HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

2000, goli i artë i jep kurorën Frances

Historia e Kampionateve Europiane. Ky ishte kampionati i parë i organizuar nga dy vende bashke

  • 1 komente
Kampionati Europian i vitit 2000 (i 11-ti në radhë) ishte i pari që u organizua bashkërisht nga dy vende, Belgjika dhe Holanda., të cilat fituan mbi kandidaturat e Spanjës dhe Austrisë. Finalet u luajtën nga data 10 qershor deri më 2 korrik 2000. Ashtu si Gjermania katër vjet më parë, edhe Franca e fitoi kampionatin me “gol të artë” ndaj Italisë. Finalja u luajt në stadiumin “King Baduin” (ish-stadiumi “Hejsel”), qysh kur ndodhi fatkeqësia në finalen e Kupës së Kampioneve të vitit 1985. Në fazën finale morën pjesë 16 skuadra. Ndeshjet u luajtën në Holandë u luajtën në Roterdam, Amsterdam, Einhoven dhe Arnhem; ndërsa në Belgjikë, në Bruksel, Bryzh, Sharlërua dhe Liezh. 

ELIMINATORET - Në shortin e hedhur, më 18 janar 1998, Shqipëria bënte pjesë në vazon e 5-të (në të fundit). Në fazën eliminatore morën pjesë 49 skuadra të ndara në nëntë grupe. Fituesit e çdo grupi dhe vendi i dytë më i mirë kualifikohej automatikisht. Katër vendet e tjera u vendosën pas ndeshjeve “play-off”. Belgjika dhe Holanda u kualifikuan direkt si vende organizatore. Shqipëria mori pjesë në grupin 2, prej të cilit u kualifikua direkt Norvegjia, ndërsa Slovenia mbërriti përmes ndeshjeve “play-off”. Skuadrat e tjera të kualifikuara ishin Italia, Gjermania, Franca, Suedia, Spanja, Rumania, Jugosllavia, Çekia, Portugalia, Anglia, Danimarka dhe Turqia. 

GRUPET - Ekipet u ndanë në katër grupe me nga katër skuadra, ku kualifikoheshin për në fazën çerekfinale me eliminim direkt dy të parat. Një nga surprizat më të mëdha të turneut ishte Portugalia, që i fitoi të tri ndeshjet në grupin A, përfshirë edhe atë 3-0 kundër Gjermanisë, me Serxho Konseisao që realizoi një hat-trick. Belgjika, vendi organizator doli menjëherë nga kompeticioni, pavarësisht se fitoi ndeshjen e parë ndaj Suedisë, por humbi me Turqinë dhe Italinë. Holanda, vendi tjetër organizator progresoi ashtu edhe siç parashikohej, ashtu si kampionia e botës, Franca.  
ÇEREKFINALET- Italia dhe Portugalia e ruajtën rekordin e tyre perfekt në çerekfinale, duke mundur Rumaninë dhe Turqinë, ndërsa Holanda fitoi me një ortek golash me Jugosllavinë. Spanja dështoi me Francën; Raul gaboi nga pika e bardhë. Rezultatet: Turqi-Portugali 0-2, Itali-Rumani 2-0, Holandë-Jugosllavi 6-1 dhe Spanjë-Francë 1-2.


GJYSMËFINALET - Italia eliminoi Holandën e në gjysmëfinale (0-0 loja dhe 3-1 me penallti), megjithëse e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë dhe dy penallti të pritura. Portieri Françesko Toldo ishte heroi i ndeshjes, me dy penallite e pritura në serinë e gjuajtjeve, duke e çuar ekipin e tij në finale. Në gjysmëfinalen tjetër, Portugalia humbi në kohën shtesë me Francënm (2-1), pasi Zinedin Zidan konvertoi në gol një penallti të diskutueshme, pra me “gol të artë”. 


FINALJA - Franca e fitoi kampionatin, duke mundur 2-1 Italinë falë një “goli të artë’ të shënuar nga David Trezege, pasi kishte barazuar në minutën e fundit me anë të Viltord (90’+40. Italia shënoi e para me anë të Delvekios (55’). Franca u bë ekipi i parë që e fitoi Kampionatin Europian, duke qenë më Kampione e Botës. Në 31 ndeshjet e finaleve u shënuan 85 gola (2.74 për ndeshje), ishin të pranishëm 1 milionë e 122 mijë e 833 shikues (36 220 për ndeshje). Shënuesit më të mirë ishin Patrik Klajvert i Holandës dhe Savo Milosheviç i Serbisë, të dy nga 5 gola. Lojtari më i mirë i turneut u shpall francezi Zinedin Zidan. Dhjetë kampionatet e mëparshme kishin njohur këta fitues: Euro 1960, u fitua nga Bashkimi Sovjetik; Euro 1964, nga Spanja; Euro 1968 nga Italia dhe Euro 1972, nga Gjermania Perëndimore, Euro 1976 nga Çeksollovakia, Euro 1980 nga Gjermania Perëndimore, Euro 1984 nga Franca, Euro 1988 nga Holanda, Euro 1992 nga Danimarka, Euro 1996 nga Gjermania. 

85 gola 
u shënuan në 31 ndeshjet e finaleve në Euro 2000, me një mesatare 2.74 gola për ndeshje.


3 minuta
i mjaftuan anglezit Pol Skols kundër Portugalisë për të shënuar golin më të shpejtë.
 
5 gola
realizuan holandezi Patrik Klajvert dhe serbi Savo Miloshoviç, më të mirët e finaleve.




Ekipi kampion i Francës

Fabien Bartez, Bernard Lama, Vinsent Kandela, Biksente Lizarazu, Patrik Vieira, Lorent Blank, Juri Xhorkaef, Didier Deshamps, Marsel Desaji, Nikolas Anelka, Zinedin Zidan, Robert Pires, Tieri Henri, Silvan Viltord, Johan Mikud, Lilian Turam, Emanuel Pëti, Frank Lëbëf, Kristian Karembeu, David Trezege, Kristof Dygari, Urlih Rame. Trajner: Rozher Lëmer

Ekipi ideal i Euro 2000

Portier: Francesco Toldo (Itali). Mbrojtës: Lorent Blank (Francë), Fabio Kanavaro (Itali), Lilian Turam (Francë) Paolo Maldini (Itali). Mesfushorë: Patrik Vieira (Francë), Zinedin Zidan (Francë), Figo (Portugali), Edgar Davids (Holandë). Sulmues: Patrik Klajvert (Holandë), Françesko Toti (Itali).







Benelucky, maskoti
 “luan-djall”

Maskoti zyrtar i kompeticionit ishte “Benelucky’, një version i emërtimit të Beneluksit, që paraqiste një luan në formën e një djalli, me flokët e ngjyrosura si kombinim i ngjyrave të flamujve të vendeve organizatore. Luani është emblema e Kombëtares së futbollit të Holandës, ndërsa djalli është emblema e Kombëtares së Belgjikës, nofka e kësaj të fundit quhet “Djajtë e kuq”. 



Europiani i 
“barazimeve” 
për Shqipërinë

Është Europiani i “barazimeve” për Shqipërinë, që pati në bankinë Astrit Hafizin. Janë 4 të tilla në 10 ndeshje. Në përfundim të eliminatoreve, Shqipëria grumbulloi 7 pikë, duke lënë pas Gjeorgjinë, me 5 pikë. Në 10 ndeshje patëm këtë bilanc: 1 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Renditja përfundimtare e grupit tonë: Norvegjia 25 pikë, Sllovenia 17, Greqia 15, Letonia 13, Shqipëria 7 dhe Gjeorgjia 5. Aventura e Shqipërisë nisi keq me humbjen 1-0 me Gjeorgjinë në Tbilisi, por më pas tri barazime bindëse radhazi: 2-2 me Norvegjinë në Oslo (kur ishim 2-0 për Shqipërinë, pas golave të Bushit dhe Tares, e më pas 2-2), 0-0 me Greqinë në Tiranë dhe 0-0 me Letoninë në Riga. Me Norvegjinë humbasim 2-1 në “Qemal Stafa” (gol i Tares), për të vazhduar me dy humbje të tjera rresht me Slloveninë (1-0 në Tiranë, 2-0 në Ljubljana). Barazimi spektakolar 3-3 me Letoninë (2 gola Bushi, një gol Devi Muka, pikërisht në minutën e fundit). Pas humbjes 2-0 me Greqinë në Athinë (6 tetor 1999), pas tri ditësh fitojmë në Tiranë 2-1 me Gjeorgjinë: golat nga Altin Rraklli dhe Bledar Kola, që bënë të pavlefshëm golin e gjeorgjianit Shota Arveladxe. 




GJYSMËFINALET
Portugali-Francë 1-2
(pas kohës shtesë)

Itali-Holandë 0-0
(3-1 me penallti)

FINALJA
(2 korrik 2000, Eindhoven)    
Francë-Itali 2-1
Viltord 90’+4, Trezege 103’/ Delvekio 55’
Franca fitoi me “Gol të Artë”




#1 moisi04/07/2012 05:37 Pergjigjuni

nje mungese serioziteti i kushtoi holandes eleminimin me penallti

  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.