HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

Lamtumire Medin Zhega!

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare (1999-2001), ndërroi jetë sot, në moshën 66-vjeçare

  • 0 komente
Medin Zhega, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare (1999-2001), ndërroi jetë sot në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, në moshën 66-vjeçare, pasi një sëmundje të gjatë, qysh kur ai ra në koma, më 5 maj të vitit të kaluar, për shkak të një goditje fatale në kokë, gjatë së cilës dëmtoi rëndë edhe shtyllën kurrizore, në një vizite private te djali i tij në Toronto të Kanadasë.

Zhega, një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar, me një karrierë të gjatë si lojtar (1963-1979) dhe mbi 30 vjeçare si trajner, nuk arriti ta përballonte dot gjendjen e paralizës së përgjithshme me gjithë kujdesin e jashtëzakonshëm dhe trajtimin e specializuar të mjekëve, të kryesuar nga neuro-kirurgu Prof.Dr. Mentor Petrela, Drejtori i Shërbimit të Reanimacionit.

Gjatë qëndrimit të tij disa mujor në koma në Kanada, ai mbërriti në Shqipëri me një avion special. Gjatë shtrimit në spital në Shqipëri, ikona e futbollit shkodran dhe Kombëtares shqiptare u vizitua nga shumë dashamirës të futbollit dhe u respektua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Medin Zhega gjatë karrierës së tij futbollistike 1963-1979 ka dalë pesë herë kampion i vendit: tri herë me Vllazninë (1971-1972, 1973-1974, 1977-1978) dhe po dy herë me Dinamon (1975-1976 dhe 1977-1978).

Ai ishte fituesi i “Këpucës së Artë” në sezonin 1966-1967, duke shënuar 19 gola për Vllazninë.

Zhega, i cili kishte një cilësi të jashtëzakonshme në goditje, sidomos ato me kokë, duke veshur fanellën e Kombëtares shqiptare në 9 ndeshje në periudhën 1965-1971, pikërisht kundër Zvicrës (1), Irlandës së Veriut (1), Jugosllavisë (2) RFGJ-së (2), Polonisë (2), Turqisë.


Medini ishte autor 2 golave me kuqezinjtë: Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-1 (24 nëntor 1965) dhe Shqipëri-Poloni 1-1 (12 maj 1971).

Zhega ka luajtur edhe në kualifikueset e Lojërave Olimpike të Munihut, kundër Rumanisë nën urdhrat e trajnerit të madh, Loro Boriçi.

Zhega ka spikatur me lojën e tij edhe në kompeticionet ndërkombëtare në nivel klubesh, ku ka luajtur për fanellat e Vllaznisë dhe Dinamos. I veçantë është goli i tij kundër Ajaksit të famshëm të viteve 1970, por duke luajtur si lojtar i Tiranës (2-2, 16 shtator 1970). Zhega ka shënuar dy gola në Ligën e Kampioneve, kundër Ajaksit me Tiranën dhe kundër Austrisë së Vjenës me Vllazninë.

Si trajner i Kombëtares, Zhega pasoi Astrit Hafizin, për t’ia dorëzuar Sulejman Demollarit. Në gjashtë ndeshjet zyrtare (2000-2001) për eliminatoret e Kupës së Botës 2002, Kombëtarja e drejtuar nga Zhega, fitoi 2-0 me Greqinë në Tiranë (11 tetor 2000, golat nga Bushi dhe Fakaj) si dhe humbi 2-1 me Finlandën në Helsinki, 1-0 me Greqinë në Athinë, 3-1 me Anglinë në Tiranë, 2-0 me Gjermaninë në Tiranë, si dhe 2-1 me Gjermaninë në Karlsruhe.

Në këtë të fundit, pamjet e tij stoike në pistë në një shi të rrëmbyeshëm u transmetuan herë pas herë nga televizioni gjerman. Në atë ndeshje, Gjermania fitoi 2-1 me një gol të minutës së 87-të të realizuar nga Miroslav Kloze, me golin e tij të parë ndërkombëtar. Talenti Sebastian Daisler shënoi për Gjermaninë (50’), por Bledar Kola barazoi në të 65’.



Zhega ka drejtuar edhe Kombëtaren U-21 në periudhën 1984-1988.

Shqipëria ka fituar vetëm dy trofe ndërkombëtare në futboll: Kampionatin Ballkanik 1946, me trajner serbin Ljubisha Broçiç), si dhe Turneun “Rothmans” 2000 të zhvilluar, me trajner Medin Zhegën.

Shqipëria fitoi në të turne 3-0 me Andorrën (golat nga Edmond Dalipi, Rudi Vata, Roland Zajmi), 1-0 me Azerbajxhanin (goli nga Edvin Murati) dhe 1-0 me Maltën (goli nga Vioresin Sinani).

Në ndeshjet miqësore të tij, spikat dhe një 2-0 ndaj Turqisë, në Gaziantep (25 prill 2001), me golat e Alban Bushit dhe Ervin Skelës.


Zhega e ka drejtuar Vllazninë si trajner, po ashtu me Prishtinën e Kosovës (Janar-qershor 2002) dhe Shkëndijën e Tetovës (korrik-dhjetor 2002). Në Gjermani ka drejtuar ekipin amator Bad-Tolk Klub.

Zhega, i lindur më 31 janar 1946, në Shkodër, u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Kimi-Merceologji si dhe kreu studimet e larta edhe në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve).

Në vitin 1981 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri, ndërsa në vitet 1984-1986 ka punuar si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2001-2010 ai ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Zhega mban titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Në vitin 2009, për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportësh “Vllaznia”, ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës.

Për nder të tij, pak muaj më parë në Shkodër u zhvillua edhe “Kupa Medin Zhega”, midis gazetarëve shkodranë (fitues) dhe atyre të Radio Televizionit Shqiptar.




  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.