Kampionati maksimal shqiptar - Kategoria Superiore - mund t’i rikthehet strukturës me dhjetë skuadra dhe katër faza, vendim që pritet të merret nga Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e sotme, pavarësisht se jo të gjitha klubet janë dakord për këtë skemë.
Për herë të fundit, një kampionat me 10 skuadra dhe katër faza (36 ndeshje në total) kemi pasur në sezonin 2005-2006, kur kampion doli Elbasani. Qysh atëherë, pesë kampionatet pasardhëse - nga 2006-2007 e deri te ai, 2010-2011 - u zhvilluan me nga 12 skuadra dhe tri faza (33 ndeshje).
MBLEDHJA - Një ditë përpara mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku pritet të sanksionohet edhe skema e kampionatit për sezonin 2013-2014, FSHF organizoi një takim konsultativ me drejtuesit e klubeve për të njohur zyrtarisht edhe mendimet e tyre, përtej deklarimeve në media.
QËNDRIMET - Në mungesë të përfaqësuesve të Skënderbeut (kampion në fuqi), Laçit, Kastriotit dhe Kukësit (debutues në Superligë), klubet kryesore si Tirana, Flamurtari, Vllaznia, Teuta, pa harruar edhe korçarët, që e kanë shprehur qëndrimin në media, janë pro ndryshimit të strukturës me 10 skuadra, pra të reduktimit të katër skuadrave për sezonin 2013-2014, në raport me atë 2012-2013. Tomori dhe Luftëtari (debutues) kërkuan që struktura të mbetet me 14 skuadra. Presidenti i Besës, Nexhat Bixhdili, ai i Bylisit, Besnik Kapllanaj, si dhe Koco Kokëdhima i Apolonisë e braktisën mbledhjen.
DEBATET- Mbledhja konsultative mes drejtuesve të klubeve mbi strukturën që duhet të ketë superiorja në sezonin 2013-2014 e zhvilluar në ambientet e federatës, u shoqërua me debate të ashpra, që fatkeqësisht kaluan edhe në qëndrime personale. Klubet dëshmuan se nuk kanë vullnetin e duhur të hedhin hapat e duhur për të ndërtuar Ligën Profesioniste, e cila formalisht në një version embrional ekzistonte në sezonin 2010-2011. Klubet treguan se nuk kanë forcë të t’i bëjnë oponencë FSHF-së, edhe pse janë ato aktorët e lojës.
AKUZAT- Pas mbledhjes, në një prononcim për mediat, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili tha: “Unë nuk e di se çfarë kërkon të bëjë Federata Shqiptare e Futbollit me në krye zotin Duka (nuk ishte i pranishëm në mbledhje). Problemi qëndron, në është e aftë kjo federatë që të përballojë daljen e gjashtë skuadrave. Zoti Duka nuk po e komandon kampionatin me 14 skuadra. Dihet ajo që po ndodh, dihet dhuna që ndodh dhe dihet se kush doli kampion dhe si doli kampion. Mua më duket sikur Duka është marrë peng nga disa presidentë klubesh. Kur nuk e komandoi dot me 14 skuadra, me 10 do e ketë edhe më të vështirë. Unë jam pro kampionatin me 10 skuadra, por nga ky institucion nuk kam asnjë lloj garancie më. Duka na është bërë si Enver Hoxha. Me një telefon dënon një ekip, me një telefon tjetër liron një ekip nga dënimi”
SKEMA - Qëndrimet e përfaqësuesve të klubeve janë mbajtur shënim nga zyrtarët e FSHF-së, për t’i hedhur në tavolinën e Komitetit Ekzekutiv. Nëse ky komitet do të vendosë për një kampionat me 10 skuadra në edicionin 2013-2014, atëherë në përfundim të sezonit 2012-2013 do të bien direkt pesë skuadra nga Superliga, ndërkohë që vendi i 9-të do të luajë në “play-off” me të dytën e Kategorisë së Parë.
Gjika: “Pse jam për 10 skuadra”
Edhe pse Flamurtari është një nga iniciatorët e një kampionati me 10 skuadra, presidenti i vlonjatëve, Shpëtim Gjika, kritikoi mënyrën sesi Federata Shqiptare e Futbollit e organizoi takimin, pra për kohën e paktë që kishin klubet në dispozicion për të dhënë një vendim sa më profesional. Gjika: “E rëndësishmja është që ne synojmë të kemi një garë të ndershme dhe korrekte. Duke qenë se të gjitha klubet e Superligës janë kthyer në sh.a, duhet të mbizotërojë fair-play financiar. Kështu, edhe Flamurtari ka dhënë ‘ok’ që kampionati i vitit të ardhshëm të zhvillohet me 10 ekipe. Ne jemi plotësisht dakord me këtë strukturë”




