Kampionati Europian i vitit 1976 (i pesti) u zhvillua në Jugosllavi dhe u fitua nga Çekosllovakia, një shtet që sot nuk ekziston më, pasi është ndarë në dy shtete të rin, Republika Çeke dhe Sllovakia.
Edhe në këta kampionat, në finale morën pjesë katër skuadra, ndërkohë që faza eliminatore ishte ajo me grupe, eliminim direkt në fazën çerekfinale. Finalet u zhvilluan nga 16 deri 20 qershor 1976. Ndeshjet u luajtën në Beograd dhe Zagreb. Katër kampionatet e mëparshme: Euro 1960, u fitua nga Bashkimi Sovjetik; Euro 1964, nga Spanja; Euro 1968 nga Italia dhe Euro 1972, nga Gjermania Perëndimore.
ELIMINATORET - Shqipëria nuk mori pjesë në këtë kampionat për shkak të një vendimi politik të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë (Plenumi i 4-t, 1973). Në fazën eliminatore të zhvilluar në vitet 1974 dhe 1975 (faza e grupeve) dhe 1976 (çerekfinalet), morën pjesë 32 skuadra të ndarë në tetë grupe me nga katër skuadra. Asokohe, fitoret kishin vlerën e 2 pikëve, barazimi 1 pikë dhe humbja 0 pikë, Vetëm fituesit e grupeve mund të kualifikoheshin për në çerekfinale. Kryesuesit e tetë grupeve ishin: Çekosllovakia (nga grupi 1), Uellsi (2), Jugosllavia (3), Spanja (4), Holanda (5), Bashkimi Sovjetik (6), Belgjika (7) dhe Gjermania Perëndimore (8). Në çerekfinale, Çekosllovakia eliminoi bashkimi Sovjetik me rezultatin e përgjithshëm 4-2; Gjermania Perëndimore nxori jashtë loje Spanjën me rezultatin e përgjithshëm 3-1; Jugosllavia eliminoi Uellsin me rezultatin 3-1 të dy ndeshjeve, dhe Holanda, nënkampione e botës në fuqi, bëri për “ujë të ftohtë’ Belgjikën, me rezultatin e bujshëm 7-1: 5-0 dhe 2-1.
FINALET - Jugosllavia, Gjermania Perëndimore, Holanda dhe Çekosllovakia. Këto ishin shtetet finaliste. Të dyja gjysmëfinalet prodhuan emocione pa fund, si ajo në Zagreb, midis Çekosllovakisë dhe Holandës, dhe po ashtu dhje ajo e Beogradit, midis Jugosllavisë vendase dhe Gjermanisë, kampione në fuqi. Të dyja takimet u vendosën në kohën shtesë. Çekosllovaki-Holandë e mbyllën kohën e rregullt me rezultatin e barabartë 1-1, e ku spikat një lojtar çekosllovak: Ondrush, i cili shënon edhe golin për Çekosllovakinë në minutën e 19-të, por dhe autogolin në favor të Holandës në të 77’. Shtesat janë të gjithë nën sundimin çekosllovak: Nehoda 114’ dhe Veseli 1118’ nxjerrin jashtë loje Holandën e futbollit total. Tashmë janë çeket që e meritojnë këtë epitet. Një ditë më pas, më 17 qershor, Jugosllavi-Gjermani Perëndimore prodhon një tjetër gjysmëfinale dramatike. Dy herë në avantazh jugosllavët dhe dy barazime nga gjermano-perëndimorët. Popivoda 19’ dhe Xhajiç 30’ për vendasit, dhe Flohe 64’ dhe Diter Myler 82’ për gjermanët. Shtesat janë fatale për jugosllavët. Diter Myler, një tjetër “Myler” i racës gjermane, shënoi dy herë në minutat 115’ dhe 119’, duke e çuar sërish Gjermaninë në finale. Finalja për vendin e tretë prodhon ndeshjen e tretë që zgjidhet me shtesa: pas barazimit 2-2 në lojë, Holanda fiton 3-2 me Jugosllavinë, në Zabgreb, të ndjekur nga vetëm 6 766 shikues! Golin fitues e shënoi Gels në minutën e 107-të. Kur pritej që, më 20 qershor në finalen e Beogradit të ishte Jugosllavia vendase, në stadiumin “Crvena Zvezda”, luajnë Çekosllovakia dhe Gjermania Perëndimore. Një nga finalet më emocionuese të 13 kampionateve europiane deri tani. Svehlik 8’dhe Dobias 25’ i dhanë dy herë avantazhin Çekosllovakisë, por futbollisti Gerd Myler, i cilësuar si “gjermani i bukur”, barazoi në minutën e 28-të’, ndërkohë që në ekstremin e ndeshjes, Holcenbajn (89’) barazoi rezultatin duke i çuar ekipet në shtesa. Çekosllovakët u treguan të pagabueshëm, gjuajtën të parët dhe i realizuan të pesta, ndërkohë që pas tri penalltive të suksesshme, Hënes gaboi për gjermanët, duke e mbyllur serinë e penalltive 5-3. Masni, Nehoda, Ondrush, Jurkemik, Panenka shënuan për çekosllovakët; Bonhof, Flohe, Bongatc për gjermanët. Çekosllovakia është kampione, për herë dhe të fundit në këtë emër. Sulmuesi gjerman Diter Myler fitoi “Këpucën e Artë”, pasi shënoi katër gola në dy ndeshje: tre gola kundër Jugosllavisë gjysmëfinale dhe një gol kundër Çekosllovakisë në finale.
19 gola
u shënuan në katër ndeshjet e finaleve, me një mesatare 4.75 gola për ndeshje
8 minuta
i mjaftuan çekosllovakut Jan Svehlik, për të shënuar golin më të shpejtë në finale.
4 gola
Realizoi sulmuesi i Gjermanisë, Diter Myler, fituesi i “Këpucës së Artë”.
Ekipi kampion i Çekosllovakisë
Ivo Viktor, Karol Dobiash, Jozef Çapkoviç, Anton Ondush, Jan Pivarnik, Ladislav Jurkemik, Antonio Panenka, Jozef Moder, Jarosllav Pollak, Marian Masny, Zdenek Nehoda, Koloman Gogh, Jozef Barmosh, Pavol Birosh, Dushan Herda, Jan Svehlik, Dushan Galish, Ladislav Petrash, Frantishek Shtambahr, Premysil Biçovski, Aleksander Vencel. Trajner: Vaclav Lezhek
Ekipi ideal i Euro 1976
Portier: Ivo Viktor (Çekosllovaki). Mbrojtës: Jan Pivarnik (Çekosllovaki), Rudi Krol (Holandë), Jaroslav Pollak (Çekosllovaki), Annton Ondrush (Çekosllovaki). Mesfushorë: Franc Bekenbauer (Gjermani), Rainer Bonhog (Gjermani), Zdenek Nohoda ((Çekosllovaki), Sulmues: Diter Myler (Gjermani), Antonin Panenka (Çekosllovaki) dhe Dragan Zhajiç (Jugosllavi).
GJYSMËFINALET
Çekosllovaki-Holandë 3-1 (pas shtesave)
Jugosllavi-Gjermani P. 2-4 (pas shtesave)
FINALJA E VENDIT TË TRETË
(19 qershor 1976, Zagreb)
Holandë-Jugosllavi 3-2
(pas kohës shtesë)
FINALJA
(20 qershor 1976, Beograd)
Çekosllovaki-Gjermani P. 2-2
Svehlik 8’, Dobias 25’/ Myler 28’, Holcenbajn 89’
Penalltitë 5-3,
Çekosllovkia i realizoi të gjitha,
Henës (Gjermani) gaboi penalltinë e katërt
Të veçantat e
finaleve, katër
ndeshje me shtesa
Edhe në finalet e këtij kampionati vetëm katër ekipe merrnin pjesë, që do të thotë se zhvilloheshin dy ndeshje gjysmëfinale, një finale për vendin e tretë dhe finalja e madhe. Vendi organizator përcaktohej vetëm pas raundit kualifikues, çka do të thotë se ai duhej të kualifikohej njëlloj si gjithë të tjerët për fazën finale. E veçanta e këtij kampionati, ka të bëjë me faktin se të katër ndeshjet në finale, kërkuan kohën shtesë, të vendosura me gol në kohën shtesë, apo me penallti. Ky ishte kampionati i fundit që në finale kishte katër skuadra, pasi në atë pasardhës (1980), ishin tetë ekipe. E veçanta tjetër ka të bëjë me faktin, se kjo ishte hera e fundit, që vendi organizator detyrohej që kualifikohej për në finale.
Ekipet pjesëmarrëse
Spanja, Çekosllovakia, Turqia, Irlanda, Bullgaria, Portugalia, Suedia, Norvegjia, Bashkimi Sovjetik, Greqia, Austria, Finlanda, Gjermania Perëndimore, Jugosllavia, Hungaria, Gjermania Lindore, Danimarka, Holanda, Italia, Rumania, Zvicra, Qipro, Franca, Belgjika, Polonia, Luksemburgu, Anglia, Uellsi, Malta, Skocia, Irlanda e Veriut dhe Islanda.
Kampionatet dhe fituesit
1. Francë 1960: Bashkimi Sovjetik
2. Spanjë 1964: Spanja
3. Itali 1968: Italia
4. Belgjikë 1972: Gjermania
5. Jugosllavi 1976: Çekosllovaki
6. Itali 1980: Gjermani
7. Francë 1984: Franca
8. Gjermani 1988: Holanda
9. Suedi 1992: Danimarka
10.Angli 1996: Gjermania
11.Belgjikë/Holandë 2000: Franca
12.Portugali 2004: Greqia
13.Austri/Zvicër 2008: Spanja
Plenumi i 4-t i
PPSH-së, Shqipëria
bojkoton Europianin
Pas pjesëmarrjes në tri kampionate rresht, Euro 1964, Euro 1968 dhe Euro 1982, Shqipëria nuk do të ishte pjesë e fushatës kualifikuese të Euro 1976. Arsyeja është tërësisht politike, ndërsa argumenti, i parë me optikën e sotme është shumë qesharak. Një vendim i Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i vitit 1973, sanksionoi izolimin ndërkombëtar të futbollit shqiptar, për shkak të ndikimit të shfaqjeve “imperialiste dhe revizioniste” në shoqërinë tonë. Ndeshja e fundit e Shqipërisë ishte miqësorja 1-1 me Kinën, më 7 nëntor 1973, pikërisht në lamtumirën e Panajot Panos. Për 7 vite të tëra, Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk ekziston, përveç një rasti kur në vitin 1976, ajo luajti kundër Algjerisë në Tiranë, në atë fitore 3-0, kur në bankinë ishte Loro Boriçi, ndërsa vijën e parë të sulmit e përbënte treshja mitike e Dinamos, Zëri-Ballgjini-Përnaska. Ai izolim ndërkombëtar dogji me dhjetëra talente, duke ua hequr mundësinë atyre të shfaqnin vlerat me futbollin perëndimor, ndërkohë që dashamirësit e sportit u privuan nga sfidat e shumëpritura me ekipet e elitës europiane. Një absurd i madh, me një prapavijë politike. Sot, duket si diçka e pazakonshme, tej normales.




