HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Saimir Dauti: Ju tregoj legjendën Medin Zhega

Dauti: Si futbollist Medin Zhegën e njeh e gjithë Shqipëria, ka qenë lojtar i përmasave të mëdha.

  • 1 komente
Saimir Dauti është një nga miqtë e vjetër të Medin Zhegës. “Qysh nga turneu i Kinës, në vitin 1965. ishte i pa kursyer për të ndihmuar, si në ecurinë e skuadrës, por dhe në jetë shoqërore”, - thotë për gazetën “Telegraf” ish-lojtari i Dinamos, kampion në sezonin 1966-1967. “Si futbollist Medin Zhegën e njeh e gjithë Shqipëria, ka qenë lojtar i përmasave të mëdha. Por, unë dëshiroj të flas për të, si një shok të hershëm dhe mik të vjetër”. 

Zoti Dauti, ju keni qënë në një futbollist bashkëkohës i Medin Zhegës, si e keni njohur atë?

Ishte një nderi i dashur. Një djalë që, gjithmonë e karakterizonte humori, sinqeriteti. Mbi të gjitha, Zhega, ishte i pa kursyer për të ndihmuar, si në ecurinë e skuadrës, por dhe në jetë shoqërore. Ka pasur virtyte të veçanta. Kishte karakter të fortë. Të dhuronte respekt, ashtu si të gjithë e respektonin atë. Ishte një djalë që te jepte dashuri. Këtë respekt, ai transmetoi edhe në familje e tij, tek dy djemtë e tij, tek bashkëshortja e tij. Dinin, ne sot, do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, por unë do të thosha se, ai do të ndahet fizikisht nga familja dhe miqtë e tij. Ai do të mbetet përjetë në kujtesën tonë.

Si ka qenë si futbollist?

Përsa i përket anës sportive, Medin Zhega ka qenë i rrallë. Një futbollist, që kishte cilësi të veçanta, sidomos në goditjet me kokë, që ishte dhe pika e fortë e tij. Janë të rrallë futbollistët në Shqipëri, që kanë pasur goditje precize. Një nga këta ishte dhe Agim Murati i Partizanit, dhe ky i ndarë nga jeta para kohe. Agustin Kola dhe Ali Mema kanë qenë futbollistë, të cilët kanë qenë mjeshtër të goditjeve me kokë. Përveç kësaj, Dini ka qenë një futbollist, që dëshironte të ndihmonte të rinjtë, gjatë procesit stërvitor.

Po, si trajner?

Ka qenë i mrekullueshëm me Kombëtaren. Fitoi me Greqinë 2-0 në Tiranë, në tetor të vitit 2000 (eliminatoret e Botërorit 2002), një fitore që bëri bujë të madhe, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në mediat ndërkombëtare. Është një nga ndeshjet më të mira të Kombëtares. Të gjithë e kujtojnë atë takim të famshëm me Gjermaninë, në Karlsruhe, kur humbëm 2-1, por me një ndeshje të vendosur nga një gol i minutave të fundit nga Miroslav Kloze. Zhega u shfaq si një gjigant, në atë stadium, kur qëndroi në pistë për minuta të tëra nën rrebeshin e shiut. Ishte një ish-futbollist dhe një trajner i përmasave të mëdha për futbollin shqiptar. 


Alban Bushi: “Me Zhegën mundëm Greqinë”

Alban Bushi, golashënuesi i dytë më i mirë i Kombëtares shqiptare (14 gola), tashmë në rolin e menaxherit të Përfaqësueses kuqezi, është një nga ata që ka luajtur me kuqezinjtë e drejtuar nga Medin Zhega, madje ka shënuar. Ja si e kujton “Loku”: “Në radhë të parë, dëshiroj të ngushëlloj familjen e Zhegës, pasi janë ata që e ndiejnë më shumë dhimbjen. E konsideroj një humbje të madhe për sportin, por dhe për mua personalisht, pasi kam luajtur thuajse dy vjet nën urdhrat e tij, kur presor Dini drejtoi ekipin Kombëtar. Kam qenë në ditët më të mira të mia me Kombëtaren dhe me Zhegën e madh kam kaluar shumë mirë. Kemi pasur momente të mira, por gjithashtu dhe të hidhura. Dua të kujtoj fitoren 2-0 me Greqinë (11 tetor 2000, eliminatoret e Botërorit 2002), ku unë edhe shënova golin e parë të ndeshjes. Dua të kujtoj edhe fitoren 2-0 në Turqi, në Gaziantep (25 prill 2001, golat nga Bushi dhe Skela). Një ndeshje tjetër është dhe ajo kundër Anglisë. Kam kujtime shumë të mira. Gjithsesi, në këto momente shpesh fjalët të mungojnë, por unë jam i bindur se ai do të mbetet një figurë e respektuar. Është pjesë e historisë së Kombëtares dhe futbollit shqiptar.”. 

Blendi Nallbani: “Trajner i përkushtuar”
Ish-portieri i Tiranës dhe i Partizanit, por dhe i ekipeve kombëtare të moshave dhe ai A, Blendi Nallbani, tha: “Me profesor Zhegën njihesha prej 20 vjetësh, qysh kur kam qenë 17 vjeç. Ishte trajneri i parë, që më ka marrë në ekipin Kombëtar të rinjve, kur ai punonte së bashku me Shyqyri Rrelin. E kujtoj si një njeri mjaft pozitiv dhe tepër të përkushtuar ndaj futbollit. Ruaj një respekt të jashtëzakonshëm për atë njeri. Nën urdhrat e Zhegës kam luajtur në vitin 1988, kur u bë një kampionat me pesë shtete në Konstanca të Rumanisë. Zhega ishte bashkëtrajner me Vasil Bicin. Në atë kohë, unë luaja me Shpresat dhe ekipin e parë. Më ka fut qysh në moshë të vogël në ekipin e parë të Kombëtares”.


 

TOPI
“Kam pasur njohje të drejtpërdrejtë, duke pasur rastin që të ma rrisë mundësinë për ta vlerësuar atë në radhë të parë si njeri me karakter të fortë, gjë të cilën ai e demonstroi jo vetëm në botën e sportit, por edhe në politikë”.

BERISHA
“Në drejtimin e kombëtares shqiptare Medini, me mjeshtërinë e tij, organizimin, disiplinën ja doli qe ekipi ynë të luaj ndeshje të shkëlqyera që mbahen gjithnjë mend nga simpatizantët e saj në Shqipëri dhe jashtë saj”.

TOPALLI
"Zhega ishte një njeri ndër më të dashurit për qytetin dhe skuadrën e tij, për kombëtaren, për çdo shqiptar. Na ka dhënë shumë emocione. Ishte një shqiptar i jashtëzakonshëm. Na përfaqësoi në mënyrë dinjitoze”.
BASHA
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se “trashëgimia që ka lënë Medin Zhega, e bën atë të pavdekshëm”. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi: “Zhega ishte një njeri me energji të mëdha”. 





#1 adriatik shabanej01/02/2013 13:27 Pergjigjuni

nder trajneret me te mire shqiptare.do te mbetet i pa harruar ne zemrat e shqiptareve.

  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.