Fatmir Frashëri: “Zhega,
prodhim “Made in Shkodra”
Fatmir Frashëri, një nga mbrojtësit legjendarë të Tiranës, por dhe trajner kampion me Tiranën dhe Dinamon, ruan kujtimet më të mira për Din Zhegën. “Ruaj kujtimet më të mira për Dinin. Edhe kur kemi luajtur në një skuadër bashkë, por dhe kur kemi qenë kundërshtarë. Ishte një lojtar që, i kalon përmasat e një futbollisti profesionist. Një lojtar ‘Made in Shkodra”, një qyteti që ka pasur një sistem të mirë zinxhir. Ruaj një respekt të jashtëzakonshëm. Por, jeta qenka e tillë”. Medin Zhega ka luajtur për Tiranën, në ndeshjen kundër Ajaksit, madje ka realizuar edhe një gol kundër holandezëve në barazimin 2-2 për Ligën e Kampioneve, në shtator të vitit 1970. “Vetë prania e Zhegës, që vinte nga Dinamo, te një skuadër te Tirana, tregonte se ishte një lojtar me vlera. Konsideratat për të ishin të larta”. Frashëri ka luajtur si mbrojtës, ndërsa Zhega një sulmues tipik. Frashëri kujton disa momente në përballjet me të: “Zhega ishte një driblues i mrekullueshëm, madje kujtoj një rast, kur me një veprim inteligjent, bëri sikur do të lëvizte nga një drejtim tjetër dhe ma futi topin përmes këmbeve. Kjo ndodhi në një ndeshje midis Tiranës dhe Dinamos. Kur mbaroi aksioni, i thashë: ‘Din, mos e bëj më këtë gjë’. Gjithmonë më pas, ma kujtonte: ‘Kujdes shalët”! Frashëri tha se Zhegës i pëlqente shumë humori dhe ishte gojëmbël. Si Zhega, ashtu dhe Frashëri kanë luajtur së bashku në disa ndeshje me ekipin Kombëtar të futbollit në vitet 1965-1971: “Ka qenë një lojtar cilësor, ndryshe nuk do të ishte pjesë e ekipit Kombëtar”.
Mikel Janku: “Vuloste me gola”
Mikel Janku, ish-portieri i Partizanit dhe i Kombëtares (në vitet 1964-1967, 9 ndeshje), ka luajtur së bashku me Medin Zhegën në përfaqësuesen shqiptare. “Kemi luajtur së bashku, kur Dini ishte në fillimet e veta. Kam të fiksuar ndeshjen e vitit 1965, kur luajtëm kundër Irlandës së Veriut (1-1, 24 nëntor 1965), dhe ku Zhega bëri gol. Një gol i mrekullueshëm, një planzhon i Dinit, gati futi kokën midis këmbëve të kundërshtarit. Ky është një nga episodet e parë që, Dini filloi të vendoste vulën e tij në rezultatet e ndeshjeve. Ai përveçse ishte një lojtar i madh, trajner dhe drejtues i përsosur, ai ishte një njëri i mirë, në kuptimin e plotë të fjalës. I respektueshëm, tolerant. Një qytetar shkodran, me një kulturë të gjithanshme”.
Miço Papadhopulli: “Trajner intelektual”
Miço Papadhopulli, ish-mbrojtës kampion me Partizanin dhe ish-Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, sot president nderi i saj, tha: “Me Medin Zhegën na lidh futbolli. Kemi luajtur shpesh kundër njëri-tjetrit. Ai me Vllazninë, unë me Partizanin; ai te Dinamo, unë të Partizani. Me Dinin më ka bashkuar puna e tij si trajner i ekipit Kombëtar, në kohën kur unë isha Presidenti i FSHF-së. Dini nuk mbetet vetëm një futbollist i madh i Kombëtares, por dhe një njeri shumë i mirë. Ishte një futbollist intelektual. Ishte një trajner që kishte bërë kurse në Austri dhe në Gjermani. Një figurë shumë e madhe. Do të mbetet si një njeri që ka dhënë kontribute në sportin shqiptar”.
Ismet Hoxha: “Lojtar modern”
Ismet Hoxha, një ish-kampion me Vllazninë në sezonet 1971-1972 dhe 1973-1974, njëherësh dhe bashkëlojtar me Medin Zhegën, tha: “Nuk është një humbje e madhe vetëm për familjen, por dhe për futbollin shkodran dhe atij shqiptar. Ai ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë Zhega i madh! Një njeri i sinqertë, i drejtë dhe shumë punëtor. Me Medinin kam luajtur nga viti 1966 dhe deri kur unë kam lënë sportin, në vitin 1977. Në sezonin 1972, fituam së bashku edhe me Zhegën, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa në sezonin 1973-1974 fituam kampionatin”. Hoxha tregon dhe për cilësitë sportive të Zhegës: “Ka pasur goditje të shkëlqyera me kokë, driblues dhe gjuante me të dyja këmbët, një futbollist i kompletuar, një lojtar modern”. Zhega u zgodh në 11-shen e shekullit me rastin e 90 vjetorit të futbollit shkodran.
FSHF-ja: “Pjesë e historisë sonë!”
DUKA- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, tha për profesor Dinin. “Për kontributin që ai ka dhënë dhe, se çfarë ai ka lënë në histori, në një lloj mënyre ne duhet t’i themi se duhesh të prehesh i qetë, pasi dhe shumë për shoqërinë shqiptare”.
PRODANI - Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani: “Ka qenë një njeri shumë i komunikueshëm dhe tepër i predispozuar për të bashkëpunuar. Ruaj kujtimet më të mira nga marrëdhëniet me Zhegën e madh. Ishte i gatshëm të angazhohej dhe të kontribuonte për çdo gjë”.
SHULKU - Ilir Shulku, Shefi i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka qenë një ndër lojtarët e Kombëtares U-21, të drejtuar në asokohe (1984-1989) nga Medin Zhega. “Kishte një personalitet të jashtëzakonshëm si trajner dhe të impononte respekt”.
TROSHANI - Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ritvan Troshani, njëherësh edhe kryetari i Bordit të Shoqërisë Aksionare, që administron Vllazninë, klubin ku u formua dhe fitoi tituj Medin Zhega, tha: “Me Shkodrën, Zhega pati një lidhje të veçantë në shumë aspekte”.




