Kastrioti rigjeti fitoren pas tri humbjesh rresht, teksa mposhti 1-0 Dinamon e vendit të fundit, një fitore që përkoi me debutimin e trajnerit të ri, Andrea Marko.
Golin fitues e shënoi sulmuesi francez, Brus Inkango, nga pika e bardhë në minutën e 75-të, pas penalltisë së fituar nga Erald Turdiu, për një faull të Maringlen Kapajt.
Për francezin ky ishte goli i tij i 14-të sezonal, dy më pak se kryegolashenuesi i Superliges, Roland Dervishi i Shkumbinit, 16.
Në minutën e 70-të, sulmuesi i Dinamos, Ariel Shtini, goditi shtyllën horizontale.
Kur kanë mbetur edhe katër ndeshje nga përfundimi i sezonit, Dinamo ka shtatë pikë më pak se Pogradeci, që mban vendin e 12-të, që të çon në plejof.
Për Dinamon, humbja në Krujë do të thotë se vetëm matematika i mban ende 18 herë kampionët në Kategorinë Superiore.
Të dielën do të luajnë: Flamurtari-Skënderbeu, Tirana-Tomori, Teuta-Shkumbini, Kamza-Laci dhe Pogradeci-Bylis.
Kategoria Superiore kryesohet nga Skënderbeu (47 pikë), Teuta (46) dhe Tirana (44).




