Në fakt, Mikahil Gorbaçov (80 vjeç), një nga figurat më të njohura politike në Rusi, është i dyti ish-lider i Bashkimit Sovjetik që mbërrin në vendin tonë, pas Nikita Hrushovit, i cili e vizitoi Shqipërinë në maj të vitit 1959, vetëm pak muaj para prishjes përfundimtare të Rusisë me regjimin komunist të Enver Hoxhës. Por, nëse Hrushovi, i cili fitoi betejën me Malenkovin dhe Berian, për të marrë postin e Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (janar 1955), pas vdekjes së Josif Stalinit (6 mars 1953), mbërriti në kryeqytetin shqiptar në kulmin e pushtetit të tij politik, si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste, dhe i si i ftuar i homologut të tij, Enver Hoxha, Mikhail Gorbaçov vjen në Tiranë, si ish-president i Bashkimit Sovjetik dhe i ftuar nga Presidentit i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, në një vizitë me nuanca sportive dhe si padroni i iniciativës së “Shahut në shkolla” dhe për të bërë një detyrë honorifike, atë të dorëzimit të trofeut të Kampiones së Botës në Shah.
Fituesi i Çmimit “Nobel për Paqe” (1990) pranoi bujarisht ftesën miqësore dhe të sinqertë të një biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, 40 vjet më të ri se ai, dhe vetëm 28 ditë pas operacionit në sy, ndërkohë që një vit më parë kishte bërë një ndërhyrje tjetër në ruazat e shtyllës kurizore. “Kjo tregon një shenjë respekti të madh, jo vetëm për organizatorin e vizitës dhe eventit ndërkombëtar të Finales së Madhe të Botërorit të Shahut për Femra, Presidentin e Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, - tha për “Telegraf” një nga anëtarët e stafit, - por dhe një vlerësim dhe respekt për Shqipërinë dhe vendin tonë”.
Ish-Presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov (1 tetor 1988-25 dhjetor 1991), i ftuar në funksionin e padronit të iniciativës të përfshirjes së shahut në shkolla, do të vijë në Rinas me avionin personal të Presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, dhe pritja e parë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, do të bëhet po nga pronari i “Taçi Oil International” dhe Televizionit “Albania Screen”. Agjenda e zotit Mikhail Gorbaçov është e ngjeshur në vizitën e tij 24-orëshe në Tiranë, dhe përfshin midis të tjerave, dy takime me karakter kortezie, me Kryetaren e Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli (në orën 13:00) dhe Kryeministrin Sali Berisha (në orën 14:00).
“Zoti Mikhail Gorbaçov do të vijë i shoqëruar nga mbesa e tij, Ksenia Gorbaçeva. Edhe ajo kishte shumë dëshirë të vizitonte Shqipërinë”, - tha për “Telegraf”, një anëtar i stafit organizator të vizitës së tij. Ksenia është vajza e Irini Virginaskajës, vajzës së vetme të Mikhail Gorbaçovit, e martuar me Andrej Truhaçev, ky i fundit është zëvendëspresidenti për marrëdhëniet e Korporatës dhe anëtar i Bordit të Menaxhimit, të Slavneft, një nga dhjetë kompanitë të mëdha të naftës në Rusi. Në vitin 2010, kompania prodhoi 18.4 milion tonë naftë dhe 851.9 milionë m3 gas. Kjo kompani zyrtarisht është regjistruar në kantonin Zug, në Zvicër.
Mikhail Gorbaçov, i cili konsiderohet edhe si babai i “Perestrojkës” dhe “Gllasnostit”, dy iniciativat politike më të rëndësishme në Rusinë e viteve 1980, bashkëpunoi me ish-Presidentin amerikan, Ronald Regan, në katër raste të ndryshme, duke nënshkruar edhe një “Traktat për çarmatimin” në vitin 1987.
Agjenda e Mikhail Gorbaçovit në Tiranë
E mërkurë, 30 nëntor 2011
10:00
Mbërritja në Rinas e ish-Presidentit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, me avionin personal të Presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, dhe pritja nga ana e këtij të fundit në sallën “VIP”, të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
10:45
Akomodimi në Hotel “Sheraton”, në masa të rrepta sigurie, sipas protokollit zyrtar nga ana e Qeverisë shqiptare.
13:00
Takim zyrtar me Kryetaren e Kuvendit Popullor, zonjën Jozefina Topalli. Në takim, përveç Presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Kirsan Ilyumzhinov.
14:00
Takim zyrtar me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Në takim, përveç Presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Kirsan Ilyumzhinov. Kryeministri shtron në drekë për nder të ish-Presidentit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov.
16:00
Intervistë ekskluzive për emisionin “Prizëm” të gazetarit Aleksandër Furxhi (e parashikuar 90 minuta). Transmetimi televiziv i saj për publikun shqiptar do të jetë, më 5 dhjetor 2012, ora 21:00.
19:00
Ceremonia e dorëzimit të titullit Kampion Bote në Shah për Femra, kampiones kineze Hou Yifan, në Pallatin e Brigadeve. Të pranishëm, përveç ish-Presidentit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, janë edhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Kirsan Ilyumzhinov, Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, si dhe personalitete të tjera të politikës dhe sportit.
Finalja e Botërorit në “Nju Jork Tajms”
“Kina fiton me Indinë në Tiranë”
Gazeta më e madhe amerikane, “Nju Jork Tajms”, i kushtoi një artikull të posaçëm finales së Botërorit të Shahut të zhvilluar në Tiranë, madje duke e parë në një këndvështrim të veçantë. “Në rivalitetin në rritje midis dy superfuqive në zhvillim, Kinës dhe Indisë, Pekini shënoi një fitore simbolike të enjten (24 nëntor): një kineze fitoi një ndeshje shahu”, - shkruhet në artikullin e prestigjiozes amerikane. “Hou Yifan, 17 vjeçe, mbrojti lehtësisht titullin Kampiones së Botës në Shah, kur ajo barazoi në ndeshjen e tetë të matçit kundër Humpy Koneru, shahistes më të mirë indiane. Rezutati final përfundimtar ishte 5.5-2.5 pikë”, - vazhdon gazeta, që thekson faktin se ndeshja u zhvillua në Tiranë dhe ishte sponsorizuar nga “Taçi Oil International”, presidenti i së cilës është Rezart Taçi, njëherësh edhe President i Federatës Shqiptare të Shahut.
Stalini i arrestoi gjyshërit
Gati një e treta e banorëve të fshatit të Gorbaçovit, Privolnoie, vdiqën nga uria në vitin 1930 për shkak të kolektivizimit të shpejtë të bujqësisë të ndërmarrë nga Josif Stalini. Të dy gjyshërit e Gorbaçovit u arrestuan arbitrarisht nga policia sekrete e Stalinit. Gjithsesi, Mikhaili, i lindur në vitin 1931, vetëm sa e kujton atë moment.
Medalje pune si kombajner
Djaloshi Gorbaçov u bashkua me Komsomolin, Rininë Komuniste Ruse, në vitin 1946, kur ai ishte 15 vjeç. “Në shkollë ata më zgjodhën mua të isha lideri i tyre”. Gorbaçovi qëndroi në rajonin e Stavropolit edhe për katër vjet të tjera, duke ngarë një kombajnë në një fermë shtetërore dhe madje duke fituar edhe një medalje shtetëror për punën e tij si kombajner.
“Kryqi Jeshil Ndërkombëtar”
Pas largimit nga detyra e presidentit të Rusisë (25 dhjetor 1991), jetën e tij post-presidenciale ia kushtoi mbrojtjes së ambientit dhe dhënies fund të industrisë së armëve. Gorbaçovi themeloi në Gjenevë, “Kryqin Jeshil Ndërkombëtar”, duke udhëtuar në shumë vende të botës, ndërkohë që në Moskë ai themeloi “Fondi Gorbaçov”.
Shmangu luftën bërthamore
Por, a mendon Gorbaoçovi se bota tani është një vend më i sigurt se 20 vjet më parë? “Aktualisht janë akoma shumë gjëra ende të pastabilizuara në botën e sotme. Por, duke menduar se ia dolëm të shmangim një luftë bërthamore, unë mendoj se po”, - thotë Gorbaçov. Gjithsesi, ai pranon se disa mendje njerëzish janë ende të militarizuara.
Hero në botë, por jo në Rusi
Ashtu si kryeministri aktual Putin, Gorbaçovi nuk është shumë popullor në vendin e tij. Në skenën botërore, ai gëzon statusin e heroit dhe ka marrë Çmimin “Nobel për Paqe”. Në shtëpi, ai shikohet si njeriu që gjymtoi Rusinë. Në një përpjekje për t’u rikthyer në politikë, në vitin 1996, ai fitoi më pak se 1% të votave.
Hidhërimi per vdekjen e Raisës
Mikhail Gorbaçov, djali i një kombajneri dhe veterani të Luftës së Dytë Botërore, Sergej Andrejeviç Gorbaçov dhe një punëtoreje kolkozi, Maria Pantelejevna Gorbaçeva (Gopkalo), u njoh me gruan e tij të ardhshme, Raisa Titarenko, vajzën e një inxhinieri hekurudhash, Maksim Andrejeviç Titarenko, dhe nënë nga Siberia, Aleksandra Petrovna Porada, në Fakultetin e Drejtësisë në Moskë. Ata u martuan në vitin 1953, kur Mikhaili ishte 22 vjeç dhe Raisa, 21 vjeçe. Çifti pati vetëm një fëmijë, vajzën Irina Mihailovna Virganskaja, e cila lindi në vitin 1957. Raisa vdiq nga leucemia, më 22 shtator 1999, në moshën 67 vjeç. “Tani unë e ndjej se duhet të punoj për të dy ne”, - tha pas Gorbaçovi pas vdekjes së bashkëshortes, me të cilin ndahu jo pak, por 46 vite të jetës së tij.




