U-21 ka bërë një paraqitje me dy pamje. Nën drejtimin e Artan Bushatit pamë një skuadër apatike, edhe pse fituam një ndeshje me Moldavinë. Çfarë ka ndryshuar?
Lojtarët. Për fat të mirë ka ardhur një grup i ri lojtarësh, që zotërojnë cilësi të mira futbollistike dhe të talentuar. Besoj se, kam përzgjedhur pjesën më cilësore, si nga kampionati shqiptar, por dhe të atyre që luajnë jashtë. Kemi ndërtuar një miks midis grupit që mbeti dhe prurjeve të reja. Në edicionin e ri, grupi aktual do të jetë më i rritur dhe me më shumë eksperiencë.
Gjeografia e lojtarëve është e gjerë, përfshirë dhe lojtarë kosovarë...
Po, kemi kosovarë që luajnë në Zvicër, si Shpend Matoshi apo Mërgim Bajraktari, por dhe kemi Gjelbërim Taipin që luan në Maqedoni, te Shkëndija e Tetovës, një lojtar i lindur në Preshevë.
Duke i parë repartet, kë do të veçonit. A kemi një mbrojtje më të sigurt, një mesfushë më krijues apo një sulm më efikas?
Në fakt, kjo varet nga ndeshjet. Në Portugali, patëm një mesfushë më krijuese, ndërsa në Rusi, reparti i mbrojtjes ishte me efikas. Ky është problemi ynë që, jo në të gjitha ndeshjet paraqitemi njësoj. Çdo ndeshje del një problem i ri që, duhet korrigjuar më pas. Duhet punuar shumë, pasi çarjet në mbrojtje, apo në mesfushë.
A mund të flasim për një rilindje të Shpresave?
Kombëtarja po ndërton fizionominë e saj. Në dy ndeshjet e fundit, besoj se, e kemi treguar këtë. Lojtarët janë duke i përvetësuar ato ide që, po u transmetojmë. Kjo duke parë dhe realitetin tonë.
Raport i shkëlqyer me De Biazin
Tekniku i Shpresave, Skënder Gega, dhe trajneri i Kombëtares A, italiani Xhani De Biazi, kanë një komunikim thuajse të përditshëm me njëri-tjetrin. “Më merr shpesh në telefon, - tha Gega. - Me De Biazin komunikuam edhe gjatë përgatitjeve për ndeshjen me Rusinë, përmes komunikimit online me Skype, duke ofruar ndihmën e tij e duke na dhënë këshilla. Edhe pas ndeshjes bashkëbiseduam. Është një trajner që interesohet deri në detaje. Është shumë i interesuar për lojtarët në përgjithësi. Kemi vendosur një raport të mrekullueshëm.
“Spanja dhe Gjermania, më të mirat”
Trajneri Gega është një ndjekës “profesionist” i Kampionatit Europian, pasi siç thotë ai, mban shënime të vazhdueshme, që fillojnë nga skemat e vendosjes në fushë, e deri në interpretimin e lojës nga ana lojtarëve. Euro 2012 ka konsumuar ndeshjet e dyta, pra gjysmën e 31 sfidave që janë në total, dhe çdo skuadër ka luajtur nga dy herë. “Kualiteti është ai që bën diferencën në çdo ekip, - tha Gega. - Dhe për mua, dy më cilësoret janë Spanja dhe Gjermania. Pjesa tjetër e skuadrave ka shfaqur probleme. Italia luajti shumë e disiplinuar ndaj Spanjës, por kundër Kroacisë nuk mundi ta mbronte avantazhin, edhe pse pati disa mundësi për ta mbyllur ndeshjen. Është një grup shumë i vështirë”. Gega tha se, ai personalisht nuk ndihej dhe aq shumë i zhgënjyer më dy humbjet e Holandës. “Ka disa vite që ajo ka probleme të brendshme. Kjo varet nga shumë faktorë, që nga mënyra e konceptimit të Kombëtares, disiplina, mentalitet. Franca dhe Anglia besoja se do të jepnin më shumë, janë poshtë Spanjës dhe Gjermanisë”. Në lidhje me performancën e Rusisë, Gega tha: “Rusia gjithmonë ka bërë paraqitje të mira në Europiane. Këtë edicion ka një ekip shumë të mirë. Ka lojtarë me përvojë dhe të talentuar, luajnë në disa nga kampionatet më të mira të Europës. Gjithsesi, ekipet e mëdha duken përballë ekipeve të mëdha”. Gega është tifoz i Spanjës. “Më pëlqen për lojën që bën, por tani si trajner shikoj dhe mbaj shënime çfarë kanë të mirë të gjitha skuadrat, për qëllimet e mia”.




