Kampionati Europian i vitit 1972 u zhvillua në Belgjikë dhe u fitua nga Gjermania Perëndimore.
Finalet u zhvilluan nga 14 deri 18 qershor 1972. Edhe në këta kampionat, në finale morën pjesë katër skuadra, ndërkohë që faza eliminatore ishte ajo me grupe, eliminim direkt në fazën çerekfinale. Edhe në finalet e këtij kampionati vetëm katër ekipe merrnin pjesë, që do të thotë se zhvilloheshin dy ndeshje gjysmëfinale, një finale për vendin e tretë dhe finalja e madhe. Vendi organizator përcaktohej vetëm pas raundit kualifikues, çka do të thotë se ai duhej të kualifikohej njëlloj si gjithë të tjerët për fazën finale. Tre kampionatet e mëparshme ishin fituar: Euro 1960 u fitua nga Bashkimi Sovjetik, Euro 1964 nga Spanja dhe Euro 1968 nga Italia.
ELIMINATORET- Vetëm Islanda nuk mori pjesë në fazën eliminatore, ndërkohë që bënin pjesë 32 ekipe, të ndara në tetë grupe me nga katër skuadra. Shqipëria regjistroi pjesëmarrjen e tretë në tri europiane. Kuqezinjtë ndodheshin në grupin 8, së bashku edhe Gjermaninë Perëndimore, Poloninë dhe Turqinë, ku regjistruam 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje. Kryesuesit e tetë grupeve ishin: Rumania (nga grupi 1), Hungaria (2), Anglia (3), Bashkimi Sovjetik (4), Belgjika (5), Italia (6), Jugosllavia (7) dhe Gjermania Perëndimore (8). Në çerekfinale, Belgjika eliminoi Italinë (kampionë në fuqi); Gjermania Perëndimore nxori jashtë loje Anglinë, madje në “Uembli” të Londrës, gjermanët fituan 3-1, në prani të 96 mijë e 800 shikuesve, ndërsa në Berlinin Perëndimor barazuan 0-0; Hungaria eliminoi Rumaninë dhe Bashkimi Sovjetik nuk e pati të vështirë me Jugosllavinë.
FINALET - Bashkimi Sovjetik, Belgjika, Gjermania Perëndimore dhe Hungaria. Këto ishin shtetet finaliste. Gjysmëfinalja Belgjikë-Gjermani Perëndimorë u zhvillua në Antverp (14 qershor 1972), në praninë e rreth 56 mijë shikuesve. Gjermania fitoi 2-1, falë një dopjete të Gerd Mylerit (24’ dhe 71’), ndërkohë që belgët e ngushtuan diferencën me anë të Polleunis (83’). Në gjysmëfinalen tjetër, po të zhvilluar më 14 qershor 1972, Bashkimi Sovjetik mundi 1-0 Hungarinë, në Bruksel. Për vendin e tretë, Belgjika fitoi 2-1 me Hungarinë, duke shënuar dy gola brenda katër minutash: Lambert 24’ dhe Van Himst 28’. Për Hungarinë shënoi Ku në të 53’ me penallti.
Finalja prodhoi çiftin Gjermani Perëndimore-Bashkimi Sovjetik, në të cilën gjermanët fituan bindshëm 3-0 në Bruksel: golat kanë për autorë Myler 27’ dhe 58’, si dhe Vimer 52’. Fitorja 3-0 e Gjermanisë Perëndimore përballë Bashkimit Sovjetik është fitorja më e thellë në rezultat për sa i përket historisë së Evropianëve të futbollit. Gjermania është për herë të parë kampione e Europës, dhe në rrugën e saj drejt titullit kishte kaluar edhe nga Shqipëria. Legjenda gjermane Gerd Myler fitoi “Këpucën e Artë”, pasi shënoi katër gola në dy ndeshje: një dopietë kundër Belgjikës në gjysmëfinale dhe një tjetër kundër Bashkimit Sovjetik në finale.
10 gola
u shënuan në katër ndeshjet e finaleve, me një mesatare 2.5 gola për ndeshje
24 minuta
u mjaftuan belgut Lambert dhe gjermanit Myler për të shënuar golin më të shpejtë.
4 gola
Realizoi sulmuesi i Gjermanisë, Gerd Myleri, fituesi i “Këpucës së Artë”.
GJYSMËFINALET
Gjermani P.-Belgjikë 2-1
B.Sovjetik-Hungari 1-0
FINALJA E VENDIT TË TRETË
Belgjikë-Hungari 2-1
FINALJA
(18 qershor 1972, Bruksel)
Gjermani P.-B.Sovjetik 3-0
Myler 27’, Vimner 52’, Myler 58’
Mbizotërimi i
rinisë gjermane
Ky kampionat pa një moshë mesatare të re, por dhe një koncept më të avancuar në lojë. Kjo ndoshta falë edhe formacionit gjerman, me një Franc Bekenbauer, lider skuadre; një Gunter Netxer, zot të mesfushës, dhe një Gerd Myler, bombardues të pamëshirshëm. Ky formacion, që fitoi më pas edhe Kampionatin Botëror 1974, konsiderohet si një nga më të mirë e të gjithë historisë së Gjermanisë Perëndimore. Në formacionin ideal të Europianit kishte shtatë gjermanë: Frac Bekenbauer, Pol Braitner, Uli Hënes, Gynter Netcer, Herbert Vimer, Jup Hejnkes dhe Gerd Myler. “Bomber der Nation”, pra Gerd Myler u përzgjodh dhe si futbollisti më i mirë i kompeticionit, ku arriti të shënojë edhe katër gola në dy ndeshjet e fundit.
Ekipi kampion i Gjermanisë
Sep Majer, Horst-Dieter Hëtgez, Paul Brajtner, Hans Georg Shvarzenbek, Franc Bekenbauer, Herbert Vimer, Jurgen Grabovski, Ili Henës, Jozef Hejnkes, Gynter Netzer, Ervin Kremees, Mikael Bella, Gerd Myler, Berti Vogts, Rainer Bonhof, Horst Kopel, Johanes Lohr, Volfgang Klef. Trajner: Helmut Shën.
Ekipi ideal i Euro 1972
Portier: Evgeni Rudakov (BRSS). Mbrojtës: Evgeni Rudakov (BRSS), Revaz Dzodzuashvili (BRSS), Franz Beckenbauer (Gjermani), Paul Breitner (Gjermani). Mesfushorë: Murtaz Khurtsilava (BRSS), Uli Hoenes (Gjermani), Gynter Netzer (Gjermani), Herbert Vimer (Gjermani). Sulmues: Raoul Lambert (Belgjikë), Jup Hejnckes (Gjermani) dhe Gerd Myler (Gjermani).
Ekipet pjesëmarrëse
Spanja, Çekosllovakia, Turqia, Irlanda, Bullgaria, Portugalia, Suedia, Norvegjia, Bashkimi Sovjetik, Greqia, Austria, Finlanda, Gjermania Perëndimore, Jugosllavia, Hungaria, Gjermania Lindore, Danimarka, Holanda, Italia, Rumania, Zvicra, Qipro, Franca, Belgjika, Polonia, Luksemburgu, Anglia, Uellsi, Malta, Skocia, Irlanda e Veriut dhe SHQIPËRIA.
Kampionatet dhe fituesit
1. Francë 1960: Bashkimi Sovjetik
2. Spanjë 1964: Spanja
3. Itali 1968: Italia
4. Belgjikë 1972: Gjermania
5. Jugosllavi 1976: Çekosllovaki
6. Itali 1980: Gjermani
7. Francë 1984: Franca
8. Gjermani 1988: Holanda
9. Suedi 1992: Danimarka
10.Angli 1996: Gjermania
11.Belgjikë/Holandë 2000: Franca
12.Portugali 2004: Greqia
13.Austri/Zvicër 2008: Spanja
Kur Shqipëria
shkatërronte
3-0 Turqinë
Në Euro 1972, Shqipëria e Loro Boriçit ishte në eksperiencën e tretë në Europian. Në grupin e 8-të kishte kundërshtar për herë të dytë Gjermaninë, Poloninë dhe Turqinë. Eliminatoret nisën me një humbje 3-0 me Poloninë (në Korzou, më 14 tetor 1970), për të vazhduar me një të dytë me Turqinë (2-1 më Stamboll, gol i Astrit Ziut për Shqipërinë). Më pas, erdhi humbja 0-1 në Tiranë me Gjermaninë Perëndirmore, gol i të zakonshmit Gerd Myler (38’), kundër foramcionit që do të bëhej më pas dhe fituesi i kampionatit. Në “Qemal Stafa” arritëm një barazim 1-1 me Poloninë, ku golit të polakut Banas (7’), iu kundërpërgjigj Zhega (32’). Pas humbjes 2-0 kundër Gjermanisë, në Karslruhe, Shqipëria sigloi fitoren e bujshme 3-0 kundër Turqisë, më 14 nëntor 1971: golat mbajnë firmat e Ilir Përnaskës (2) dhe Panos. Një fitore që i mbylli me nder edhe eliminatoret e këtij Europiani, pavarësisht se u renditëm në vendin e fundit.
Eliminatoret, Grupi 8
Poloni-Shqipëri 3-0
Turqi-Shqipëri 2-1
Shqipëri-Gjermani 0-1
Shqipëri-Poloni 1-1
Gjermani-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Turqi 3-0
Renditja: Gjermania 10, Polonia 6, Turqia 5, Shqipëria 3
Bilanci: 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje
Golat: Ilir Përnaska (2), Astrit Ziu (1), Medin Zhega (1), Panajot Pano (1)




