Tek Galatasaray kaloi portieri Muslera, i cili ishte pjesë e marrëveshjes së transferimit të Canës tek Lazio, ndërsa sot për Europa League do të ketë një përballje me ish-shokun e skuadrës, Arda Turan.
Në fakt, Loriku është i dëmtuar dhe do të mungojë sot përballë Atletico Madrid në sfidën e Europa League, ndërsa do të shohë ish-shokun e tij tek Galatasaray, Turan, i cili aktivizohet në radhët e skuadrës spanjolle.
Në një intervistë për mediat turke, Cana flet për Muslerën e Turan, ndërsa pohon se i ka mbetur në zemër Galatasaray.
Muslera
“Fernando (Muslera) besoj se do të qëndrojë tek Galatasaray, pasi ai ndjehet mirë atje, ndonëse nuk po kalon një sezon të mirë”, tha Cana për ish-portierin e Lazios.
Për fat të keq Loriku nuk do të luajë sot në ndeshjen kundër Atletico Madrid për Europa League, pasi është i dëmtuar që prej fillimit të muajit të kaluar në ndeshjen me Sienan.
“Jam konsultuar me mjekët për dëmtimin tim dhe tani jam më mirë. Ndaj Atletico doja të luaja, por tani kjo nuk është e mundur”, thotë kapiteni i kuqezinjve.
Miqësia me Arda Turan
Cana më pas flet për ish-shokun e tij të skuadrës tek Galatasaray, Arda Turan, i cili aktivizohet në radhët e spanjollëve: “Me Arda Turan kam pasur një miqësi të fortë kur kemi luajtur së bashku në sezonin e kaluar tek Galatasaray. Ai është një person shumë i mirë, një futbollit tejet i talentuar. Më bën të lumtur kur e shoh të luajë tek Atletico. Është tek një klub i madh dhe luan në një kampionat të rëndësishëm. Për Turan ky është një shans i madh dhe më bëhet qejfi për të. Për fat të keq nuk do të luajmë përballë njëri-tjetrit në Europa League për shkak të dëmtimit tim, por megjithatë unë jam i lumtur që e shoh atë të arrijë suksese në karrierë”.
Galatasaray
Mesfushori i Lazios tregon fillimin e “dashurisë” së tij për Galatasaray, teksa ka qenë që fëmijë ndjekës i skuadrës turke.
“Më pëlqen të jem mbështetës i Galatasarayt. Dashuria ime për këtë skuadër ka qenë që fëmijë, pasi babai im, Agimi, ka luajtur në Turqi me Gençlerbirligi. Pastaj kam pasur dhe vetë shansin për të luajtur tek Galatasaray. Megjithëse jam larguar, unë jam ende një tifoz i Galatasaray. E dua Galatasarayn. Si kryesues i kampionatit turk këtë sezon më bën shumë të lumtur për ta ndjekur. Do ta mbështes gjithmonë këtë skuadër”, deklaroi Lorik Cana.
1 sezon
luajti Lorik Cana në kampionatin turk të futbollit
24 ndeshje
ka zhvilluar mesfushori shqiptar me fanellën e Galatasaray




