DASH FRASHËRI (Gazeta "Telegraf)- Hamdi Salihi shënoi te dielen për DC Junaitid, në fitoren 3-1 ndaj Torontos. Për sulmuesin shkodran ky ishte goli i katërt në në pesë ndeshjet e fundit kampionatin amerikan, MLS, duke dëshmuar se shqiptarët janë të aftë të fusin topin në rrjetë kudo që ata luajnë. Më pak fjalë: golat shqiptarë e kanë pushtuar planetin.
Gjeografia e golave të legjionarëve kuqezinj është e gjerë, në të pesë kontinentet: Hamdi Salihi shënon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhevair Sulaj realizon për Sepehanin e Iranit; Besart Berisha që aktivizohet në Australi shënon për Brisbane Roar, duke u shndërruar edhe në lojtarin e parë shqiptar që shënon në dy Liga Kampionesh të ndryshme, ato europiane dhe aziatike. Statistikat e golave ofrojnë Erjon Bogdanin dhe Lorik Canën që shënojnë në Itali, Elis Bakajn dhe Ahmed Januzin, realizojnë në Ukrainë; Jahmir Hyka dhe Armando Sadiku në Zvicër, Edmond Kapllani dhe Mërgim Mavraj në Gjermani; Ansi Agolli dhe Ervin Bulku në Azerbajxhan, Emiljano Vila në Greqi dhe Arbër Abilaliaj në Kroaci, etj. Sulmuesi Besart Berisha fitoi “Këpucën e Artë” në 26-vjeçari shënoi 21 gola në total me Brisbejn Roar, 19 prej të cilëve në sezonin e rregullt dhe 2 në finalen e madhe përballë Perth Glorit. Duke futur edhe dy golat e shënuar në Ligën e Kampioneve të Azisë: në humbjen 4-2 kundër japonezëve të Tokios dhe në barazimin 1-1 kundër kinezëve të Beijing Guoan, ai i ngjit në kuotën e 23 golave, pra legjionari që ka shënuar më shumë. Në total, 24 futbollistë shqiptarë kanë shënuar sezonin e kaluar, jo pak, por 130 gola.
ITALI
Erjon Bogdani vërtet shënoi katër gola në Serinë A gjatë sezonit 2011-2012, por sulmuesi shqiptar i dha pikë shumë të vlefshme Sienës të tij, në luftën për mbijetesë. Erjon Bogdani shënoi një gol nderi ndaj Milanit, edhe pse Siena e tij humbi thellësisht 4-1, në javën e 35-të të Serisë A. Sulmuesi shqiptar e festoi në mënyrën më të bukur 35-vjetorin. Tre golat e tjerë, Bogu i realizoi kundër Çezenës, Kaljarit dhe Palermos. Ky nuk është goli i parë, që Bogdani i shënon Milanit, pasi të njëjtën gjë e ka bërë edhe sezonin e kaluar, kur luante në radhët e Çezenës. Po sezonin e kaluar, Bogdani i shënoi një tjetër gjiganti të futbollit italian, Interit, në atë humbje 3-2, të Çezenës (19 janar 2011). Në listën e golave të “Er-Bomber” nuk mungon edhe Juventusi, por kur Erjoni luante me fanellën e Livornos, në një humbje 1-3 me bardhezinjtë italianë, më 27 janar 2008. Lorik Cana, edhe pse luajti shumë pak me Lacion (15 ndeshje, në total 785 minuta), e regjistroi emrin e tij në listën e golashënuesve në kampionatin italian. Kapiteni i Kombëtares shqiptare shënoi dy gola të rëndësishëm, pra me vlerë pikësh, kundër Atalantës në fitoren 2-0 dhe kundër Leçes në fitoren 3-2 të Lacios. Kurioziteti: Lorik Cana la pas madje dhe nje goleador race si Filipo Inzagi, ky i fundit shënoi vetëm një gol për Milanin, duke lënë pas 126 lojtarë që realizuan nga një gol.
GJERMANI
Në Gjermani shënuan 9 gola nga legjionarët tanë, në një Bundesligën 1 dhe tetë në Bundesligën 2. Edmond Kapllani, edhe pse u aktivizua vetëm 49 minuta në total me Augsuburgun, arriti të shënojë 1 nga 49 golat e skuadrës së tij. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi kundër Volfsburgut (2-0), duke qenë dhe golashënuesin më të mirë përsa u përket rendimentin gol/minutë. Altin Lala me Hanoverin dhe Odise Roshi me Këlnin nuk realizuan. Në Bundesliga 2, mesfushori shqiptar me pasaportë gjermane, Jurgen Gjasula, realizoi tre gola për Duisburgun e tij, një prej tyre në humbjen 2-1 kundër Grojther Fyrth të mbrojtësit të ri të Kombëtares, Mërgim Mavraj. Ky i fundit shënoi dy gola për ekipin e tij: në fitoren 5-1 kundër Padebornit dhe në barazimin 2-2 kundër Karlsruhes. Kosovari Ensi Alushi shënoi dy gola për Padebornin, duke i dhënë katër pikë skuadrës së tij. Sulmuesi veteran Skerdilajd Curri realizoi vërtet 1 gol për Ezgbergen, në fitoren 2-1 kundër Bokumit, por që rezultoi goli i sezonit, pasi skuadra e tij ia doli të mbijetojë në Bundesliga 2.
ZVICËR
Jahmir Hyka ka realizuar në 29 ndeshjet e tij me Lucernin, 5 gola në kampionat: kundër Jan Bojs (1-1), Njoshatëll Ksamaksit (1-2), Zyrihit (1-1), Servete (3-1) dhe Grasshpoersit (2-2), pra gë i kanë dhënë pikë skuadrës së tij. Hyka ka shënuar një gol edhe në Kupën e Zvicrës. Sulmuesi i ri i Kombëtares U-21 dhe A, Armando Sadiku ka realizuar për Lokarnon e tij, 19 gola në 27 ndeshje në kampionat, midis tyre dhe një tripletë në fitoren 3-0 kundër Delemont (21 prill 2012). Sadiku ka realizuar edhe një gol në Kupën e Zvicrës, duke e çuar në 20 numrin e golave. Po për Lokarnon nga një gol kanë realizuar mbrojtësi Klodian Semina (22 ndeshje) dhe ish-mesfushori Enco Malindi (tani te Kamza). Kosovari 20-vjeçar Shpend Matoshi i Kiasos dhe i thirrur së fundi me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë ka realizuar në gol në fitoren kundër Bruhlit (2-0).
GREQI
Emiljano Vila pati në fillim të vështirë të PAS Janina, pasi nuk arriti të përshtatej po aq shpejt sa mbrojtësi Andi Lila, por në fund të sezonit mesfushori i spostuar në rolin e një sulmuesi shënoi pesë gola vendimtarë, që e mbajtën “Ajaksin e Epirit” në Superligën greke. Vila, i cili në javën e fundit të sezonit, fitoi edhe çmimin simbolik si “lojtari më i vlefshëm”, realizoi pesë gola, duke qenë dhe një nga zbulimet e trajnerit Angjelos Anastadiadhis, pikërisht kudnër Panailitikosit (1-0, java 19); Ksanthit (2-1, java 25); Ergotelisit (1-1, java 26), PAOK-ut (2-1, java 27) dhe OFI-it, java 30).
AZERBAJXHAN
Në Azerbajxhan, mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, realizoi tre gola në 22 ndeshje për Azalin e tij, pikërisht kundër Sumqajitit, Kapazit dhe Netçit. Mbrojtësi shkodran Admir Teli realizoi kundër në fitoren 2-1 kundër Bakit, më 28 tetor 2011, në 32 ndeshje me Karabak. Mesfushori i majtë, Ansi Agolli shënoi vetëm një gol në 31 ndeshje me Karabak, pikërisht në fitoren 3-1 kundër Turan Tovuz, më 30 shtator 2011. Mbrojtësi tjetër shkodran Elvin Beqiri nuk shënoi asnëj gol për Khazar Lankaranin e tij.
KROACI
Sulmuesi Arbër Abilaliaj shënoi 5 gola në 18 ndeshje (1090 minuta me Inter Zapreshiç, duke kontribuar edhe ai në mbijetësn e skuadrës së tij në kampionatin kroat. 25-vjeçari Abilaliaj, një ish-lojtari Flamurtarit, Partizanit, Besës dhe Tiranës, realizoi kundër Varazhdinit (2-3), Hajdukut të Splitit (1-2), Rijekës (1-0), Cibalias (1-0) dhe Karlovacit (1-0), duke i dhënë nëntë pikë skuadrës së tij. Katër gola i shënoi në transfertë. Mesfushori Sabien Lilaj, i cili u aktivizua në 15 ndeshje me Lokomotivën e Zagrebit, nuk arriti të shënojë.
* * *
- vijon ne pjesen e dyte




