HotelsChecking.com World largest hotel comparison
Edialtour Agjensi:  Ofron Hotele, Bileta Avioni, Paketa Turistike, Ture

1984, Mishel Platini u dhuron lavdinë gjelave

Historia e Kampionateve Europiane. Franca fiton për herë të parë një trofe të madh ndërkombëtar

  • 0 komente
1984, Mishel Platini u dhuron lavdinë gjelave



Kampionati Europian i vitit 1984 (i shtati në radhë) u zhvillua në Francë dhe u fitua po nga vendi organizator, i udhëhequr nga Mishel Platini (sot presidenti i UEFA-s), i cili shënoi nëntë gola në pesë ndeshje. 

Finalet u zhvilluan nga 12 deri 27 qershor 1984 Ndeshjet u luajtën në Paris, Marsejë, Lion, Lens, Nantë, Saint-Etien dhe Strasburg. Në finalet e tij morën pjesë tetë skuadra, së bashku me Francën, që e siguroi  pjesëmarrjen në fazën finale, jo përmes ndeshjeve kualifikuese, por si rrjedhojë e rregullit të vendosur nga UEFA. Kjo ishte hera e parë që Franca fitonte jo vetëm një Kampionat Europian, por dhe një turne të madh. Gjashtë kampionatet e mëparshme kishin njohur këta fitues: Euro 1960, u fitua nga Bashkimi Sovjetik; Euro 1964, nga Spanja; Euro 1968 nga Italia dhe Euro 1972, nga Gjermania Perëndimore, Euro 1976 nga Çeksollovakia dhe Euro 1980 nga Gjermania Përëndimore. 

ELIMINATORET- Morën pjesë 32 përfaqësuese, përfshirë dhe Shqipërinë, që i dha fund bojkotit të dy kampionateve paraardhëse. Në këtë kampionat ndryshoi formati i gjysmëfinaleve: kualifikoheshin dy vendet e para të çdo grupi, por me skemën: vendi i parë i grupit 1 me vendin e dytë të grupit 2, dhe anasjelltas. Fituesit diskutonin midis tyre finalen. Vendi i tretë u hoq përfundimisht. Para shortit, skuadrat u ndanë në pesë vazo në bazë të koeficientit të fortësisë. Shqipëria bënte pjesë në vazon e 5-të. Skuadrat u ndanë në 7 grupe, nga të cilat vetëm vendet e para do të shkonin në finale. Në finalet e Europianit shkuan: Belgjika (nga grupi 1), Danimarka (2), Portugalia (3), Rumania (4), Spanja (5), Jugosllavia (6), Gjermania Perëndimore (7) dhe Franca, si organizatore. 

Gjeli “Peno”, maskoti i finaleve


Maskoti zyrtar i Kampionatit Europian 1984 quhej “Peno”, në gjel me një lafshë të kuqe të ndezur e stërmadhe, që e përfaqësonte emblemën e vendit organizator, Francës. “Peno” kishte numrin 84, pra vitin e zhvillimit të kampionatit, në anën e majtë të gjoksit, dhe ishte i veshur me ngjyrat e Kombëtare franceze: bluzë blu, mbathje të bardha dhe geta të kuqe. “Peno” mbante një top në dorë. 









FINALET  - Edhe në këtë edicion në finale morën pjesë tetë skuadra, të ndarë në dy grupe me nga katër skuadra, me sistem grumbullimi pikësh. Ta parat e çdo grupi diskutuan finalen, ndërsa ekipet e renditura të dyta, finalen e vogël për vendin e tretë. Në grupin A bënin pjesë: Franca (3 fitore në po aq ndeshje, 6 pikë), Danimarka (vendi i dytë, 4 pikë), Belgjika (vendi i tretë, 2 pikë) dhe Jugosllavia (vendi i fundit, 0 pikë). Në grupin B, Spanja (e para me 4 pikë), Portugalia (vendi i dytë, 4 pikë), Gjermania Perëndimore (vendi i tretë, 3 pikë) dhe Rumania (vendi i fundit, 1 pikë). Sipas skemës së paracaktuar më parë, në gjysmëfinale u përballën Francë-Portugali dhe Spanjë-Danimarkë. Të dyja ndeshje kërkuan kohën shtesë. Franca mundi Portugalinë 3-2 në Marsejë pas 120 minutave. Koha e rregullt përfundoi 1-1: Domerk (24’) për francezët; Zhordao (74’) për portugezët. Në kohën shtesë, ishte Portugalia ajo që shënoi e para me anë të Zhordaos )98’), por Franca gjeti forca ta barazonte rezultatin me anë të Domerk (114’) dhe golin e fitores me të zakonshmin Mishel Platin (119’), duke shmangur kështu gjuajtjen e penalltive. Në gjysmëfinalen tjetër, Spanja barazoi 1-1 me Danimarkën, në Lion. Soren Lerbi shënoi një gol të shpejtë për danezët në minutën e 7-të, ndërsa Spanjës iu deshën 60 minuta për të barazuar rezultatin në të 67’, më anë të Masedës. Ndeshja shkoi në shtesa dhe më pas në serinë e gjuajtjeve të penalltive, ku spanjollët fituan 5-4. Portieri Luis Arkonada priti penalltinë e danezit Elkjaer. Në finalen e 27 qershorit 1984, Franca zbriti me shumë entuziazëm në Paris kundër Spanjës, në “Park de Prins”. Pas një pjese të parë pa gola, ishte Mishel Platini ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 57-të, me golin e tij të nëntë në këto finale, por i ndihmuar nga gafa e portierit spanjoll, Luis Arkonda, i pavendosur mirë në atë gjuatje standarde të kapitenit francez. Bruno Bellone shënoi në minutën finale, duke i dhënë Francës trofeun e parë të madh në historinë e “gjelave”. Platini, fitues i “Këpucës së Artë”, i dha lavdinë e munguar Francës. 


41 gola 
u shënuan në 15 ndeshjet e finaleve, me një mesatare 2.73 gola për ndeshje

3 minuta
i mjaftuan francezit Platini, për të shënuar golin më të shpejtë të finaleve

9 gola
realizoi mesfushori i Francës, Mishel Platini, fituesi i “Këpucës së Artë”.


Ekipi kampion i Francës

Zhoel Bats, Patrik Batinson, Maks Bosis, Ivon Lë Ru, Zhan-Fransua Domerk, Zhan Tigana, Mishel Platini (kapiten), Alen Zhires, Bruno Bellone, Manuel Amoroz, Bernard Zhengini, Bernand Lakombe, Didier Siks, Domenik Roshëto, Tieri Tyso. Trajner Mishel Hidalgo.

Kampionatet dhe fituesit 
1. Francë 1960:  Bashkimi Sovjetik
2. Spanjë 1964:  Spanja
3. Itali 1968:  Italia
4. Belgjikë 1972:  Gjermania
5. Jugosllavi 1976:  Çekosllovaki 
6. Itali 1980:  Gjermani 
7. Francë 1984:  Franca
8. Gjermani 1988:  Holanda
9. Suedi 1992:  Danimarka
10.Angli 1996:  Gjermania 
11.Belgjikë/Holandë 2000:  Franca  
12.Portugali 2004:  Greqia
13.Austri/Zvicër 2008:  Spanja




Ekipi ideal i Euro 1984

Portier: Harald Schumacher (Gjermani). Mbrojtës: Zhoao Pinto (Portugali), Karlheinc Fërster (Gjermani), Morten Olsen (Danimarkë) Andreas Brehme (Gjermani). Mesfushorë: Fernando Chalana (Portugali), Alen Zhirese (Francë), Zhan Tigana (Francë), Frank Arnesen (Danimarkë). Sulmues: Michel Platini (Francë) e Rudi Fëller (Gjermani).







Shqipëria rikthehet në Europian

Pas vetizolimit ndërkombëtar dhe dy kampionateve pa marrë pjesë (Euro 1976 dhe 1980), për shkak të vendimit politik të marrë në Plenumin e 4-t të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i vitit 1973, Shqipëria e drejtuar nga Shyqyri Rreli dhe me lojtarë të tillë si Luarasi, Haxhi Ballgjini, Vukatana, Bajaziti, Muça e Zëri, e nisi me një humbje të hidhur 5-0 me Austrinë në Vjenë (22 shtator 1982). Udhëtimi në Izmir u mbyll me humbjen 1-0 kundër Turqisë vendase (Kocabiyik shënoi në minutën e 86-të). Por, rikthimi në Tiranë u shoqërua me një 0-0 ndaj Irlandës së Veriut (15 dhjetor 1982), e që rezultoi fatal për irlandezoveriorët, pasi u renditën të dytët në grup, edhe pse kishin pikë të barabarta me Gjermaninë, por me golaverazh me të dobët. 30 marsi solli në Tiranë, Gjermaninë, nënkampione të botës, e midis lojtarëve ishte edhe Hans-Peter Brigeli, i cili në dhjetor të vitit 2002, do të bëhej as më pak dhe as më shumë, por trajneri i Kombëtares shqiptare, madje duke vendosur 11 rekorde absolute me përfaqësuesen tonë, përfshirë dhe rekordin e pikëve të grumbulluara në një edicion: 13 (për Botërorin e vitit 2006). Fëler dhe Rumenige (penallti) shënojnë përpara se Muhedin Targaj të shënojë (me penallti) golin e nderit për Shqipërinë. Udhëtimi drejt Irlandës solli humbjen 1-0, por ndaj Turqisë në Tiranë, formacioni i ideuar nga Rreli barazoi 1-1 (11 maj 1983), një autogol i Rashit Çetiner i dha barazimin Shqipërisë. Sa për detaj: në atë ndeshje për Turqinë luajti edhe kapiteni Fatih Terim, i cili në Euro 2008, ishte trajneri i saj. Me Austrinë humbasim 2-1 në Tiranë, dhe me po këtë rezultat me Gjermaninë në Sarbruken. Dhe mendoni, Genc Tomori, në të vetmen ndeshje të tij me Kombëtaren i bën të gjitha: gol në të 23’ (1-0 për Shqipërinë) dhe karton i kuq në të 48’ (kur rezultati ishte 1-1). Të fundit në grup, por me dy barazime e gjashtë humbje. 




RENDITJET

GRUPI 1
FRANCA 6
Danirmaka 4
Belgjikë 2
Jugosllavi 0

GRUPI 2
SPANJA 4
Portugalia 4
Gjermania Perëndimore 3
Rumania 1

        

FINALJA
(27 qershor 1980, Paris)    
Francë-Spanjë 2-0
Platini 57’, Bellone 90’





  • Lini komentin tuaj
Kontakt Albania Sport Marketing Albania Sport
Donation

Vendos adresen email:

Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.