Italia dëshmoi se mbetet një “kockë e fortë” për Spanjën (1-1), në ndeshjen hapëse të grupit C, në Euro 2012, me Kampionen e Botës dhe të Europës që nuk fiton prej 92 vjetësh me “axurrët”. Zëvendësuesi Antonio Di Natale shënoi për Italinë në prekjen e parë të topit në minutën e 60-të, ndërkohë që pas katër mintuash, Spanja gjeti barazimin me anë të Sesk Fabregasit.
Stadiumi “Arena” i Gdanskut dominohej dukshëm nga tifozët spanjollë, gati katër herë më shumë se ata italianë.
Trajneri Çezare Prandeli vendosi të zëvendësojë sulmuesin Mario Baloteli, duke e zëvendësuar atë me Antonio Di Natalen, ky i fundit ia shpërbleu besimin teknikut të tij, teksa shënoi pas gjashtë minutash. Andrea Pirlo dha një pasim madhështor për Di Natalen, i cili me një veprim të bukur trupor shmangu ndërhyrjen e portierit Iker Kazijas. 1-0 për Italinë.
Spanja goditi meënjëherë. Andres Iniesta goditi nga distanca dhe Xhanluixhi Bufon priti, por në sulmin e radhës, portieri italian u tregua i pafuqishëm për të ndalur Sesk Fabregasin, që barazoi rezultatin pas pasimit të shkurtër të David Silvës. I mbiquajturi “hija e numrit nëntë” bëri punën e tij në mënyrë të shkëlqyer.
Kur kishin mbetur edhe njëzet minuta, mundësitë ishin nga të dyja palët. Zëvendësuesi Fernando Torres vendosi në provë portierin italian Bufon, ndërkohë që disa momente më vonë, Sebastian Xhovino u bllokua në zonë nga ana e Zherard Pikesë, duke i hequr mundësinë për te gjuajtur në kuadrat. Torresit iu dha një tjetër mundësi për të dëshmua se kritikat ndaj tij ishin të gabuara, por ai hezitoi sërish për të fituar duelin një për një me Bufonin.
Italia në pjesën e parë ishte e shkëlqyeshme. Taktikisht ajo ishe e vendosur shumë mirë dhe e detyroi portierin spanjoll Kazijas të bënte katër pritje të mira. Pasi italianët shënuan, Spanja ushtroi më shumë presion duke e rritur ritmin. Të dyja ekipet kishin shanset e tyre për të fituar dhe ishte një ndeshje argëtuese. Barazimi ishte një rezultat i drejtë. Nëse italianët do të vazhdojnë të luajnë kështu dhe do të kalojnë grupin, do të jenë kundërshtarë të vështirë për këdo.
Spanja nuk ishte në të mirën e saj, kjo dhe për faktin se Italia nuk e lejoi të dilte ne lojën saj. Formacioni i Çezare Prandelit ishte dukshëm solid në mbrojtje dhe ishte efektiv në pjesën e dytë, duke qenë një sfidant për titullin e Euro 2012. Italia do të përballet në ndeshjen e radhës me Kroacinë, ndërsa Spanja me Irlandën.




